Aktualitet

Fushat e livandos së Malësisë së Madhe, atraksioni i kujtimeve të bukura!

Këtë vit, Shqipëria po shënon një “boom” në turizëm, ndërsa vetëm në pesë muajt e parë të 2024-ës, vendi ynë u vizitua nga më shumë se 3.3 milion turistë të huaj. E cilësuar shpesh edhe si “Karaibet Europiane”, në vijimësi, Riviera Shqiptare ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja, të cilat kanë promovuar Shqipërinë turistike duke e vendosur në radarët e destinacioneve që nuk duhen humbur.

Sot në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ndau një kartolinë nga bregdeti i Jonit, i cili edhe këtë vit mbetet destinacion kryesor për turistët e huaj që kanë zgjedhur të pushojnë në Shqipëri. Vetëm në muajin maj, vendi u vizitua nga rreth 974 mijë turistë të huaj ose 38% më shumë se një vit më parë.

Vija e gjatë bregdetare nga veriu në jug, malet, sitet kulturore, por edhe traditat e kulinaria po tërheqin çdo vit e më shumë turistë, ndërsa në mediat ndërkombëtare, Shqipëria promovohet si një destinacion ende për t’u zbuluar.

Po ashtu, fushat me livando në Malësinë e Madhe janë kthyer në një atraksion turistik vitet e fundit. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau pamje nga këto fusha ku kultivohet livando.

Fushat e livandës që e kanë kthyer Malësinë e Madhe në atraksionin e kujtimeve të bukura, shkruan Kumbaro.

Këto fusha të ndodhura në Koplik të Malësisë së Madhe janë kthyer në atraksion për të gjithë ata që kanë pasion fotografinë. Vitet e fundit, Malësia e Madhe është kthyer në destinacionin ideal për ata që janë të lodhur nga kaosi i qytetit ose i destinacioneve të zakonshme dhe duan të relaksohen e të shpenzojnë disa orë ose ditë, të rrethuar vetëm nga natyra.

Vitet e fundit, fermerët në të gjithë vendin po zgjerojnë sipërfaqet e tokave të mbjella me bimë mjekësore e aromatike, nga eksporti i të cilave sigurojnë të ardhura ekonomike më të larta. Në Shqipëri ka mbi 7 mijë lloje bimësh, të cilat formojnë thuajse 32% të të gjithë florës së Europës.