Bota

Franca dhe SHBA-të synojnë plan armëpushimi 21-ditor Izrael-Hezbollah!

Parisi dhe Uashingtoni zyrtar po punojnë mbi një propozim për një armëpushim 21-ditor çka do të mundësonte negociatat mbi konfliktin e përshkallëzuar mes Izraelit dhe Hezbollahut që ka lënë mbi 600 të vrarë në Liban gjatë ditëve të fundit. Gjatë një takimi mbi konfliktin, kryediplomati francez, Jean-Noël Barrot i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se propozimi do të publikohej së shpejti.

Ne po llogarisim që të dyja palët ta pranojnë pa vonesë. Franca dhe SHBA-të janë konsultuar me palët lidhur me parametrat përfundimtarë për një rrugëdalje diplomatike nga kjo krizë. Lufta nuk është e pashmangshme.

Më herët sot, sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha se qeveria amerikane është “angazhuar intensivisht me një numër partnerësh për të ulur tensionet në Liban e për të punuar për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi që do të kishte shumë përfitime për të gjitha palët”.

Blinken dhe këshilltarë të presidentit Biden kanë zhvilluar takime me përfaqësues të vendeve të tjera për siguruar mbështetje për planin, ndërsa udhëheqësit botërorë takohen në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Shtetet e Bashkuara shpresojnë se një armëpushim i tillë mund të çojë në një stabilitet afatgjatë në kufirin mes Izraelit dhe Libanit. Shkëmbimet disa mujore të zjarrit mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë detyruar largimin e qindra mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre, në të dy anët e kufirit. Sulmet e kësaj jave kanë shtuar frikën për një konflikt më të gjerë rajonal.

Këshilltari i shefit të Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan dhe këshilltarët e lartë Brett McGurk e Amos Hochstein u takuan në Nju Jork me aleatët amerikanë në Lindjen e Mesme dhe kanë qenë në kontakt me zyrtarët izraelitë lidhur me propozimin në fjalë, siç vuri në dukje një nga zyrtarët amerikanë.

Një zyrtar izraelit, i cili nuk pranoi të identifikohej u shpreh për mediat se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka rënë dakord në lidhje me përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme, por vetëm nëse akordi përfshin kthimin e popullsisë izraelite në shtëpitë e tyre. Po ashtu, një zyrtar libanez i cilësoi përpjekjet për ndalimin e luftimeve si shumë serioze