Në prag të ndeshjes së fundit të të Ligës së Kombeve dhe ndoshta të fundit të tij nën drejtimin e skuadrës KuqeZi, trajneri i përfaqësueses Edoardo Reja rikthehet në klasiken e tij 3-5-2 me një sërë ndryshimesh krahasuar me ndeshjen e pak ditëve më parë në Tel Aviv.
Sipas gjasave, nisur edhe nga seancat e fundit stërvitore në prag të kësaj ndeshjeje, sulmi do t’i besohet dyshes Uzuni-Cikalleshi, duke lënë në stol të paktën për fillimin e takimit Armando Brojën.
Problemet e Arlind Ajetit në ndeshjen ndaj Izraelit ndoshta do ta lënë jashtë për këtë takim e si rrjedhojë trajneri italian ka vendosur të tërheq në qendër të mborjtjes Klaus Gjasulën, një pozicion që ai e bën shpesh në klubin e tij, ndërkohë që trehen e mbrojtjes e plotëson me Veselin dhe Ismajlin.
Lajmi i mirë është aktivizimi i Balliut në krahun e djathtë të mesfushës, çka tregon se e ka kaluar shqetësimin fizik që ndjeu në përballjen me Izraelin që e detyroi stafin edhe ta zëvendësonte, ndërkohë që kapiteni i ndeshjes së shkuar Elseid Hysaj do të qëndrojë pushim për të rikuperuar më tepër gjendjen emocionale se sa atë fizike pas takimit të fundit, ku rezultoi të ishte një nga pikat e dobëta të formacionit.
Sa i përket mesfushës, në qendër pritet të luajnë Ramadani dhe Abrashi, ndërsa Bajrami paksa më i avancuar duke kaluar në stol Kristian Asllanin, lojtarin e Interit i cili pavarësisht emrit të madh të klubit ku ka firmosur ende nuk e ka ritmin e lojës për shkak të mosaktivizimit, gjë që e tregoi edhe në ndeshjen e shkuar.
Shqipëria do të luaj këtë mbrëmje përballë Islandës për një objektiv moral, pa ndonjë përfitim sportiv, pasi do të synojë vendin e dytë që nuk na ndihmon as në europianin e ardhshëm, por dhe as në ndonjë klasifikim të mundshëm.
Ndeshja starton në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania” të kryeqytetit, ndërkohë për këdo që nuk do të ketë mundësi të jetë sot në stadium do të mund ta ndjekë drejtpërdrejtë në Digitalb.