Bota

Franca fundos fushatën e Këshillit të Europës për hixhabin!

“Bukuria është në diversitet, sikurëse liria te hixhabi”. Mjaftoi kjo frazë, shoqëruar me imazhin e një gruaje të buzëqeshur por të ndarë në dy pjesë: me shaminë islamike dhe e zbuluar, që të shpërthejnë polemikat rreth fushatës së Këshillit të Europës kundër islamofobisë e diskriminimeve për motive fetare e kulturore.

Sapo në Francë u përhap online, pati një furi akuzash, nga qeveria e Emmanuel Macron-it e deri te e djathta ekstreme e Marine Le Pen-it, të gjithë dakord për të flakur në kosh, nismën e komunikimit. Në këtë mënyrë, shtynë Strasburgun të bëjë hapa pas e të anulojë postimet promocionale.

Në emër të ekzekutivit të Parisit, gishtin kundër fushatës, e drejtoi nënsekretarja e Shtetit për Rininë, Sarah El Haïry.

Thellësisht shokues imazhi i gruas së ndarë në dy pjesë!

Zëdhënësi i lëvizjes MoDem, kërkoi tërheqje totale e që fushata të mos përhapet.

E kundërta e vlerave që mbrojmë në Francë!

Kundër iniciativës së Strasburgut u lëshua gjithashtu ekstremi i djathtë francez. Kryetarja e Rassemblement National, Marine Le Pen:

Liria arrihet kur gratë e heqin plotësisht shaminë, jo e kundërta!

Polemika shkoi deri në sallën e konferencave të Komisionit Europian, meqë Brukseli ka bashkëfinancuar fushatën, edhe pse Këshilli i Europës vepron si i pavarur e në këtë rast, mban përgjegjësi për përmbajtjen e fushatës. E në fakt, Këshilli i Europës vendosi të ndalet këtu e po shqyrton mundësinë e përmirësimit të projektit.