Aktualitet Politikë

Fredi Beleri, mediat greke sërish jehonë lejes për betimin e tij në Strasburg!

Mediat greke pasqyrojnë edhe sot lajmin se Fredi Beleri do të jetë në Strasburg, të martën e ardhshme, për të marrë pjesë në seancën plenare të Parlamentit Evropian si dhe për të marrë zyrtarisht detyrën e tij si eurodeputet. Sipas gazetës Kathimerini, “Beleri do të fluturojë për në Strasburg mëngjesin e së hënës, me një ndalesë të ndërmjetme në Athinë”.

Kathimerini thekson se autoritetet shqiptare, pas presioneve nga shumë anë, i dhanë atij një leje pesë-ditore, të cilën vetë e kishte kërkuar, në mënyrë që të shkonte në Strasburg dhe më pas të kthehej në burg për të vuajtur afatin e mbetur të dënimit, i cili përfundon në tetor.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama nuk mund të bënte ndryshe. Pas zgjedhjes së tij në Parlamentin Evropian, çështja Beleri pushoi së qeni një çështje “dypalëshe” dhe nëse nuk do të lejohej të merrte pjesë në seancën e parë do të hapej një front i panevojshëm i Shqipërisë, këtë herë me Brukselin.

Veç kësaj, rasti i aktivistes italiane për të drejtat e njeriut, Ilara Salic, e cila u burgos në Hungari dhe u zgjodh në qershor në Parlamentin Evropian, duke e detyruar kryeministrin hungarez Viktor Orban ta lironte, ishte një precedent “i freskët” dhe i fuqishëm e Rama nuk do të donte të përballej me një breshëri kritikash që në seancën e parë të Parlamentit të ri Evropian, përfundon Kathimerini.

Edhe gazeta Protothema thekson në artikullin e sotëm se vendimi i Shqipërisë për t’i dhënë një leje pesëditore nga burgu, Belerit, nuk erdhi lehtësisht, por ishte produkt i presioneve greke dhe evropiane.

Burime të gazetës shprehen se ka pasur, procese intensive nga pala greke si në nivelin më të lartë qeveritar, por edhe nga drejtuesit e Ministrisë së Jashtme, Georgios Gerapetritis dhe Alexandra Papadopoulou.

Sipas Protothemës, përpjekjet që Fredi Beleri të merrte një leje 5 ditore janë intensifikuar javët e fundit, ndërsa gjithçka është vulosur në samitin e NATO-s në Uashington. Në samit, nuk ka pasur një takim të kryeministrit Edi Rama me homologun grek, por të dy kryeministrat kanë autorizuar shefat e tyre të diplomacisë për negociata. Sipas mediave greke, dakordësia është arritur mes Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Giorgos Gerapetritis dhe homologut shqiptar Igli Hasani.

Megjithëse është shprehur kënaqësia në zyrën kryeministrore, jashtë saj nuk ka pasur diçka të dukshme sepse gjithçka ndodhi në 14 muajt e fundit, i ka çuar marrëdhëniet greko-shqiptare në një “presion të ulët barometrik”, shkruan Protothema. Ashtu si Kathimerini edhe Protothema theksojnë se Athina zyrtare ka sytë nga Himara për zgjedhjet e 4 gushtit.

Himariotët duhet të zgjedhin mes emigrantit, Petro Gjikuria, i cili u zgjodh nga përfaqësuesit e minoritetit, si dhe kandidatit të Partisë Socialiste të Edi Ramës, ish-anëtar i parlamentit e ministër, minoritarit grek nga Dropulli, Vangjel Tavo.

“Në vazhdën e konflikteve që solli çështja Beleri, çdo parashikim në lidhje me rezultatin e votimit konsiderohet jo i sigurtë”, komenton Kathimerini.

Nga njëra anë, Edi Rama shkon në kutitë e votimit pasi ka marrë tashmë të gjitha “masat” që të mos shkelë mbi rregullat e të mos nënvlerësojë kundërshtarin siç ndodhi me Belerin. Nga ana tjetër, nuk është aspak e sigurt që një pjesë e minoritetit dhe partitë opozitare shqiptare, të mund të organizojnë për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër ardhjen nga Greqia të një numri të madh emigrantësh, të aftë për të ndikuar në rezultat, thekson gazeta konservatore greke.