Turma të ngjeshura njerëzish para bashkisë së Pamplona tundnin sot njëherazi shamitë e kuqe të festivalit të demave në San Fermin. Eventi njihet si “festa më e bukur e Spanjës” prej atmosferës dhe energjisë së njerëzve, të bashkuar e ngjeshur me njëri-tjetrin në shesh, në ceremoninë e hapjes, dhe më pas me vrapimet tradicionale të demave.
Pjesëmarrësi i rregullt Jean Guicherd, tregonte për atmosferën elektrizuese në shesh:
“Edhe unë që jam i rëndë, më dukej sikur turma më mbante në ajër, sepse të gjithë kërcenin, të gjithë të shtynin. Sado që përpiqesh të rezistosh bëhesh njësh me turmën, me lëvizjen, është e papërshkrueshme. Je një me të gjithë edhe pse askush nuk e bën qëllimisht, është natyrale. Është një turmë që të bën të ndjehesh sikur je në ujë, por në fakt është një det njerëzish”, tha Guicherd.
Studentja 19-vjeçare Iranzu Arozarena, shtonte se në hapjen e San Fermin asnjë nuk është i huaj me njëri-tjetrin, ngado që të vijnë e kushdo që të jenë. Roy Van der Loos, turist nga Holanda tha për rrjetin AFP se pëlqen këngët e brohorimet e tufave të ngjeshura të njerëzve.
“Është shumë bukur, sidomos kur të gjithë kërcënonin e këndonin dhe të tjerë hidhnin Sangira mes turmës”, tha ai duke iu referuar pijes tradicionale alkoolike të eventit.
Amaia, turiste nga Buñuel gjithashtu tha se pëlqente atmosferën e vllazërisë së eventit.
“Njerëzit e përjetojnë në mënyra të ndryshme, por ngjitur me ty mund të kesh njerëz nga Korea, nga Zelanda, nga Toledo, është diçka unike, një sens i pabesueshëm uniteti mes njerëzve”.
Festivali i San Fermín është një festë një-javore me rrënjë historike që mbahet çdo vit në qytetin e Pamplona, Navarra, në Spanjën veriore. Festimet fillojnë në mesditën e 6 korrikut dhe vazhdojnë deri në mesnatën e 14 korrikut.