Aktualitet Politikë

“Frymëzim kuqezi”/Rama ndan videokartolinën nga takimi me shqiptarët në Selanik!

“Frymëzim kuqezi” e konsideron kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, takimin e djeshëm me shqiptarët në Selanik të Greqisë. Në rrjetet sociale, ndau videokartolinën me disa momente nga ky aktivitet ndërsa shprehu mirënjohjen për mikpritësit.

Videokartolinë nga Selaniku, si falenderim për mikpritësit e djeshëm e frymëzim kuqezi për të gjithë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Takimi që u organizua në kuadër të turit të bashkëbisedimit me diasporën, vjen pas vendosjes të së drejtës së votës për çdo shqiptar jashtë Shqipërisë. Rama vuri në dukje se për herë të parë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, shqiptarët e diasporës kanë të drejtë vote.

Shqiptarët që jetojnë në Greqi nuk kanë pse udhëtojnë drejt Shqipërisë, për të qenë në qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve. Sot jeni votues që për herë të parë gëzoni të drejtën për të votuar këtu ku jeni, nga shtëpia juaj. Ju e dini që më është dashur të përpiqem gjatë bashkë me shokët e mi, për ta bërë realitet këtë premtim të dhënë kohë më parë, që s’e mbajtëm dot më parë, se ishte e pamundur pa marrë votat e palës tjetër.

Kryeministri kërkoi votën e shqiptarëve në zgjedhjet e pranverës së ardhshme, siç tha, “për ta bërë Shqipërinë e 2030-ës, anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian”.

Kërkoj votën tuaj për t’i dhënë Shqipërisë të njëjtën mundësi që ju i keni dhënë familjeve tuaja, që të përfitojë nga jetesa brenda familjes europiane, për të bërë të mundur që së bashku me shqiptarët e Shqipërisë e kudo, të ngremë flamurin e Ismail Qemalit në Bruksel brenda kësaj dekade, vuri në dukje kryeministri i vendit.

Turin e bashkëbisedimit me diasporën, Edi Rama e nisi më 12 maj 2024 nga Athina në Greqi, për të vijuar më 26 maj në Milano të Italisë ndërsa dy shtetet fqinje kanë edhe numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë atje. Ndërkaq, më 26 tetor, kryeministri Rama ishte në Nju Jork ku dhe zhvilloi një takim me shqiptarë të Amerikës, të cilëve iu kërkoi votën në zgjedhjet e ardhshme, për të vijuar punën drejt misionit që Shqipëria të jetë vend anëtar i Bashkimit Europian.