Aktualitet

Fundjava në Top Albania Radio sjell me vete…

Top Albania Radio nuk ju lë vetëm as në fundjavë! Përkundrazi, do të jeni në shoqërinë e dy ndër podcasteve më interesante. Të shtunën në orën 18:00, do të mund të ndiqni “Fol me Anila Hoxha”, ndërsa të dielën po në 18:00, rikthehet Edi Hallaçi me “Një ngjarje dy të vërteta”, lajmet kryesore e më të bujshme të muajit, por me një dozë të mirë sarkazme…

1.
Fol me Anila Hoxhën

Qëllimi kryesor i podcast-it “Fol” është jo vetëm informimi, edukimi dhe ndërgjegjësimi, por dhe një raportim më i thelluar mbi fenomene, të cilat në përditshmëri raportohen në mënyrë fragmentare. Duke parë që në radio nuk trajtohen tema të thelluara mbi drejtësinë, në fokus do të jenë qytetarët të cilët do të tregojnë përpjekjet e tyre para drejtësisë. Në podcast do të sillen histori shtetasish të cilëve jeta u mori drejtim tjetër mbas një aksidenti automobilistik, qyetetarë që ndër vite denoncuan dhe nuk u dorëzuan, histori penale të fëmijëve që përballë shifrave në rritje të përfshirjes në krim por edhe viktimizimit të tyre, do të rrëfejnë jo vetëm si u aplikua Kodi miqësor ndaj tyre, por edhe problemet sociale që i shtynë ata të përfshihen në krim. Përballë çdo historie që ka marrë vendim të formës së prerë i cili do të sillet si ilustrim për fenomene të caktuara, do të kemi gjyqtarë, që flasin për temën e sjellë, të dhëna zyrtare dhe investigime që prekin çdo fenomen.

Podcasti është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Na ndiqni të shtunën e fundit të çdo muaji, ora 18:00.

2.
Një ngjarje dy të vërteta

Kush mendon se ka një të vërtetë, gabon. Mund të ketë një diell, një hënë e qiell, por jo një të vërtetë. Jetojmë në një kohë kur secili ka të vërtetën e tij. Madje jetojmë në një kohë kur për një ngjarje ka dy ose më shumë të vërteta.

Kampionati Europian i Futbollit ‘Gjermani 2024’ është padyshim ngjarja që shënoi muajin qershor, me pjesmarrjen e Shqipërisë dhe legjendën e flokëve të Hysaj. Një “bombë” tjetër për shqiptarët ishte edhe divorci Meta-Kryemadhi i cili bart mistere dhe dritëhije të mëdha. Tashmë edhe mospërputhjet politike janë një shkak goxha i fortë për ndarjen e një çifti. Këto dhe shumë të tjera në lajmet e muajit qershor!

Na ndiqni të dielën e fundit të çdo muaji, ora 18:00.