Sport

Franca mirëpret Lojërat Paraolimpike, marrin pjesë 4400 atletë nga 185 vende të botës!

Pas triumfit të Lojrave Olimpike, Parisi ndezi sërish flakën për të pritur “Paraolimpiadën” që kthehet në Evropë pas 12 vitesh. Edicioni i 17-të do të sjellë 12 ditë garash nga 28 gushti deri më 8 shtator, ku në fushë, pista vrapimi, pishina dhe tapete do të zbresin 4400 atletë paraolimpikë nga e gjithë bota. Lojërat Paraolimpike janë kthyer në një nga eventet më të mëdha sportive, ndërsa kanë tërhequr gjithmonë e më shumë interesin e publikut.

Ky turne nuk lidhet thjesht me rezultatet sportive apo rekordet, por është një mundësi për të tërhequr vëmendjen e botës te njerëzit me aftësi ndryshe, teksa pas suksesit të Lojërave Olimpike “Paris 2024”, edhe ky organizim pritet me shumë entuziazëm nga organizatorët francezë.

Programi i Paraolimpiadës parashikon 22 sporte, 23 disiplina të ndryshme dhe 549 eventeve të shpërndara në 12 ditët e ardhshme. Ceremonia e hapjes do të zhvillohet mbrëmjen e 28 gushtit në zemër të Parisit mes “Champs-Elysees” dhe “Place de la Concorde”, teksa edhe njëherë Fshati Olimpik do të hapë dyert për 4400 atletët, 2500 shoqërues nga 185 vende të ndryshëm të botës. Ashtu si në Lojrat Olimpike ceremonia e mbylljes do të zhvillohet më 8 shtator në “Stade de France”, ndërsa organizatorët parashikojnë që garat të ndiqen nga 2,8 milionë spektatorë.

Me përfundimin e Lojërave Olimpike, Parisi po përgatitet të mbajë Lojërat Paralimpike. Më shumë se 4,000 atletë me aftësi të kufizuara së bashku me dhjetëra mijëra spektatorë do të ndjekin garat nga 28 gushti deri më 8 shtator. Autoritetet olimpike lavdërojnë Parisin për hapat që ka marrë për ta bërë qytetin me qasje për të gjithë. Aktivistët për të drejtat e këtij komuniteti megjithatë thonë se duhet bërë shumë më tepër, në të gjithë Francën, për të ndryshuar infrastrukturën dhe mentalitetin.

Dita e Franck Maille-s, një person me aftësi të kufizuara, fillon duke u nisur nga shtëpia e tij në periferi të Parisit në pjesën lindore të qytetit. Stacioni i trenit afër shtëpisë së tij mund të përdoret me lehtësi nga personat me aftësi të kufizuara, por kapja e një treni periferik, i njohur në Francë me inicialet RER, nuk është një gjë e lehtë.
“Të kesh qasje nënkupton autonomi të plotë për të shkuar nga një vend tek tjetri. Kur njerëzit thonë se Parisi ofron qasje për personat me aftësi të kufizuara, unë e di që kjo nuk është e vërtetë”-thotë për Zërin e Amerikës, Maille.