Bota

G7, ok miliarda dollarëve hua Ukrainës duke përdorur asetet e ngrira ruse!

Liderët e shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7) sot ranë dakord që t’i japin Ukrainës 50 miliardë dollarë hua, duke përdorur asetet e ngrira ruse. Diplomatët konfirmuan se dakordësia lidhur me këtë marrëveshje u arrit para se liderët të shkonin në Itali për samitin treditor të G7-ës.

Hollësitë e marrëveshjes do të diskutohen gjatë takimit të tyre në Itali, por Kievi zyrtar pritet t’i marrë paratë diku nga fundi i këtij viti. Edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të jetë në Itali po ashtu e pritet të nënshkruajë një tjetër marrëveshje dypalëshe për sigurinë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Vendet e G7-ës, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, ngrinë asete ruse në vlerë prej rreth 300 miliardë dollarësh, pak pasi Moska nisi pushtimin e fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.

Në fillim të kësaj jave, Zelensky u shpreh se pret që të sigurojë miliarda euro nga vendet aleate për mbrojtjen e Ukrainës e për rindërtimin e vendit të tij pas luftës. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë gjetur vdekjen mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thotë se pret që të sigurojë miliarda euro nga vendet aleate për mbrojtjen e Ukrainës e për rindërtimin e vendit pas luftës. Ai i bëri këto komente më 11 qershor në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës në Berlin. Gjermania ishte mikpritëse e konferencës dyditore për planifikimin e rindërtimit të Ukrainës pas përfundimit të luftës së nxitur nga pushtuesi rus, si pasojë e të cilës pjesë të vendit janë rrënuar. Në këtë konferencë morën pjesë 2 mijë vetë nga politika, biznesi dhe fushat e tjera.