Bota

Frikë për recesion në ekonominë më të madhe në botë, SHBA! Tronditen bursat globale, bien pikiatë!

Bota është zgjuar me frikën e një recesioni në ekonominë më të madhe të botë, një ndjesi që nuk ishte përsëritur që nga kriza globale e 2008-tës.

Dy ishin faktorët kryesorë për tronditjen e bursave globale, raporti i përmuajshëm i punësimit në SHBA që tregoi se niveli i papunësisë ishte rritur dhe raportimet financiare të gjigantëve teknologjikë si Apple, Meta, Nvidia dhe Alphabet, ku investitorët panë të qartë se i gjithë entuziazmi për integrimin e inteligjencës artificiale në produktet e tyre nuk kishte sjellë të ardhurat e pritura.

Kështu valët e goditjes së bursave nisën nga bursa e varur prej teknologjisë NASDAQ, për të vazhduar me bursën financiare të Wall Street dhe duke goditur më pas tregjet aziatike, kryesisht Japoninë, e cila pësoi edhe një forcim të monedhës kombëtare Yen kundrejt Dollarit. Në bursat evropiane efektet e goditjes janë ndjerë më pak sipas BBC, por frikërat mbeten të mëdha.

Ngadalësimi i ekonomisë amerikanë do të thotë një kërkesë më të dobët globale, marrë parasysh faktin se 1 nga 7 euro të shpenzuara në tregtinë globale bëhen pikërisht nga SHBA-ja.

Ekspertët shprehen se fajtori kryesor për rënien e bursave mbetet Banka Qendrore e Amerikës, e cila duket se nuk i ka bërë mirë llogaritë duke i mbajtur normat e interesit të larta. Arsyeja është për të luftuar inflacionin, por tani ekonomia është goditur më shumë seç duhet dhe recesioni sipas analistëve nuk është i largët. Gjiganti i teknologjisë Intel njoftoi 15 mijë largime nga kompania pak ditë më parë, ndërsa Nvdidia që u bë në një periudhë dy vjeçare kompania me vlerën më të lartë të tregut, shtyu prezantimin e çipave të saj të rinj. Tani investitorët të zhgënjyer dhe në panik, po shesin masivisht aksionet në kompanitë e mëdha teknologjike, që nisi pasi investitori më i famshëm amerikan Warren Buffett njoftoi dy ditë më parë se kishte shitur gjysmën e vlerës së aksioneve që mbante tek Apple.

Më të goditurit nga kjo janë tregjet aziatike pa përjashtim, që kishin vënë baste të mëdha mbi kompanitë teknologjike amerikane, ndërsa në Japoni bursa kryesore pësoi rënie me 12%, më e madhja që prej 2008-tës.