Udhëheqësit botërorë nga të dy anët e Atlantikut pritet të marrin pjesë sot në ngjarjet përkujtimore në Francë duke shënuar 80-vjetorin e zbarkimit të trupave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ardhja e trupave shënoi fillimin e fushatës së suksesshme për çlirimin e Europës nga Gjermania naziste.
Ndër udhëheqësit e profilit të lartë të pranishëm do të jetë edhe presidenti amerikan Joe Biden, i cili mbërriti në Francë një ditë më parë. Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky si dhe mbreti i Britanisë së Madhe Charles III dhe anëtarë të familjes mbretërore holandeze pritet të marrin pjesë gjithashtu.
Në ceremoni do të mungojë presidenti rus Vladimir Putin, i cili ka qenë i izoluar ndërkombëtarisht pasi urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022 dhe nuk u ftua të merrte pjesë në përkujtim këtë vit.
Trupat aleate zbarkuan në brigjet e Francës veriore më 6 qershor 1944, duke shënuar preludin e çlirimit të Francës dhe Europës Perëndimore nga sundimi nazist.
“Operation Neptun” – emri zyrtar i koduar i zbarkimeve në Normandi – shënoi një pikë kthese të qartë në luftë. D-Day do të mbahet mend gjithashtu për dhjetëra mijëra jetë të humbura pasi ushtarët aleatë që zbarkonin në vijën bregdetare u ndeshën me një rezistencë të ashpër gjermane.
Më shumë se 150 mijë ushtarë u nisën në Francën veriore nga Portsmouth në Britaninë e Madhe 80 vjet më parë. Forcat aleate në D-Day përbëheshin kryesisht nga trupa të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Polonisë dhe Francës.
Festimet përkujtimore do të zhvillohen në Saint-Laurent-sur-Mer, i njohur si Omaha Beach.