Kjo fundjavë rikthen Maratonën e Tiranës, eventi më i madh sportiv i organizuar për të tetin vit radhazi. Për shkak se aktiviteti shtrihet në rrugët kryesore të qytetit, bashkia në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë hartuar një plan masash për devijimin e qarkullimit të automjeteve. Deri në orën 11:00, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, po zhvillohet “Maratona Fun Run”, me mbi 2000 nxënës të shkollave 9-vjeçare e të mesme të kryeqytetit. Por maratona kulmon nesër me garat në disa disiplina.
“Maratona e Tiranës 2024” do të nisë nesër (20 tetor) në orën 08:00 të paradites dhe do të zgjasë deri në orën 15:00. Ndalimi i qarkullimit të automjeteve do të bëhet deri në 11:00 nga sheshi “Nënë Tereza” deri në fundin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Ndërkohë është hartuar edhe një plan që parashikon devijimin e lëvizjes së automjeteve dhe linjave të transportit urban që operojnë brenda kryeqytetit deri në orën 16:00.
Bashkia Tiranë, në të gjithë perimetrin e garës, në funksion të sigurisë, ka vendosur sinjalistikë të përkohshme rrugore, ndalim qëndrimi dhe pushimi për mjetet (me oraret përkatëse të kufizimit), duke shfuqizuar dhe mbuluar të gjithë sinjalistikën e mëparshme rrugore.
Policia bashkiake u bën thirrje qytetarëve të Tiranës, me qëllim sigurinë e garuesve, qytetarëve, parandalimin e aksidenteve rrugore , mbarëvajtjen e Maratonës së Tiranës pa incidente, si dhe lehtësimin e trafikut në qytet: Të mos parkojnë, automjetet e tyre private, brenda perimetrit të garës, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore të vendosur dhe konkretisht në:
1- Rr. e “Kavajës” (nga fillimi deri te Poliklinika nr.9, nga te dy krahët)
2- Rr. “Ibrahim Rugova”
3- Rr. “Papa Gjon Pali II”
4- Rr. “Xhorxh W. Bush”
5- Blv. “Bajram Curri” (segmenti nga ura perballë Gjykatës së Rrehtit Gjyqësor Tiranë – ura e Rr. “Elbasanit”)
6- Blv. Gjergj Fishta (segmenti nga blv. Dëshmorët e Kombit – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë)
7- Rr. Myslym Shyri.
Të lëvizin vullnetarisht mjetet e parkuara në rrugët (e mësipërme) ku do të zhvillohet gara, nëse i kanë parkuar disa ditë më parë, pasi në të kundërt, do të spostohen me mjet ngritës, nga shërbimet policore.
Të përdorin sa më pak të jetë e mundur automjetet private, për lëvizjet e tyre, në datën 19-20 Tetor, për të lehtësuar trafikun ne qytet.
Të mos tentojnë të hyjnë me automjet brenda perimetrit të garës, gjatë zhvillimit të garës, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar, si dhe t’u binden menjëherë urdhrave të shërbimeve policore , në devijimet eventuale të trafikut që do të kërkohen.
Ata qytetarë, që do të duan të lëvizin me automjetet e tyre, që ndodhen të parkuara në brendësi të lagjeve që ndodhen brenda perimetrit të garës, duhet t’i nxjerrin ato, jashtë perimetrit, përpara orës 08:00 të datës 20 Tetor, nëse kanë planifikuar udhëtime, pasi rrugët do të bllokohen deri në orën 15:00 dhe nuk do të kenë mundësi të hyjnë-dalin me automjet, nga zona e tyre e banimit që ndodhet brënda perimetrit te garës.
Të mos tentojnë të levizin me biçikleta , monopatina, apo motore elektrike, në rrugët brenda perimetrit dhe gjatë zhvillimit të garës, pasi kjo do të jetë rreptësisht e ndaluar.
Këmbësorët , të bashkëpunojnë me shërbimet policore dhe vullnetarët, për të kaluar rrugën, në vendet e përcaktuara, pa u bërë pengesë për vrapuesit.
Lëvizja me automjet nga pjesa Lindore e Tiranës, për në pjesën Perëndimore (dhe anasjelltas), gjatë zhvillimit të garës, do të mund të bëhet vetëm në dy skajet e perimetrit të garës, dhe konkretisht në pjesën fundore të Blv. te Ri, si dhe në Unazën e Madhe të Tiranës, që kalon pranë Kopshit Zoologjik.