Sport

Forca shqipe/Kryeministri Rama reagon për ndeshjen me Spanjën në “Euro 2024”!

Kryeministri Edi Rama shpreh bindjen se “cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive”. Kur na ndajnë vetëm pak orë nga ndeshja Shqipëri-Spanjë, e vlefshme për “Euro 2024”-ën, Rama thekson se “askush nuk do ta besonte me mendje – me zemër tjetër punë – që në ndeshjen e tretë të grupit në “Euro 2024”, Shqipëria do të ishte ende në lojë e që ndërkohë do të ishte e treta, jo e fundit në atë që është quajtur botërisht si “grupi i vdekjes”.

Forca shqipe! Eksperienca shumë më e madhe e rivalëve në dy ndeshjet e para bëri të sajën kundër nesh, se përndryshe pozicioni ynë sot mund të kishte qenë edhe më i favorshëm. Po ky është futbolli dhe çdo pishman i sotëm është eksperiencë për të nesërmen, shkruan shefi i qeverisë. Sot përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit në një mision që në letër është 100 % i pamundur.

Por topi është i rrumbullakët dhe në darkë të 12 lojtarët kuqezinj, ata në fushë dhe lojtari ynë i 12-të në shkallët e stadiumit, një ndër më fantastikët e këtij Europiani, nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur, po vetëm duhet të luajnë e ta shijojnë deri në fund këtë moment magjik që kanë krijuar vetë, shton kryeministri.

Cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive, e cila do t’i shërbejë që të rritet, të fitojë besimin dhe personalitetin e domosdoshëm për t’u përballur me sukses në sfidat e këtyre niveleve, duke na dhuruar të tjera kënaqësi të veçanta si kjo e EURO2024-ës.

Takim me historinë! Kështu mund të quhet sfida e sotme për Shqipërinë, që do të kërkojë fitoren e kualifikimit për mes 16 më të mirave të Europës. Përballë do të jetë Spanja, një nga skuadrat më të mira në botë. La Roja e ka siguruar kualifikimin si e para e Grupit B, por kjo gjë nuk e bën më pak të rrezikshme. Kuqezinjtë e dinë mirë se një fitore në këtë përballje do t’i përjetësonte në historinë europiane.