Rajoni

Forcat e shtuara në urën e Ibrit/KFOR: Pjesë e një trajnimi!

Forcat dhe mjetet e shtuara të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, të cilat u vunë re edhe ditën e sotme në urën e Ibrit në Mitrovicë, janë të përkohshme dhe pjesë e një trajnimi periodik, siç konfirmoi KFOR-i për Radion Evropa e Lirë. Në deklaratën me shkrim, misioni tha se trajnimi po kryhet “për të testuar procedurat dhe për të ruajtur standardet më të larta operacionale”.

Pa dhënë më shumë detaje rreth tij, KFOR-i deklaroi se “po e monitoron situatën e sigurisë në veri të Kosovës” dhe se “mbetet vigjilent”. Ky mision ka prani të përhershme në urën e Ibrit, që ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun e banuar me serbë.

Forca të shtuara ka pasur edhe në fundjavën e kaluar, kur misioni ka konfirmuar po ashtu se ka kryer disa trajnime. Këto zhvillime vijnë pak ditë pasi autoritetet e Kosovës kanë mbyllur pesë institucione paralele serbe në veri.

Banorët serbë të zonës, prej vitesh, kanë marrë shërbime të ndryshme në to dhe mbyllja e tyre ka shkaktuar reagim të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare kundër Kosovës. Kjo, përkundër faktit se për shuarjen e këtyre strukturave ka një marrëveshje që është arritur në Bruksel që në vitin 2013, por zbatimi i saj ka ngecur.

Bashkësia ndërkombëtare, megjithatë, kërkon që të gjitha çështjet që lidhen me situatën në veri, të trajtohen në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Në mënyrë të ngjashme ka kërkuar të trajtohet edhe çështja e hapjes së urës së Ibrit për qarkullimin e makinave, gjë të cilën Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta bëjë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se është “i shqetësuar me dhunën” dhe për “shkeljen e përsëritur të të drejtave të serbëve”. Javët e fundit, Qeveria e Kosovës nisi të paralajmëronte për hapjen e urës së Ibrit për qarkullimin e makinave. Bashkësia ndërkombëtare i kërkoi që të përmbahet nga një veprim i tillë në këto momente.