Trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë (FASH) kanë përfunduar stërvitjen e përbashkët ‘Dimali-24’.
Lajmin e ka bërë të ditur me anë të një postimi në rrjetet sociale Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Me anë të disa fotove të publikuara Vengu tregon se stërvitja e cila u zhvillua në Gjirokastër u realizua nga 23-26 shtator.
“395 trupa nga Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut me 58 mjete dhe një togë nga Forca e Sigurisë së Kosovës zhvilluan në datat 23-26 shtator, stërvitjen e koduar “DIMALI-24”.
Në stërvitjen që u mbajt në rajonin Arshi Lengo, Gjirokastër u testuan kapacitetet operacionale të Forcave të Armatosura të Shqipërisë për zhvendosjen dhe kryerjen e operacioneve luftarake mbrojtëse si dhe ndërveprimi me forcat e tjera.
Kjo stërvitje, ashtu si edhe stërvitjet e mëparshme shërben edhe për t’iu përgjigjur në kohë nevojave të brendshme, duke siguruar kontribute ushtarake modeste, por dinjitoze për misionet dhe operacionet e drejtuara nga NATO, Bashkimi Evropian, apo OKB.
Në ceremoninë e mbylljes së kësaj stërvitjeje mori pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneralmajor Arben Kingji, Komandanti i Forcës Tokësore, Gjeneralmajor Ilir Xhebexhija, delegacioni i FSK i kryesuar nga Shefi i Shtabit të FT të FSK Kolonel Valdet Berisha, drejtori i SHPFA Gjeneralbrigade, Aleksandër Pando si dhe përfaqësues nga SHPFA dhe komandantët e reparteve vartëse të Forcës Tokësore”, shkruan Vengu në Facebook.