Një foshnjë vetëm tetë muajshe u pranua në Splash, një klinikë për fëmijët obezë në Somerset, Anglia jugperëndimore. “Tetë muajt janë jashtëzakonisht herët, por në atë moshë ne mund të bëjmë përparim të rëndësishëm për sa i përket mënyrës sesi ushqehen fëmijët. Është një mundësi vërtet e mirë për të ndryshuar gjërat”-tha Dr.Chris Knight.
Shumica e fëmijëve obezë që trajtohen në këtë klinikë i përkasin grupmoshës dy deri në katër vjeç dhe rreth 15% e pacientëve janë më të vegjël se dy vjeç. “Në moshën tetë muajshe, problemi është kryesisht se foshnjat konsumojnë sasi të mëdha qumështi. Fëmijët gjejnë rehati në qumësht, por marrja e tepërt mund të shkaktojë shtim në peshë”-shtoi Dr.Knight.
Peter Fleming, profesor i shëndetit të foshnjave dhe fiziologjisë zhvillimore në Universitetin e Bristolit, tha:
Nuk është e padëgjuar që foshnjat gjashtë muajshe të jenë seriozisht mbipeshë, sepse prindërit shpesh fillojnë t’u japin ushqim të fortë shumë herët.
Ndërkaq, më shumë se një miliard njerëz janë duke jetuar me obezitet në të gjithë botën, sipas gjetjeve më të fundit të publikuara në revistën shkencore Lancet. Në këto shifra përfshihen rreth 880 milion të rinj dhe 159 milion fëmijë, referuar të dhënave të vitit 2022. Shifra më e lartë është në Tonga, ku 70-80% e të rinjve jetojnë me obezitet.
Ekipet ndërkombëtare të shkencëtarëve kanë thënë se ekziston një nevojë urgjente për ndryshime masive në mënyrën e luftës ndaj obezitetit. Obeziteti mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të shumë gjendjeve serioze shëndetësore, përfshirë ato të zemrës, diabetin e Tipit 2 dhe disa lloje tumoresh.
Së fundmi një studim shqetësues ka treguar se ekziston një lidhje midis obezitetit në adoleshencë dhe rritjes së konsiderueshme të rrezikut të zhvillimit të disa llojeve të ndryshme të kancerit më vonë në jetë. Rezultatet e hulumtimit tregojnë se djemtë që ishin mbipeshë ose obezë kur ishin 18 vjeç kishin një rrezik në rritje për të zhvilluar deri në 17 lloje të ndryshme kanceri më vonë në jetë. U ekzaminua lidhja e rritjes së peshës trupore dhe aftësisë së reduktuar aerobike në atë moshë me ekspozimin e mëvonshëm ndaj kancerit.