Bota

Forcat e sigurisë izraelite në gatishmëri!

Forcat e sigurisë janë në gatishmëri të lartë në gjithë Izraelin siç njoftuan ushtria dhe policia, duke parashikuar sulme të mundshme palestineze të planifikuara për 1-vjetorin e 7 tetorit 2023 kur filloi përgjakja më e rëndë në konfliktin dekada të vjetër izraelito-palestinez.

Për shtetin hebraik, sulmi i befasishëm nga grupi militant palestinez, gjithashtu një aleat i Iranit, ishte një nga dështimet më të mëdha të sigurisë për një vend që krenohet me një ushtri të fortë e të sofistikuar. Sulmi i Hamasit ndaj komuniteteve izraelite përtej kufirit të Gazës dhe më pas, fushata e pamëshirshme e Izraelit e kanë destabilizuar Lindjen e Mesme, ndërsa shkalla e vrasjeve dhe shkatërrimeve ka tmerruar njerëzit në mbarë botën.

Izraeli ka goditur rëndë Hamasin e Hezbollahun duke iu vrarë një numër të madh të liderëve e komandantëve të tyre, pjesë e “Boshtit të Rezistencës” të Iranit e që përfshin gjithashtu Houthit e Jemenit dhe grupe të armatosura në Irak që luftojnë kundër interesave të Izraelit e SHBA-ve në Lindjen e Mesme.

Fokusi i luftës është zhvendosur gjithnjë e më shumë në veri të Libanit, ku forcat izraelite kanë shkëmbyer zjarr me Hezbollahun që kur grupi i mbështetur nga Irani nisi një breshëri raketash drejt Izraelit në mbështetje të Hamasit, më 8 tetor 2023.

Ato që filluan si shkëmbime të kufizuara të përditshme zjarri, janë përshkallëzuar në bombardime të fortifikatës së Hezbollahut në Bejrut e një ofensivë tokësore në fshatrat kufitare, me qëllim çrrënjosjen e luftëtarëve të tij dhe kthimin e mijëra izraelitëve të evakuuar nga shtëpitë e tyre në veri të vendit.

Sulmet izraelite kanë vrarë mbi 1.000 vetë gjatë dy javëve të fundit, si dhe kanë detyruar mbi 1 milion persona të zhvendosen nga Libani. Përshkallëzimi ka rritur frikën se Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të përfshihen në një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Irani nisi një sulm me raketa ndaj Izraelit javën e kaluar, si hakmarrje ndaj luftimeve të tij në Liban e Gaza, ku militantët e Hezbollahut dhe Hamasit janë aleatë të Teheranit në të ashtuquajturin “Bosht i Rezistencës”. Izraeli, i cili thotë se qëllimi i tij është kthimi i sigurt i qindra mijëra qytetarëve në shtëpitë e tyre në veri të vendit, premtoi hakmarrje mes frikës se tensionet do të përshkallëzoheshin në një konflikt të përgjithshëm rajonal.