Jasir Asani ka qenë i ftuar në emisionin e mëngjesit në “Wake Up”, ku ka treguar se si u bë pjesë e Kombëtares dhe emocionet që ka përjetuar në ndeshjet e fundit për t’u futur në Euro 2024. Që nga 14 qershori Shqipëria do përfaqësohet në fazën finale të Europianit, një destinacion i ëndërruar dhe për qindra mijëra tifozë shqiptarë.
Përsa i përket se me kë nga futbollistët e Kombëtares ka më shumë shoqëri, Asani shprehet se Seferin e ka shok që në vitin 2011 dhe me Ramadanin që e ka njohur që kur luante tek Partizani. I pyetur se çfarë bëjnë para një ndeshje futbolli, apo si frymëzohen, Asani shprehet:
Në mëngjes jemi të gjithë të fokusuar dhe fokusohemi në çdo gjë sepse është e vështirë të fitosh, të jesh vetëm ti apo të mendosh që do luash vetëm për vetën. Mund t’ia dalësh për një ndeshje por jo gjithmonë, grupi është suksesi në një ndeshje, mund të jesh Messi apo Ronaldo, por të jesh vetëm do kesh një herë sukses, por jo gjithmonë.
Përsa i përket fillimeve të tij në futboll, Asani shprehet se i ati ka luajtur futboll dhe kur e ka parë të luajë në lagje, e ka kuptuar se ka talent, kështu e ka çuar në stërvitje.
Babi ka luajtur futboll dhe 7-vjeç fillova të luaj në lagje. Babi më ka parë që kam talent dhe isha tek shkolla e Vardarit, por nuk pranonin lojtarë të tjerë. Fillova vetëm stërvitje, por trajneri më pëlqeu dhe më tha që ‘ti do rrish’. Unë ëndërr e kam pasur gjithmonë Kombëtaren.
Në lidhje me eksperiencës së tij në Korenë e Jugut si futbollist, Jasir Asani shprehet se ka qenë tepër e vështirë. Gjuha, ushqimi, e shumë arsye të tjera e bënë Asanin të mos ishte i lumtur 3-4 muajt e parë.
3-4 muaj e parë shumë e vështirë, gjuha, ushqimi, futbolli… Nuk je në Europë, njerëzit ishin shumë ndryshe. Ata janë të lumtur dhe nëse humbin ndeshjen, qeshin, mua më ikën mendja se ne shqiptarët jemi shumë nervozë. Ushqimi korean ishte shumë i keq.
Përsa i përket familjes, Asani shprehet se kanë qenë shumë mbështetës për të gjatë karrierës në futboll, ndërsa për jetën e tij private, ai tregoi se është në një lidhje dashure dhe se është gati dhe për martesën.
Unë dua nuse vetëm shqiptare. Jam gati për martesë. Duhet të shoh dhe karrierën, i kam thënë që do presim dhe pak.
Në fund të intervistës, Asani e ka mbyllur me një mesazh të bukur për të gjithë:
Me këtë grup do të bëjmë gjëra të mëdha në Gjermani dhe do i bëjmë krenar tifozët!