Bota

Franca me qeveri të re, por jo me perspektivë të qartë!

Pas tre muajsh e gjysmë krize politike, më në fund Franca ka një qeveri të re. Pallati Élysée njoftoi emrat e më shumë se 30 ministrave dhe sekretarëve të shtetit, dje në mbrëmje. Të gjitha pozicionet kyçe do të plotësohen nga fytyra të reja, me përjashtim të Sebastien Lecornu-së, i cili do të vijojë të mbajë postin e tij si ministër i Mbrojtjes.

Jean-Noel Barrot do të jetë ministër i Jashtëm, Bruno Retailleau, ministër i Brendshëm. Antoine Armand do të jetë përgjegjës për çështjet ekonomike dhe financiare në Francë.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse ky zhvillim do t’i japë fund krizës politike që ka mbërthyer Francën që nga fillimi i verës dhe se sa do të zgjasë qeveria e re.

Situata politike në Francë mbetet paradoksale. Edhe pse aleanca e krahut të majtë i fitoi papritur zgjedhjet e parakohshme parlamentare pak më shumë se dy muaj më parë, tani vendi po drejtohet nga një qeveri e qendrës së djathtë nën udhëheqjen e Barnier-it një figurë konservatore, në të cilin kampi i krahut të majtë nuk po luan një rol dominues.

Barnier i kërkoi qeverisë së tij të fillonte punën pa humbur kohë. Mbledhja e parë e kabinetit qeveritar është caktuar për ditën e nesërme. Presidenti francez, Emmanuel Macron e emëroi politikanin veteran 73-vjeçar Barnier mbi dy javë më parë, pas shumë hezitimesh. Ai shprehu besimin se Barnier, ish-shef negociator i Bashkimit Europian për BREXIT-in, (daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja) do të përdorte aftësitë dhe talentin e tij negociues për kompromis, për të gjetur mjaftueshëm partnerë në një qeveri të aftë për veprim.

Nga ana tjetër, dihet se qeveria e Barnier-it nuk do të mund që të ketë një shumicë absolute, që mund të zbatojë thjesht axhendën politike të shefit të Elizesë, Emmanuel Macron. Vlerësohet se Michel Barnier do të ketë nevojë për mbështetjen e partnerëve të ndryshëm, në periudha të ndryshme në qëllimin për të çuar përpara axhendën e tij dhe gjithashtu për miratim të heshtur nga Tubimi Kombëtar (RN) i politikanes nacionaliste të krahut të djathtë, Marine Le Pen.