Rajoni

Fundoset anija, gjenden tetë trupa të mbytur në lumin Drina!

Tetë trupa të mbytur u nxorën nga lumi Drina, pasi anija me të cilën lundronin disa migrantë, u fundos natën e shkuar gjatë përpjekjeve për të kaluar nga Serbia në Bosnje e Hercegovinë. Drejtori i Administratës Republikane për Mbrojtjen Civile në Republikën Sërpska, Boris Tërniniq, konfirmoi për REL se anija u përmbyt pranë qytetit Tegara në komunën e Bratunacit në Bosnje e Hercegovinë.

Një pjesë e migrantëve shpëtuan, dolën në breg, ndërsa pjesa tjetër jo.

Lajmi për përmbytjen e anijes u dha fillimisht nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Menjëherë pas raportimit, në vendngjarje u dërguan pjesëtarë të Policisë dhe të Departamentit për Situata Emergjente të Serbisë. Në kërkimet në lum dhe në brigje, aktualisht, janë duke marrë pjesë shërbimet e të dyja shteteve.

Sipas migrantëve që kanë arritur në breg, në anije kanë qenë rreth 25 persona, ndërsa policia dhe shpëtimtarët kanë gjetur 18 persona në breg, tre prej të cilëve fëmijë.

Sipas të dhënave që Radio Evropa e Lirë mori nga Departamenti i Policisë së Zvornikut në Bosnje e Hercegovinë, bëhet fjalë për migrantë nga Maroku. Migrantët u ndaluan në Departamentin e Policisë së Zvornikut, ku edhe u intervistuan. Policia kufitare e Bosnje e Hercegovinës tha po ashtu për REL-in se personat që tentuan t’i kontrabandonin migrantët, aktualisht, nuk dihet se kush janë.

Për të gjitha është njoftuar prokurori i Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës dhe, aktualisht, po bëhet gjithçka, për t’i vërtetuar faktet dhe për t’i marrë të gjitha masat dhe veprimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Serbia është pjesë e rrugës ballkanike përmes së cilës kalojnë migrantët, gjatë rrugëtimit të tyre drejt Evropës Perëndimore. Në dhjetë vjetët e fundit, në lumin Drina kanë humbur jetën së paku 40 migrantë që kanë bërë përpjekje ta kalojnë atë. Sipas të dhënave nga Komisariati Serb për Refugjatë dhe Migrim (KIRS), vitin e kaluar, nëpër Serbi kanë kaluar më shumë se 100.000 migrantë, që është mbi 12 për qind më pak se në vitin 2022. Numri në rënie i kalimeve të migrantëve ka vazhduar edhe në vitin 2024.