Aktualitet Sport

Futbolli shqiptar në pikiatë në Europë, ja eleminimet dhe kualifikimet!

“Futbolli ynë është rritur, cilësia gjithashtu, mund të garojmë më fort në Europë, ka ardhur momenti të shkojmë sërish në grupe”, këto janë shprehjet që i dëgjojmë shpesh në opinionin sportiv. Por kur vjen momenti për t’i provuar këto mendime apo gjykime, gjithçka pasohet nga një zhgënjim i shumëfishtë.

Kjo ishte kronika e skuadrave shqiptare në kompeticionet europiane. Nga të gjitha trevat kuqezi morën pjesë plot 10 klube shqiptare në kompeticionet e UEFA-s dhe rezultati ishte 9 eliminime dhe 1 kualifikim. Për t’u veçuar kualifikimi i Partizanit, që arriti të mposhtte me vështirësi maltezët e Marsaslok.

Të gjitha skuadrat e tjera u shoqëruan me zhgënjime. Për t’u shënuar eliminimi i Ballkanit nga UE Santa Koloma e Andorrës, një skuadër larg realitetit të suharekasve në letër, por që në fushë arriti të zhdukte diferencat dhe të siguronte një fitore me 11-metërsha.

Edhe Egnatia e pësoi në Champions po me penallti në dy duele tejet të komplikuar dhe në ndikuar nga jashtë ndaj boshnjakëve të Boracit. Asnjë diskutim për Deçiç dhe Strugën, që u eliminuan pa lënë gjurmë në Champions. Megjithatë, duhet thënë se të katërta ekipet kampion do të vijojnë garën në Ligën e Konferencës.

E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Llapin, si skuadra e vetme shqiptare në Europa League. Ekipi nga Podujeva do të luajë në Ligën e Konferencës përballë danezëve të Brondbit. Merr fund aventura europiane për Tiranën, Malishevën, Shkëndijën dhe Vllazninë, që u mposht me turp nga islandezët e Valurit.