Aktualitet

FOTO: Automjete të dëmtuara në Shkodër, moti i keq rrëzon dhe pemët!

Moti i keq me reshje shiu dhe erëra të forta ka përfshirë territorin e Bashkisë Shkodër që prej mbrëmjes së djeshme.

Si pasojë e këtyre kushteve të vështira atmosferike, janë evidentuar disa dëme në unazën perëndimore të qytetit, ku disa pemë janë rrëzuar. Një prej tyre ka rënë mbi një automjet të parkuar, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.

Drejtoria e Shërbimeve dhe Punëve Publike ka qenë në terren që në orët e para të mëngjesit, duke punuar për pastrimin dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara nga moti i keq.

Moti i keq, pritet të shoqërojë Shkodrën edhe gjatë fundjavës.

Sot, vendi ynë do të jetë në ndikim të kushteve atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet të jetë kryesisht i vranët. Reshjet e shiut pritet të jenë prezente që në orët e para të ditës në pjesën më të madhe të vendit me intensitet të ulët deri mesatar, në veriperëndim reshjet e shiut lokalisht pritet të jenë me intensitet deri të lartë.

Gjatë ditës reshjet e shiut do të mbeten prezente të herëpashershme në pjesën më të madhe të vendit. Hera-herës reshje shiu në formën e shtrëngatave dhe rrebesheve afatshkurtra shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër.

Era parashikohet të jetë nga juglindja me shpejtësi mesatare deri në 8m/sek, e cila hera-herës përgjatë vijës bregdetare dhe momentin e zhvillimit të vranësirave fiton shpejtësi deri në 20m/sek. Deti i forcës 3-4 ballë.