Personi në foto është Aldi Zonja, një ndër “kokat” kryesore të financimit dhe organizmit të një laboratori droge, në fshatin Qerekë të Fushë Krujës.
Zonja kishte shkuar në Amerikën Latine me vizë turistike dhe më pas ishte bllokuar atje për shkak të pandemisë. Gjatë kohës së qëndrimit në Amerikën Latine, 37-vjeçari ka krijuar njohje me trafikantë droge dhe kështu ngritën skemën e mirëfilltë për të trafikuar lëndën narkotike. Ai është djali i gazetarit Artur Zonja dhe këngëtares së njohur Afërdita Zonja.
37-vjeçari, i përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme shfaq në rrjetet sociale një jetë luksoze. Në një nga fotot e postuara ai shihet në një jakuzi në një resort në breg të detit, ndërsa në një tjetër shihet me një tjetër trafikant të arrestuar, pjesë e grupit, Artion Çaushllari. Nuk mungojnë fotot as nga skitë, makinat e shtrenjta, orat apo drekat e darkat.
Të përfshirë në këtë grup janë edhe Klajd Birce, Ismail Abdurramani, Baki Huqi dhe Endi Sejdini. Ky i fundit është personi që kishte në pronësi ndërtesën ku u ngrit laboratori.
Hetimi i SPAK zgjati për disa muaj, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar u gjetën sasi kokaine, përzierës kimikë, objekte të specializuara për fshehjen e drogës, pajisje laboratorike, shuma parash dhe mjete transporti të përdorura për veprimtarinë kriminale.
Trafikantët kishin zgjedhur Qerekën në Fushë Krujë për përpunimin e kokainës, por kishin dhe ambiente ndihmëse në Tiranë dhe Durrës, si pika strategjike të infrastrukturës kombëtare.
Sipas informacioneve, zona ku ndodhej laboratori i drogës ishte zgjedhur jo rastësisht pranë aeroportit të Rinasit, pasi ishte e vështirë të kontrollohej me dron për shkak të fluturimeve të shumta.
Pranë aeroportit më të madh të vendit, dhe portit të Durrësit, këto zona vështirësonin monitorimin nga ajri prej agjencive ligjzbatuese, dhe nga ana tjetër lehtësonin transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimike, duke siguruar një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Përzgjedhja e këtyre lokacioneve tregon qartazi një planifikim të kujdesshëm, ku distanca e afërt me nyjet kryesore të logjistikës kombëtare ishte një faktor kyç për funksionimin pa ndërprerje të këtij rrjeti kriminal.
Në total SPAK deklaron se sekuestroi 48 tonë, të tretur në 850 lëkurë të kriposura që ishin importuar në Shqipëri. Për ta nxjerrë përmbajtjen narkotike nga lëkurë e gjethëve udhëtuan drejt kryeqytetit shqiptar 3 shtetas të huaj, dhe konkretisht kolumbiani Hiulen Narvarez, Joze Vasquez dhe Samuel Serrano nga Venezuela.