Design

Fshati që do të përdorë materiale të lashta ndërtimi!

Ndërtimi me printera 3D është përhapur me shpejtësi, vitet e fundit, pasi zhvillimet në teknologji dhe shkencën e materialeve po mundësojnë krijimin e dizajneve madhështore dhe ambicioze. Këto struktura po ndëtohen për funksione të ndryshme. Shumica e strukturave të printuara në 3D janë ndërtuar duke përdorur beton ose substanca të tjera si çimento që janë të lira, të besueshme dhe të qëndrueshme, megjithëse pothuajse gjithmonë e shoqëruar me një gjurmë të madhe karboni.

Por një zhvillim i ri në këtë fushë mund të ofrojë një qasje më të qëndrueshme që nuk do të dëmtojë tokën. Në Kibaha, Tanzani, në perëndim të kryeqytetit Dar es Salaam, një grup arkitektësh janë të vendosur të ndërtojnë një fshat të ri për të ndihmuar dhe strehuar fëmijë nga i gjithë vendi që kanë përjetuar vështirësi ose mjedise të pasigurta në shtëpi. Fshati do të ofrojë shkollim për 480 fëmijë, si dhe akomodim, kujdes dhe trajnime. Gati 50 ndërtesa janë planifikuar të ngrihen për këtë zonë dhe toka ku do të ndërtohet do të përfshijë gjithashtu zona për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, sporte dhe zona rekreative.

Muret do të ndërtohen duke përdorur dheun e vendit dhe do të përmbajnë një rrjetë të hollë teli midis shtresave për përforcim. Dheu i përshtatshëm për printim zakonisht përmban 15% deri në 30% argjilë. Ndërtimi me dhe daton që nga parahistoria dhe ka marrë shumë forma, duke përfshirë tulla balte apo qerpiç. Printimi 3D me dhe u testua për herë të parë në vitin 2018 dhe shtëpia e parë e printuar 3D e bërë tërësisht nga dheu, e quajtur TECLA, u projektua nga Mario Cucinella Architects dhe u ndërtua pranë Ravenna, Itali në vitin 2021.

Printeri do të ndërtojë shtresa dheu të ngjeshura në kolona të lakuara dhe të ndërlidhura që lë hapësirë për dritën dhe ajrin. Këto struktura, si çdo ndërtesë e bërë pa armaturë ose korniza çeliku, mbështeten në forma të forta strukturore. Kjo shpesh nënkupton harqe apo kupola dhe shembulli më i mirë i tillë është Panteonin në Romë që mbetet ende kupola më e madhe e pambështetur në botë.