Auto & Moto

Ford tërheq 49 mijë makina elektrike Mach-E nga Amerika!

Ford ka thënë së fundmi se do të tërheqë rreth 49,000 makina elektrike të modelit Mustang Mach-E nga tregu amerikan për shkak se një pjesë e makinës ka rrezik të mbingrohjes së pjesëve kryesore të baterisë dhe si rezultat i saj mund të çojë deri në humbje të fuqisë shtytëse.

Ford tha se do ta zgjidh këtë çështje e cila përfshin modelin Mach-E, model i cili filloi të prodhohej nga fundi i majit 2020 deri në fund të majit 2022 me një përditësim të softuerit gjatë muajit të ardhshëm. Këto makina nuk do të mund të shiten deri sa të përfundojë përditësimi i softuerit të tyre.

Kompania Ford bëri ndërkaq me dije se:

Mbingrohja do të mund të shkaktojë një qark të shkurtër dhe të deformojë sipërfaqet e kontaktit elektrik dhe do të mund të shkaktojë që çelësi elektrik të mbetet i hapur ose i mbyllur. Nëse një çelës elektrik i mbingrohur hapet gjatë ngarjes së makinës atëherë mund të çojë deri tek humbja e fuqisë shtytëse dhe automatikisht rrit rrezikun për përplasje.

Së fundmi, drejtori i përgjithshëm i Ford-it, Jim Farley, mendon se ndryshime të mëdha po vijnë në industri dhe në mënyrën se si ajo funksionon. Kjo pasi industria po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt automjeteve elektrike. Më konkretisht, siç beson ai, modeli i shitjes do të duhet të ndryshojë.

Duhet të shkojmë me çmime të panegociuara. Ne duhet të shkojmë me shitje, 100% në internet. Unë mendoj se tregtarët tanë mund ta bëjnë këtë. Por standardet do të jenë brutale. Ata do të jenë shumë të ndryshëm nga sa janë sot.