Sport

FSHF-ja shpreh ngushëllime për vrasjen e 14 vjeçarit Martin Cani/Mesazhi i presidentit Duka!

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, sot shprehu ngushëllime për familjen e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili dje mbeti i vrarë pas një sherri masiv mes bashkëmoshatarësh, pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë. I mituri ishte futbollist i ekipit U-15 të Dinamo City-t. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i FSHF-së shkruan:

Miqtë e mi! Nuk do doja e nuk do dëshiroja kurrë më që të ndaja me ju mesazhe të tilla! Aq më tepër sot, për humbjen e tmerrshme të Martinit 14-vjeçar, i cili prej vitesh kishte zgjedhur si shumë shokë të tij të ndiqte pasionin për futbollin. Fatkeqësisht kjo ëndërr iu ndërpre padrejtësisht në mes.

Sinqerisht dhe tejet i tronditur, nuk gjej fjalë në këto momente për të ngushëlluar familjen dhe prindërit e djaloshit të vogël, futbollistit të ekipit U-15 të Dinamo City, Martin Cani!

Në emrin tim personal, të familjes time, si dhe në emër të komunitetit tonë të madh të futbollit, thellësisht i trishtuar nga ç’ka ndodhi e ç’ka mësuam, do të doja t’i qëndronim sadopak afër dhimbjes së madhe të prindërve, duke u përcjellë ngushëllimet tona! Zoti i dhëntë sa më shumë forcë për ta përballuar këtë këputje shpirti!

Një kampion i vogël tashmë do ta ndjekë nga lart pasionin e tij, ekipin e tij dhe shokët e tij! Ndërkohë ne si komunitet futbolli, si shoqëri, e si prindër na shtyn akoma më shumë obligimi dhe angazhimi maksimal për të qëndruar e punuar sa më shumë me fëmijët e dashur në pasionet dhe ëndrrat e tyre. Pusho i qetë Martin! Shokët dhe futbolli nuk do të të harrojnë kurrë.

Policia e kryeqytetit njoftoi se arrestoi një 14 vjeçar për vrasjen me thikë të bashkëmoshatarit Martin Cani, dje pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet. Edhe autori  mbeti i plagosur nga konflikti në rrugën “Qemal Stafa”, në Tiranë. I mituri akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.