Aktualitet

“Forbes” artikull për Tiranën: Model urban pioner dhe projekte ambicioze…

Transformi që ka pësuar Tirana në 10 vitet e fundit është pasqyruar në një artikull te Revistës së njohur Forbes, duke nisur që nga zhvillimi urbanisitik e deri tek ai kulturor.

Forbes shkruan se nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, qyteti ka përjetuar një transformim të thellë, i cili e ka bërë atë të shfaqet si një model urban pionier.  Po ashtu në artikull nënvizohet se lidershipi i Veliajt karakterizohet nga një vizion i guximshëm dhe inovativ, që synon përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shndërrimin e Tiranës në një qendër kulturore dhe turistike të klasit të parë.

Ndër projektet më ambicioze që janë përmendur në artikull janë Pylli Orbital, një nismë që përfshin mbjelljen e dy milionë pemëve rreth qytetit deri në vitin 2030  dhe tranformimi i Piramidës. Po ashtu nuk mbetet pa përmendur dhe rinovimi i sheshit Skënderbej, i shndërruar në një pedonale, sot një pikë referimi dhe pikëmbështetje e ngjarjeve kulturore.

Ndërkohë, në vitin 2025, Tirana do të jetë një nga dy kryeqytetet Mesdhetare të Kulturës dhe Dialogut, së bashku me Aleksandrinë në Egjipt. Një mirënjohje e rëndësishme e dhënë nga 43 vendet anëtare të Unionit për Mesdheun, e cila vjen pas një vlerësimi të kujdesshëm në fronte si promovimi i dialogut ndërkulturor dhe vlerat e tolerancës dhe respektit.