Një foto së fundmi ka fituar një prej çmimeve më prestigjioze, “Sony World Photography”, por artisti ka refuzuar që ta pranojë pasi kjo foto nuk është origjinale, por krijim i inteligjencës artificiale. Fotografia e krijuar nga inteligjenca artificiale fitoi çmimin e parë. Artisti gjerman Boris Eldagsen tregoi se përdori këtë imazh për të testuar konkurrencën, si dhe për të ndezur një diskutim për të ardhmen e fotografisë.
Me anë të një reagimi, Eldagsen falënderoi jurinë që përzgjodhën imazhin e tij, duke e cilësuar si një moment historik, teksa shtroi pyetjen nëse ndonjë nga anëtarët e ka kuptuar që është produkt i inteligjencës artificiale. Eldagsen tha se:
Imazhet e AI dhe fotografia nuk duhet të konkurrojnë me njëra-tjetrën në një çmim si ky. Ata janë entitete të ndryshme. AI nuk është fotografi. Prandaj nuk do ta pranoj çmimin.
Organizatorët e eventit thanë se e njohin rëndësinë e kësaj teme dhe ndikimin e saj në krijimin e imazhit sot, por theksuan se çmimet gjithmonë kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë një platformë për të përkrahur përsosmërinë dhe aftësinë e fotografëve dhe artistëve që punojnë në terren.
Kjo nuk është hera e parë që një produkt i inteligjencës artificiale fiton një çmim në një konkurs fotografie. Hera e fundit ndodhi në SHBA, shtatorin e kaluar dhe kjo ka rindezur një debat shumë të fortë. Chatbot-et e inteligjencës artificiale kanë shfaqur një aftësi të frikshme për të njollosur reputacionin dhe për të akuzuar njerëzit e pafajshëm për krime me potencialin për të nxitur kaosin ligjor.
Ndërkaq, shefi ekzekutiv i Google Sundar Pichai është shprehur se inteligjenca artificiale mund të rezultojë shumë e dëmshme nëse zhvillohet në mënyrë të gabuar. Po ashtu, ai bëri thirrje për një kuadër rregullator për inteligjencën artificiale, të ngjashme me atë për kontrollin e armëve bërthamore.