Kryeministri Edi Rama nuk pranoi të komentonte zgjedhjen e Fredi Belerit si deputeti i Parlamentit Evropian.
Nga Prishtina, ku ai mbajti një konferencë me kryetarin e Komunës së Prishtines, Përparim Rama, kreu i qeverisë shqiptare tha se “nuk kam asnjë koment”.
Pyetje: Si e komenti zgjedhjet e Fredi Belerit eurodeptuet?
Edi Rama: Nuk kam asnjë koment për këtë, jam në Prishtinë.
Kujtojmë që kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës Fredi Beleri është në mesin e fituesve nga lista e kandidatëve për eurodeputet, të Partisë “Demokracia e Re “ të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.
Në përfundim të votimeve të së dielës në Greqi për Parlamentin Europian, ai është renditur i katërti, mes 7 emrave që do të përfaqësojnë partinë e kryeministrit grek. Kjo është hera e dytë që zoti Beleri fiton zgjedhje, duke qenë në gjendje arresti.
Ndërkohë Rama më tej tha se “Për fat të keq politika e jashtme është bërë politikë e brendshme, një tendencë që thellon më shumë, që mund të sjellë më shumë vota këtu po i bën më shumë dëm Kosovës jashtë”.
Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, ka reaguar nga qelia e burgut pas publikimit të rezultateve paraprake për zgjedhjet europiane në Greqi, ku ai me shumë gjasa do të jetë një deputet në Parlamentin e ardhshëm Europian.
Teksa falënderoi të gjithë mbështetësit që i dhanë votën, Fredi Beleri shton se gjithnjë kishte besuar se drita do të fitojë mbi errësirën.
“Gjatë të gjitha muajve të aventurës sime, më jepte forcë besimi im se drita gjithmonë fiton ndaj errësirës. Dhe se forca e demokracisë mund të përmbysë çdo praktikë puçiste, mjafton që të ketë vullnet dhe besim në një qëllim më të lartë. Siç kishim ne që dhamë këtë luftë. Një luftë për demokracinë, shtetin e së drejtës, liritë dhe dinjitetin e qytetarëve.
Lufta u fitua në kushte të vështira, të paimagjinueshme për një vend që dëshiron të bëhet pjesë e familjes evropiane. Dhe u fitua. Falë nderit, patriotizmit dhe krenarisë së grekëve.
Dua të falënderoj nga zemra të gjitha greket dhe grekët që më nderuan me votën e tyre. Familjen time që u bë gjatë kësaj periudhe mbështetja dhe zëri im. Miqtë në gjithë Greqinë që qëndruan pranë meje në provën më të vështirë të jetës sime. Dhe natyrisht kryeministrin Kyriakos Mitsotakis që më dha mundësinë të jem kandidat, për të cilën do t’i jem gjithmonë mirënjohës”, shkruhet në reagimin e Belerit.
Fredi Beleri, është i treti kandidat më i votuar nga Demokracia e Re, në zgjedhjet europarlamentare në Greqi, ku duket se do të sigurojë një vend në Parlamentin Europian, pasi partia e kryeministrit grek do të përfaqësohet aty me 7 deputetë.