Aktualitet

Fusha e mbetjeve në Vlorë mbetet në flakë prej 3 ditësh!

Në Vlorë, vijon prej tre ditësh zjarri në fushën e mbetjeve ndërsa tymi në formë reje po përhapet në qytetin bregdetar. Në terren punohet për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve. Në ndihmë të mjeteve të bashkisë kanë shkuar dhe forcat e ushtrisë. Kryebashkiaku Ermal Dredha tha se zjarri është vendosur nga dora e njeriut e se nisën hetimet për të gjetur autorin apo autorët.

Vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në Vlorë nuk plotëson asnjë standard. Flakët kanë përshkuar pothuajse të gjithë fushën, në një zonë të banuar, në lagjen 24 Maji, e njohur si ish-Fusha e Aviacionit. Era favorizon përhapjen e tyre dhe tymi i shkaktuar përshkruhet si mbytës.

Pasi dy ditë më parë, Policia e Shtetit arrestoi në flagrancë autorët e zjarrvënieve në Kavajë dhe në Rrogozhinë, ministri i Brendshëm, Taulant Balla rikujtoi në një reagim se zjarrvënia e qëllimshme është një krim i rëndë dhe dënohet deri në 15 vite burgim.

Policia dhe strukturat e tjera vartëse të saj, do të kenë tolerancë zero në këtë drejtim.

Gjithashtu, Balla i bëri një apel të gjithë qytetarëve, që të sinjalizojnë Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Zjarrfikës, për të identifikuar autorët dhe për të ndihmuar në eliminimin e rrezikut që në momentet e para.

Policia identifikoi dhe vuri në pranga dy autorë të dyshuar të zjarrvënieve në Golem e Rrogozhinë, të enjten. Si pasojë e zjarreve u rrezikuan banesa, si dhe u dogjën parcela të mbjella me ullinj e pemë të tjera frutore krahas sipërfaqeve pyjore në fshatrat Zigxhafaj e Sineballaj.

Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve dhe shërbimeve të Forcës së Sigurisë Kombëtare, të asistuar nga një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, mundësoi neutralizimin e flakëve dhe shpëtimin e banesave.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale të menjëhershme, të kryera nga shërbimet e Policisë  me qëllim përcaktimin e autorësisë së 2 rasteve të zjarrvënies në fshatrat Zigxhafaj dhe Sineballaj u arrestuan shtetasit: B. H., 60 vjeç, banues në fshatin Zigxhafaj, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij, për të djegur mbeturina, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë rrezikuar banesa në zonë, janë djegur sipërfaqe toke të mbjella me ullinj dhe pemë frutore, si dhe janë djegur sipërfaqe pyjore.

Si dhe shtetasi Z. S., 58 vjeç, banues në fshatin Sineballaj, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij, për të djegur mbeturina, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke e mbjellë me ullinj.

Neutralizimi i flakëve dhe shpëtimi i banesave janë bërë të mundur si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve zjarrfikëse dhe atyre të Forcës së Sigurisë Kombëtare, me asistimin e një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Policia e Shtetit apelon sërish për qytetarët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarr, pasi reagimi i Policisë për arrestimin e autorëve do të jetë i menjëhershëm, konform parashikimeve të Kodit Penal për këtë krim.