Bota

Funerali i Mbretëreshës, sfidat e sigurisë në Londër!

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, tha se “varrimi shtetëror i Mbretëreshës Elizabeta e Dytë paraqet një sfidë të paprecedentë sigurie”, pasi 1 milion persona janë të pranishëm në kryeqytetin britanik.

Kanë kaluar dekada që nga koha kur ne kemi pasur kaq shumë liderë botërorë të mbledhur në të njëjtin vend. Kjo është e paprecedentë, në raport me gjërat e tjera që jemi duke trajtuar njëkohësisht.

Për Associated Press, Khan nuk përjashton idenë se mund të ketë persona që duan t’iu bëjnë keq liderëve botërorë:

Prandaj, ne po punojmë jashtëzakonisht fort… policia, shërbimet e sigurisë dhe shumë të tjerë për t’u siguruar që varrimi shtetëror të shkojë si duhet.

Shqipëria e Kosova përfaqësohen nga presidentët Bajram Begaj e Vjosa Osmani, ndërsa mes liderëve janë Joe Biden dhe Emmanuel Macron. Rusia po cilësohet e munguara e madhe, pasi për shkak të luftës në Ukrainë, nuk iu rezervua ftesë shefit të Kremlinit, Vladimir Putin. Kievi përfaqësohet me Zonjën e Parë, Olena, bashkëshortja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Ftesa nuk morën as Siria, Bjellorusia, Mianmari e Venezuela, ndërsa Kinën e përfaqëson zv.presidenti Wang Qishan. Ndërkohë, pas kritikave Princi Saudit i Kurorës, Mohammed Bin Salman u tërhoq nga pjesëmarrja dhe u zëvendësua.

Mbi 10 mijë policë janë dislokuar në Londër, për të ofruar siguri. E jo vetëm. Në detyrë janë edhe qindra vullnetarë e pjesëtarë të ushtrisë britanike. Për shkaqe sigurie, autoritetet në Londër ndaluan fluturimin e përkohshëm të dronëve, teksa drejtuesit në Aeroportin Hithrou vendosën të mos lejojnë fluturimet ajrore që mund të krijojnë zhurmë në momentet kur gjithçka është ndalur në respekt të monarkes së ndarë nga jeta më 8 shtator në moshën 96-vjeçare, pas 70 viteve mbretërim.

Tjetër sfidë e sigurisë janë edhe turmat e njerëzve. Arkëmorti i Mbretëreshës do të udhëtojë nëpër Londër në një distancë prej 32 kilometrash e në të gjitha rrugët që do të përshkojë kortezhi që e shoqëron janë ngritur barriera. Pas tyre do të grumbullohen qindra mijëra vetë.