Bota

Frikë nga Centaurus, nënvarianti i ri i Omicron-it!

Alarmi vjen nga Britania e Madhe, por këmbanat e tij bien për të gjitha vendet. Virologët britanikë nuk e fshehin shqetësimin mbi përhapjen e Centaurus-it, emri i vënë për të identifikuar nënvariantin e ri të variantit Omicron. Zbulimi i parë i tij daton fillimin e muajit maj të këtij viti në Indi dhe që nga ai moment, zyrtarisht konfirmohet në shtete të tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Australinë, Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japoninë, Zelandën e Re, Indonezinë, Nepalin e Kanadanë.

Tom Peacock, virolog nga Imperial College i Londrës shprehet:

Eshtë fjala për mutacionin BA.2.75 të Omicron-it, pra variant i një varianti, që sigurisht përbën një kandidat potencial për të zënë vendin e BA.5.

Centaurus duket se përhapet edhe më me shpejtësi se Omicron BA.5 e mund të jetë i lidhur me sëmundje më të rëndë, ndaj për këtë arsye, mbahet nën vëzhgim të rreptë, si nga Qendra Europiane për Parandalimin e Kontrollin e Sëmundjeve, ashtu edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH. Ndërkohë, vazhdojnë studimet mbi rrezikshmërinë që paraqet.

Për “The Guardian”, virologu Tom Peacock, i cili ishte i pari që nëntorin e kaluar identifikoi Omicron-in, thotë:

E vështirë të parashikohet efekti i kaq shumë mutacioneve, që të bëra bashkë i japin virusit një agresivitet shumë më të madh krahasuar me pjesë të veçuara.

Peacock nuk ka dyshime se nënvarianti Centaurus është kandidat potencial për atë që do të vijë pas BA.5.

Nëse jo, është lloji i atyre që do të kemi më pas, më saktësisht variant të një varianti.

Një tjetër virolog britanik, Stephen Griffin nga Universiteti i Leeds-it, shprehet:

Vitin e kaluar ishim të bindur se Delta përfaqësonte një zhvillim kulmor sa i përket virusit, por shfaqja e Omicron-it dhe një sërë ndryshimet në krijimin e antitrupave është një shenjë se nuk jemi në gjendje të kemi një plan për të ecur në të njëjtin hap me evoluimin viral.

Vaksinat kundër COVID-19 të përshtatura për variantet e reja, së shpejti do të ofrojnë një mbrojtje më të mirë se aktualet”. Këtë e tha drejtori i Administratës Europiane të Përgatitjes dhe Reagimit ndaj Emergjencave Shëndetësore (HERA), Pierre Delsaux. I pranishëm në seancën e Parlamentit Europian për situatën e fundit të koronavirusit, Delsaux deklaroi se “kompanitë po punojnë për prodhimin e vaksinave me veprim të dyfishtë kundër variantit të parë dhe varianteve të tjera, duke qenë më efektive se ekzistueset”. Shqetësime ka edhe në Amerikë, të shprehura nga Shtëpia e Bardhë.