I mbuluar me ngjyra të gjalla dhe ilustrime moderne nga muret deri në dysheme, parku 1,000 metra katrorë i artit në Taichung, në Tajvanin qendror, ka qenë shumë i dashur për përdoruesit e Instagram, falë pamjeve shumëngjyrëshe, duke tërhequr rreth dy milionë vizitorë në vit deri përpara fillimit të pandemisë Covid-19.
Njerëzit nuk e vizitojnë këtë park vetëm për anën estetike, por pëlqejnë edhe historinë e tij. Dikur, fshati ishte në prag të rrënimit, por disa piktura të thjeshta nga një veteran e shpëtuan atë dhe i dhanë një jetë të dytë, edhe më të bukur.
Veterani i kthyer në artist
Në vitin 2007, Huang Yong-fu, atëherë 84 vjeç, mësoi se shtëpia e tij do të prishej dhe toka do t’u shitej zhvilluesve. I lindur në provincën Guangdong në Kinën Kontinentale, Huang ishte vazhdimisht në lëvizje gjatë jetës si ushtar. Ai mori pjesë në Luftën e Dytë Sino-Japoneze, jetoi në Hong Kong, më pas u bë pjesë e ushtrisë nacionale në ishullin Hainan për t’iu bashkuar Luftës Civile në Kinë, përpara se të tërhiqej në Tajvan me trupat e tjerë të udhëhequr nga Chiang Kai-shek në vitin 1949, pas disfatës së tyre.
Më pas, ai vazhdoi të shërbente në një bazë ajrore në Tajvanin jugor dhe më në fund doli në pension si nëpunës në një qendër trajnimi për rekrutët në Taichung. Që atëherë, Huang Yong-fu jetonte në një fshat për ushtarakët, i cili ishte një nga shumë komunitetet e ndërtuara për të strehuar ushtarët nacionalistë që u larguan për në Tajvan, bashkë me familjet.
Për t’i dhënë lamtumirën asaj që kishte qenë shtëpia e tij për gati 30 vjet, Huang mori një furçë dhe filloi të lyente mobiljet. Imazhet lozonjare të krijesave imagjinare dhe të superyjeve vendase u sollën në jetë njëri pas tjetrit, duke filluar nga gardëroba, tavolina dhe stolat e deri te muret e jashtme dhe shtëpitë e braktisura të fqinjëve.
Ai nuk e dinte se fati i tij – dhe i shtëpisë së dashur – do të merrte një kthesë të papritur.
Kur studentët nga universitetet aty pranë zbuluan veprat e artit të Huang, fotot e ndërtesave shumëngjyrëshe u bënë virale në internet. 11 shtëpitë e zbukuruara me piktura të çuditshme u bënë shumë shpejt një atraksion i bujshëm për fotografi, nën pseudonimin “Fshati Ylber”, duke sjellë më pas fillimin e një fushate peticioni për ta shpëtuar atë nga prishja në vitin 2010.
Bashkia e qytetit Taichung gradualisht ra dakord që ta ruante fshatin siҫ ishte dhe e ktheu atë në një park publik në vitin 2014. Huang, tani 98 vjeç, i njohur me pseudonimin “Gjyshi Ylber”, u lejua të qëndronte dhe të vazhdonte rutinën e përditshme – të pikturonte fshatin dhe të përshëndeste vizitorët.
Pikturat e bekimeve
Wei Pi-ren, 68 vjeç, e ka mbështetur Huang që nga viti 2010 dhe ndan vizionin e tij për fshatin. “Ne duam që ky vend të jetë argëtues, shërues dhe romantik”, thotë ai për CNN Travel.
Për dekada me radhë, Wei ka punuar për të ruajtur kulturën e fshatrave që strehonin ushtarakë dhe ka ndihmuar veteranët si Huang për vizitat e tyre në spital. Kur vëllai i vogël i Huang nga Hong Kongu i kërkoi që të kujdesej për veteranin dhe artin e tij, Wei themeloi organizatën “Ylberi Krijues” dhe rekrutoi artistë të rinj dhe staf për të mirëmbajtur parkun.
Drejtori i artit në këtë kompani, 34-vjeçari Lin Yang-kai, ka nëntë vjet që pikturon dhe studion me Huang. Ai gjithashtu dëshiron të ndihmojë veteranin i cili “përjetoi luftëra dhe ndarje nga familja, por vazhdon të mbetet i pafajshëm dhe i pastër” që të përhapë energji pozitive përmes artit të vet.
“Dëshira e tij është e thjeshtë, – shpjegon Lin. – Ai do që njerëzit të shijojnë kohën e tyre këtu. Ata mund të bëjnë foto me këto ilustrime dhe me frazat e bekimeve në gjuhën kineze dhe t’i marrin këto kujtime të lumtura me vete në shtëpi”
Dashuria dhe familja janë tema që përsëriten shpesh në këtë fshat. Lin beson se ato pasqyrojnë atë që Huang kërkonte për një kohë të gjatë, por që “asnjëherë nuk u lejua ta kishte si ushtar gjatë kohës së luftës”.
“Muralet kanë të bëjnë kryesisht me familjen, dashurinë, suksesin, miqësinë dhe shëndetin – lumturinë e thjeshtë që ne e marrim si të mirëqenë, për të cilën nuk kemi luftuar kurrë që ta fitojmë,” thotë Lin, duke treguar ilustrimin e një familjeje të lumtur të ulur rreth një tavoline darke. “Ai gjen ngushëllim duke i pikturuar këto”.