Aktualitet Sociale

Fondet e pensioneve private, aprovim nga AMF për materialet promovuese!

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka nxjerrë për konsultim publik projektrregulloren e re në mbështetje të ligjit “Për Fondet e Pensionit Privat”. Në bazë të kësaj rregulloreje, çdo material promovues i përgatitur nga shoqëria administruese e fondit të pensionit privat për promovimin e fondit të pensionit privat apo promovimin e shoqërisë administruese dhe i miratuar nga personi kyç i shoqërisë, njoftohet në Autoritet përpara botimit, publikimit apo dorëzimit tek publiku nëpërmjet medias së shtypur dhe/ose elektronike.

Autoriteti, brenda 15 ditëve pune nga momenti i depozitimit të materialeve shqyrton informacionin ose dokumentet promovuese për fondin e pensionit dhe shoqërinë administruese.

Në rastet kur konstaton se nuk janë respektuar parashikimet ligjore, i kërkon shoqërisë administruese të ndalojë menjëherë publikimin, shpërndarjen apo botimin e materialit promovues, si dhe të korrigjojë materialin promovues duke u shprehur për ndryshime apo përfshirjen e informacioneve shtesë.

Autoriteti ndalon materialet promovuese nëse përmbajnë vlerësime ose parashikime në lidhje me ecurinë e ardhshme të fondit të pensionit ose të shoqërisë administruese, krahasime ndërmjet fondeve të ndryshme të pensioneve ose ndërmjet shoqërive administruese të ndryshme, togfjalëshin “rezultat i garantuar”, “përfitim i garantuar”, “pension i garantuar”, “skema më e mirë e pensioneve” ose çdo formulim tjetër që mund të krijojë përshtypjen për një fitim të sigurt, deklarata nga anëtarë të mëparshëm, aktualë ose potencialë.

Në çdo rast, shoqëria administruese ndalohet të fillojë promovimin e një fondi të ri para se ky të miratohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.