Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Polonisë shprehen të shqetësuar lidhur me gjendjen politike në Gjeorgji. Edhe këtë javë, disa mijëra gjeorgjianë kanë dalë në rrugët e kryeqytetit Tbilis për të protestuar kundër rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar duke akuzuar partinë në pushtet, Endrra Gjeorgjiane për vjedhje votash. Kjo forcë politike e afërt me Moskën, është në pushtet që nga viti 2012 e pretendon se më 26 tetor fitoi 54% të votave.
As presidentja proeuropiane e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve, duke thënë se ka pasur manipulime të mëdha dhe ndërhyrje nga Rusia.
Në një komunikatë të përbashkët, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz, si dhe kryeministri polak Donald Tusk, thanë se nuk mund të mbështesin hapjen e negociatave për anëtarësim të Gjeorgjisë në Bashkimin Europian, nëse vendi nuk bën reforma.
Në rast se Gjeorgjia nuk largohet nga kjo rrugë që ka ndërmarrë dhe nuk dëshmon se po bën përpjekje të qarta për reforma, posaçërisht duke shfuqizuar legjislacionin e fundit që bie ndesh me vlerat dhe parimet europiane, atëherë ne nuk do të jemi në gjendje ta mbështesim hapjen e negociatave për anëtarësim me Gjeorgjinë.
Kjo deklaratë u publikua mëngjesin e sotëm kur rreth 50 liderë europianë do të mblidhen në Budapest për bisedime dyditore lidhur me mbështetjen për Ukrainën, emigracionin e sigurinë ekonomike po ashtu.
Në fund të tetorit, prokurorët njoftuan nisjen e hetimeve për zgjedhjet parlamentare, mes akuzave se procesi u manipulua. Me protesta në rrugët e Tbilisit, opozita ka denoncuar rezultatet që siguruan një tjetër mandat për partinë në pushtet. Prokurorët kanë thirrur për të dëshmuar presidenten e vendit, Salome Zourabichvili, e lidhur me opozitën pro-perëndimore por ajo shtroi pyetjen se përse duhet të japë dëshmi për manipulimin e zgjedhjeve?
Nuk i takon presidentit të sigurojë prova për manipulimet zgjedhore. Vëzhguesit dhe qytetarët e zakonshëm kanë treguar prova se sa masiv ishte manipulimi i zgjedhjeve. Organi hetimor duhej t’i kishte gjetur vetë provat.
Kryetarja e shtetit hodhi akuza se “Endrra Gjeorgjiane përdori një metodologji ruse për të falsifikuar disa rezultate zgjedhore”. Kryeministri Irakli Kobakhidze, anëtar i partisë Endrra Gjeorgjiane, i bëri thirrje Zourabichvili-t që t’u dorëzojë autoriteteve provat e manipulimit. Ai beson se presidentja nuk ka prova të tilla. Zourabichvili deklaroi se opozita po bën thirrje për një hetim “të kryer nga një mision ndërkombëtar me mandatin dhe kualifikimin e duhur” për të parë se si u zhvilluan zgjedhjet.