Aktualitet Fol

“Fol me Anila Hoxhën” – I ndaluar në Shengen!

Shtatë vitet e fundit 47 mijë shtetas shqiptarë janë dëbuar, deportuar dhe u është vendosur ndalim hyrjeje në vendet e Europës për një periudhë të caktuar kohore. Bashkë me atë që njihet si ekspulsi apo “largimi me forcë i të huajit’ për një afat nga dy vjet, pesë dhjetë ose i përhershëm në të njëjtën kohë, në Shqipëri ka lindur një fenomen i ri. Ofrimi i shërbimeve avokatore për ta shuar dëbimin administrativ dhe gjyqësor. A është e mundur kjo?

Krenar Bardhi, avokat 

Anila Hoxha: Zoti Bardhi, ne kemi parë dhjetëra studio avokatore të cilat ofrojnë një shërbim të tillë, pra shuarjen e ekspulsit dhe heqjen e kësaj ndalese. Është e mundur të hapen procese gjyqësore në Shqipëri me këtë objekt?

Krenar Bardhi:Fillimisht, dua të sqaroj se ekspulsi është një masë ndalimi e cila jepet nga vendet e Bashkimit Europian për persona të cilët kanë thyer rregulloren e Bashkimit Europian, sa i përket hyrjeve dhe daljeve në kufijtë e jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian. Ekspulset janë kërkesa apo janë vendime të cilat atakohen vetëm në gjykatat apo vetëm në organet shtetërore të Bashkimit Europian apo të shtetit, i cili e ka dhënë ekspulsin. Gjykatat shqiptare nuk kanë kompetencë dhe juridiksion për të trajtuar këto çështje.

Anila Hoxha: Pra, shërbimet që ofrojnë shumë avokatë në Shqipëri, për fshirjen e ekspulsit, pra për fshirjen e kësaj ndalesë, deri diku mund të rrezikojë se janë oferta mashtruese?Duhet të bëjnë kujdes shtetasit shqiptarë?

Krenar Bardhi: Po, shtetasit shqiptarë nga dëshira e madhe për të udhëtuar jashtë qoftë për nevoja sociale apo për nevoja ekonomike duhet të bëjnë kujdes më studiot e avokatisë apo me avokatët me të cilët ata ndërtojnë marrëdhëniet e tyre të shërbimit. Jo, të gjitha ekspulset hiqen. 90 % e rasteve nuk hiqen përpara afatit.  Ka vetëm raste specifike të cilat janë të parashikuara në rregulloren e Shengenit, të cilat mund të hiqen. Përmend një rast, është rasti i martesave ku nëse një qytetar martohet me një shtetase të Bashkimit Europian, për shkak të lidhjes dhe krijimit të njësisë bazë të shoqërisë, e cila është familja, shteti, i cili ka dhënë ekspulsin mund të revokojë vendimin e ekspulsit para kohe. Duhet bërë kujdes, jo në të gjitha rastet mund të revokohet ekspulsi edhe me martesë. Një ndër këto raste ka të bëj kur personi ka patur rekorde të rënda kriminale të cilat përbëjnë rrezik për, le të themi, shtetin që ai ka marrë ekspulsin. Psh. nëse ai ka marrë, ka patur një vendim penal në Itali për 5 vite burgim dhe ka kërkuar me vendim gjyqësor që ky dënim prej 5 vitesh, t’i konvertohet me një ekspuls prej 10 vitesh, duhet të përfundohet detyrimisht afati 10 vjeçar sepse është vendim, i  cili ka bërë konvertimin e dënimit. Pra, rastet e ekspulseve nuk janë raste të rëndomta, siç trajtohet nga shumë kolegë të cilët do t’i ftoja të ishin të kujdesshëm me klientët e tyre duke iu thënë që “ne heqim çdo lloj ekspulsi”. Jo, nuk hiqet çdo lloj ekspulsi.

Anila Hoxha: Cila është ajo kategori ekspulsi që hiqen apo fshihen dhe si të tilla konsiderohen më tej me një afat të përfunduar mbi ndalesën?

Krenar Bardhi: Në momentin kur një qytetar i vendeve jo të Bashkimit Europian, i jepet një ekspuls, ka dy raste: rasti kur jepet nga një organ policor dhe rasti kur jepet nga një organ gjyqësor. Në disa raste ekspulsi shoqërohet edhe me një afat për largim vullnetar, pra i kërkohet, “i nderuar qytetar…,  ju kërkojmë që brenda 7 ditëve të lini territorin e shtetit gjerman, italian apo spanjoll apo çfarëdo qoftë dhe provë e daljes nga shteti konsiderohet vula në pasaportë. Afatet janë në një shkresë, pra, në një dokument që lëshohet në të gjitha rastet.

Anila Hoxha: Pra, shtetasi në fjalë është i informuar për ndalesën?

Krenar Bardhi: Patjetër, dhe në shumë raste mos me thënë që 100 % të rasteve, dokumenti është edhe në gjuhën shqipe. Pra, i ofrohet në çdo rast asistencë në gjuhën, që kupton shtetasi, i cili po dëbohet.

Anila Hoxha: Megjithatë, kemi vërejtur se në pikat e kalimit kufitar për mjaft persona edhe të deportuar apo me ndalesa të klasifikuara si “persona të rrezikshëm”, ata ndalohen në pikat kufitare për kontroll dhe nuk lejohen që të vazhdojnë udhëtimin e tyre. A është kushtetuese kjo?

Krenar Bardhi: Kjo nuk është aspak kushtetuese.

Anila Hoxha: Pse nuk është kushtetuese? Për sa kohë ka një vendim nga autoritetet e huaja, siç përmendët ju, janë gjyqësore apo policore dhe këto vendime janë në fuqi. Kanë një vlerë edhe në territorin shqiptar?

Krenar Bardhi: Shteti shqiptar në shumë raste, kur ka të bëj me marrëdhëniet me shtetet e huaja ka në një farë mënyrë një lloj servilizmi të tepruar, përsa i përket zbatimit të këtyre rregulloreve. Mund të përmend një rast ekspulsi, ku shtetas shqiptar gjatë periudhës të vitit 2020 apo 2021 nuk kanë  pasur me vete, le të themi tamponin, analizën e Covid ose nuk ka pasur me vete një shumë, le të themi që përkonte me 50 euro* ditët e qëndrimit në vendin e Bashkimit Europian. Ose nuk kanë pasur një biletë kthimi. Ose nuk ka pasur një rezervim hoteli. Në këtë rast, polici kufitar i vendit të BE ka dhënë vendimin për refuzim të hyrjes. Është shoqëruar qytetari në avion dhe është kthyer në Shqipëri. Në Shqipëri është konsideruar si “person i deportuar” dhe në rastin konkret është futur në listën e personave të cilët nuk duhet të dalin nga territori i shtetit. Pra, është vepruar në mënyrë të gabuar. Punonjësit e policisë kufitare në Shqipëri duhet të shikojnë gërmën, sepse është i ndarë në 10 paragrafe neni, që tregon gërmën nga “a deri tek h” që tregon arsyen e refuzimit të hyrjes në shtetin përkatës. Rastet e ekspulsit janë vetëm tek gërma “h”. Shikohet rëndom në pasaporta ku është “h” që tregon se ka një ekspuls apo ka një shënim në sistemin SIS 2, sepse është gjenerata e dytë e Shengenit dhe në rastin konkret,  qytetari mund të ketë gërmen “i” ose “j” që tregon psh. refuzimin e hyrjes sepse cënon sigurinë e vendit, po në këtë rast kanë qenë normat e Covidit që ishin në fuqi. Pra, qytetari nuk ka ekspuls dhe ne si kemi proceduar? Kemi proceduar, shteti në të cilën është thënë që ka ekspuls i kemi dërguar “një kërkesë për informacion”. Ka kthyer përgjigje që “në bankën e të dhënave në SIS, pra “national SIS”, apo në SIS 2 nuk ekzistojnë rekorde për këtë qytetar”.

Anila Hoxha: Që do të thotë?

Krenar Bardhi: Në rastin konkret, ne e kemi përkthyer, noterizuar dhe ia kemi dhënë punonjësve të policisë kufitare.

Anila Hoxha: Në kushtet e një ekspulsi me afat të rinovuar ka një shpresë për të gjithë ata, të cilët mund t’iu ketë mbaruar koha dhe nuk kanë informacion që është rinovuar, për shkak të kësaj burokracie?

Krenar Bardhi: Po, ekzistojnë shumë raste psh. Italia, Franca edhe ndonjë shtet tjetër e aplikon këtë lloj procedure, kur në mënyrë automatike, nëse shtetasi nuk ka patur interes për shuarjen e kësaj mase, ato e ripërsërisin. Ka patur shumë raste, kur e kanë ripërtëritur.

Anila Hoxha: Cila është zgjidhja z.Bardhi?

Krenar Bardhi: Zgjidhja gjithmonë është goditja e vendimit të ekspulsit në shtetin të cilën e ka dhënë. Ka mënyra ku mund t’i drejtohesh një shteti europian dhe ky shtet europian bën kërkesën tek shteti tjetër europian. Pra, funksionon në mënyrë të brendshme.

Anila Hoxha: Dhe kërkesa i dorëzohet vetëm institucionit që e ka marrë vendimmarjen për një ndalesë të tillë apo jo?

Krenar Bardhi: Në rregulloren e Shengenit janë të përcaktuara edhe zyrat përkatëse përgjegjëse për trajtimin e këtyre çështjeve. Janë zyra sirenë quhen ndryshe dhe përveç kësaj, në këtë rregullore përcaktohet edhe autoriteti i mbrojtjes së të dhënave personale, në të cilin nëse ti nuk merr një përgjigje pozitive mund t’i drejtohesh autoritetit për mbrojtjen e të dhënave personale, themi ndryshe për t’a apeluar, pra, në momentin kur të dhënat e tua personale nuk janë trajtuar në mënyrën e duhur nga autoriteti i mëparshëm. Pra, Bashkimi Europian e ka rregulluar këtë lloj mënyrë ku ti i drejtohesh, mbete i pakënaqur mund t’a apelosh.

Anila Hoxha: Cili është rasti më i rëndë që ju keni trajtuar në lidhje me një akt të tillë administrativ?

Krenar Bardhi: Raste ka pafund. Mund të përmend këto rastet që kanë të bëjnë me Covidin, kur qytetarët fatkeqësisht u sëmurën me Covid dhe për të marrë, le të themi, një kurë më të specializuar nuk mund të lëviznin në vendet, siç është Turqia, që në atë kohë kishte, le të themi, një përparësi në raport me Shqipërinë, në trajtimin e këtyre rasteve. Është flagrante që një qytetar të mos dali dot për shkak të një urdhëri, të mos të dali dot nga Shqipëria për të shkuar në Mal të Zi, Maqedoni, në vendet e Ballkanit. Vendet e Bashkimit Europian e refuzojnë vetë hyrjen.

Anila Hoxha: Keni patur ndonjë klient, i cili ka patur ndalesë administrative për t’u kthyer në një vend të BE, ku ka jetuar dhe është konstatuar me një urdhër dëbimi apo për një vepër penale? Dhe ndërkohë ai aty mund të ketë patur anëtarë të familjes dhe ka mbetur krejt vetëm këtu. 

Krenar Bardhi: Po, kam raste. Ishte një djalë që kishte marrë ekspulsin në Norvegji dhe atje kishte gjithë familjen.  Familjarët e morën nënën për trajtim më të specilizuar dhe ky nuk mundi dot të shkonte të shikonte nënën dhe fatkeqësisht ndërroi jetë atje dhe ishte goxha situatë e dhimbshme, ku ai nuk mund të kishte kontakte, dmth. t’a shikonte nënën apo të ishte pjesë në ceremoni mortore. Ishin të gjitha motrat, i kishte të gjithë atje.

Anila Hoxha: Të tjerë gjejnë zgjidhje të tërthorta, sikurse  mund të jenë kalim i paligjshëm i kufirit?

Krenar Bardhi: Po, ka shumë raste kështu. Ka shumë raste korrupsioni.  

Anila Hoxha: Në çfarë kuptimi?

Krenar Bardhi: Psh. ka njerëz që kanë shënimin në sistemin TIMS dhe lejohen të kalojnë nga pikat e kalimit kufitar kundrejt pagesës për t’i drejtuar vendeve të BE. Specifike janë këto raste kur nuk e kanë ekspulsin në vendet e Shengenit, por kanë këtë urdhërin e ndalimit të hyrjes apo refuzimit të hyrjes.

Mes shkaqeve të dëbimit është përfshirë edhe kërkim azili i padrejtë, dhe për rastet kur shtetasi nuk është kthyer vullnetarisht nga një vend europian, rezulton të jetë deportuar. Rastet e tjera të ekspulsit renditen kryerja e një krimi dhe dënimi për  shkelje të ligjit të kombësive të BE. Por, edhe kur jepet leje qëndrimi mbas informacionit të pasaktë tek autoritetet, qëndron në Bashkimin Europian pa leje qëndrimi ose vizë të vlefshme, nuk largohet  pavarësisht dhënies së një afati për t’u kthyer psh. mbas refuzimit për mbrojtje ose punon në vende të zonës Shengen pa patur një leje qëndrimi.

Kthehemi në studio dhe jemi me Ermal Fezgën, i cili ka një histori për të na treguar se si mori ekspuls, si u përpoq ta hiqte dhe sesi tanimë jeton në Shqipëri ndonëse koha e ndalesës është shuar.

Ermal Fezga, shtetas me ekspuls nga shteti italian dhe zvicerian, gjatë viteve 2015-2020 

Anila Hoxha: Ermal, nga cili shtet e kishe ekspulsin?

Ermal Fezga: Unë ekspulsin e kisha nga shteti italian.

Anila Hoxha: Në cilin vit?

Ermal Fezga: 22 qershor të vitit 2015, mua më kanë ndaluar në Kurt të Zyrihut, nga atje më kanë kthyer, për në Shqipëri. Tashmë kisha 3 “foglio di via”, nga shteti italian.

Anila Hoxha: Çfarë do të thotë “foglio di via”, për dëgjuesit?

Ermal Fezga: Është një letër që firmos për të lënë shtetin Italian, për t’u kthyer mbrapsht.

Anila Hoxha: Një shkresë paralajmëruese? Po, pse shteti italian të njoftonte? Në cilin qytet  ishe i vendosur? Përse kërkonte që ti të largoheshe?

Ermal Fezga: Unë isha i vendosur në qytetin e Milanos dhe më kishte mbaruar afati i qëndrimit, prej një viti në Itali. Kështu, që mbas ndalesave që na bënin nëpër qytete ose kur ktheheshim nga puna në orët e vona, na mernin dhe na mbanin 12 orë aty brenda dhe më pas na jepnin këto “foglio di via” që të shkonim të nesërmen, ose në një datë që caktonin ata për të firmosur vetë për t’u kthyer mbrapsht në atdhe.

Anila Hoxha: Po pse nuk i dije rregullat e qëndrimit në vendet e Bashkimit Europian apo e kishe të domosdoshme të punësoheshe në Itali?

Ermal Fezga: E kishim të domosdoshëm punësimin, por edhe frika se po t’u kthenim nuk kishim për t’u kthyer më, se ishte 3 muaj këtu, 3 muaj atje, ajo koha e qëndrimit me një fjalë.

Anila Hoxha: E kishe tentuar edhe më herët këtë kohën tranzitore, qëndro 3 muaj, puno tre muaj në Itali, kthehu tre muaj në Shqipëri?

Ermal Fezga: E kisha kaluar shumë herë atë afatin por ishte fati im që nuk më kishte dalë në sistem. Kam kaluar 6 muaj, 1 vit, jam kthyer dhe nuk është se më kanë thënë gjë. Herën e fundit ndoshta u bë një çik më shumë problematike, se shumë shqiptarë filluan duke ardhur dhe ndoshta them nga kjo.

Anila Hoxha: More paralajmërimet nga shteti italian dhe në këto kushte si veprove?

Ermal Fezga: Si veprova?! U mundova të rrija sa më i fshehur nëpër rrugët e Italisë se nuk kisha çfarë zgjidhje tjetër të bëja. Për t’u kthyer nuk u ktheja dot se s’kisha as punë, asnjë gjë këtu. Kurse atje isha mirë, isha në punë. Shkoja rregullisht në punë pavarësisht se ishim në të zezë.

Anila Hoxha: Ku punoje? Çfarë punoje?  

Ermal Fezga: Kam punuar në një firmë italiane, vendosnim dyer të blinduara, u merrnim me patinime, me restaurime, punë të zezë.

Anila Hoxha: U vure në dijeni për ekspulsin, pra për ndalesën apo menjëherë u zhvendose në një shtet tjetër, mbasi të dhanë paralajmërimin?

Ermal Fezga: Mbas 3 paralajmërimeve që kisha marrë nga shteti Italian, me anë të shokëve gjeta një punë tjetër në Zvicer, në Kurt, të Zyrihut, me anë të disa shqiptarëvë tanë atje, në një fabrikë druri. Mbas 3 muajve, që punova atje, ditën që po dilja me ble cigare në një dyqan që kishim afër në një market, aty më ndaluan. Më mbajtën 4 ditë paraburgim në Zyrih dhe pas 4 ditësh më sollën në Tiranë.

Anila Hoxha: Pra, u deportove?

Ermal Fezga: Po.

Anila Hoxha: Iu informuan sakaq që ju kishit edhe një ndalesë?

Ermal Fezga: Po, shteti zvicerian më solli një zarf, që më thonte “ke marrë  këtë vendim nga shteti zvicerian për këto arsye, ke edhe një gjobë prej 400 frangash”,  që e pagova edhe atë, kurse shteti italian më solli pas një viti letrën që më thonte  “për 5 vjet je i ndalur të hysh në Europë”.

Anila Hoxha: Zvicra sa e  kishte ndalesën apo e thënë ndryshe ekspulsin? Për çfarë periudhe?

Ermal Fezga: 2 vjet. Më datë 22 qershor të vitit 2015, unë erdha këtu dhe më datë 22 qershor të vitit 2017 mua më sollën një zarf ku më thonin se “për shtetin zvicerian ti je i lirë, mund të vish kur të duash si vizitor. Tani problemin e ke me shtetin italian”.

Anila Hoxha: Ekspulsin me Italinë, për çfarë periudhe ishte?

Ermal Fezga: Periudha 2015-2020.

Anila Hoxha: Dmth, e paske përfunduar.

Ermal Fezga: Është përfunduar.

Anila Hoxha: Hape ndonjë betejë gjyqësore? Tentove ndonjëherë në pikat e kalimit kufitar duke qenë se ishe i informuar që kishe 2 ndalesa, njëra me kohë më të gjatë dhe tjetra me një periudhë më të shkurtër. Tentove të kaloje ndonjëherë, psh. të udhëtoje drejt vendeve të Ballkanit apo drejt vendeve të Bashkimit Europian apo ishe i informuar?

Ermal Fezga: Të them të drejtën e kam provuar në shtetin e Maqedonisë. Aty më kanë bërë problem, më kanë mbajtur rreth 2 orë derisa më thanë që “ke probleme, nuk mund të lëmë”. Se ishte një periudhë që thoshin që nga Maqedonia, kaloje kollaj për të shkuar, ose nga Kosova. Po, nuk më kanë bërë problem më kanë mbajtur në kufi 2-3 orë dhe më kanë lënë pastaj. Kam shkuar në Maqedoni.

Anila Hoxha: Vazhdove udhëtimin?

Ermal Fezga: Po, por më tej jo. Nuk e kam provuar që të hy në Europë.

Anila Hoxha: Ndërkohë hapët ndonjë proces gjyqësor në Shqipëri apo si veprove?

Ermal Fezga: Pa mbaruar 5 vjet i ekspulsionit, me avokatin tim personal bëra një kërkesë tek ambasada italiane këtu në Tiranë, nuk ma aprovuan. Më sollën një shkresë që më thoshin “duhet të presësh datën e mbarimit të ekspulsionit që të dalësh nga sistemi i sistemit TIMS”,  që e kanë këto.

Anila Hoxha: Nuk hape proces gjyqësor?

Ermal Fezga: Nuk hapa proces gjyqësor, se nuk e pashë me interes.

Anila Hoxha: Sepse ishe i qartë që ishte një vendim dëbimi i policisë italiane apo autoriteteve të tjera?

Ermal Fezga: I policisë italiane.

Anila Hoxha: Dhe si e konsideronin ata? Pse po dëboheshe? Pse nuk lejoheshe?

Ermal Fezga: Për shkeljen e afatit të qëndrimit në shtetet e Europës.

Anila Hoxha: Çfarë pengesë të solli në mënyrën e të jetuarit, kjo ndalesë me Italinë dhe ndalesa tjetër me Zvicrën?

Ermal Fezga: Më solli më tepër për ekonominë se isha në marrëdhënie pune dhe kisha të ardhura të mira si në Itali, si në Zvicër, po si vendi jot s’ka. Kur u ktheva bëra biznesin tim, kështu që jam më i lumtur këtu në vendin tim sesa të shkoj prapë andej.

Anila Hoxha: Të doli më mirë? E ndave mendjen që nuk mund të jetoje pak këtu, pak atje?

Ermal Fezga: Shiko se edhe ato lekë që i merrje atje në fund të muajit jo qiraja, jo dritat, jo gazi, se në Itali, në Milano, nuk paguan ujë, vetëm gaz dhe drita, plus biletat e trenit. Dmth. nuk ishte se dilte ndonjë gjë në fund të muajit. Kështu më mirë këtu në shtëpi tënde, nuk paguan qira, paguan vetëm drita, ujë (qesh).

Anila Hoxha: Tanimë, që kanë përfunduar të dyja dënimet administrave për ju, ke udhëtuar? E ke provuar të udhëtosh drejt vendeve të BE?

Ermal Fezga: Po, para një muaji. Provova të shkoja në Rumani me letrën që më ka dhënë avokati, sipas procedurave që “ka mbaruar koha e ndalimit për në shtetet e BE” edhe nuk më thanë asnjë lloj problemi, si këtu në Rinas, si  në aeroportin e Rumanisë.

Anila Hoxha: Pra, mësimi i radhës që ke marrë është ky tjetri, kudo ku do udhëtosh duhet të kesh pikërisht atë shkresën që tregon “se ka përfunduar dhe ka skaduar ndalesa”.

Ermal Fezga: Po, unë atë e kisha me vete, por faktikisht nuk m’a kërkuan sepse mendoj unë ndoshta ngaqë ka kaluar shumë kohë edhe nga mbarimi i ekspulsit dhe nuk e kisha vrarë shumë mendjen e mora, lehtëshëm pas asaj.

Anila Hoxha: Je i informuar pas kësaj, se sa është koha e qëndrimit tënd në vendet e BE?

Ermal Fezga: Jo, nuk jam i informuar. Por, mendoj se është 3 muaj prapë.

Anila Hoxha: Pra, këtë e di, që në rast se do t’a përsëritësh sërish do të kesh penalitete të tillë?

Ermal Fezga: Tani nuk ma merr mendja të iki më, edhe të rri andej, se jam mirë në vendin tim.

Por, ndërkohë në gjykata dhe në prokurori deklarohet një fenomen i ri, sic është ai i ndërrimit të mbiemrit nga njëri prej partnerët që ka ekspuls. Qëllimi është të shmanget gjurmimi në kufi me shpresën se me një mbiemër që merret nga një martesë fiktive, realizohet udhëtimi përmes pikave kufitare. Jemi këtu për të folur me gjyqtarin Ervin Pollozhani për këtë problematikë, dhe disa aspekte të tjera të ekspulsit që e kanë mijëra shtetas shqiptarë.

Ervin Pollozhani, gjyqtar i Gjykatës së Tiranës

Anila Hoxha: Z. Pollozhani, mbi të gjitha, të sqarojmë si fillim çfarë është ekspulsi? Është dënim penal, është dënim civil? Çfarë është?

Ervin Pollozhani: Atëherë, ekspulsi ose dëbimi quhet ndryshe largimi me forcë i të huajve,  në rastin konkret i shtetasve shqiptarë nga territori ku ai ose ajo banon për një periudhë relativisht të shkurtër kohore ose në një kohë të parashikuar në vendimin që imponon largimin nga vendi të shtetasit përkatës. Format e ekspulsit ose të largimit të dëbimit njihen sipas kuadrit ligjor rregullator, format e ekspulsit për shkak të shkeljes administrative apo për shkak të shkeljeve që burojnë nga një proces gjyqësor.

Anila Hoxha: Nga ndryshon dëbimi gjyqësor nga dëbimi administrativ? Apo siç thatë ju, të bashkëlidhur me një proces gjyqësor që mund të jetë për shkelje të ligjeve të vendit përkatës?

Ervin Pollozhani: Akt dëbimi administrativ nga dëbimi për shkak të një procesi gjyqësor  penal në vetvete ndryshon për shkak të elementëve thelbësor që lidhen me autoritetin që jep këtë masë largimi. Arsyet respektive të dhënies të kësaj mase të largimit,në aspektin administrative, për shkak të shkeljes administrative të kryer, apo në aspektin penal,  për shkak të cënimit të një vepre penale në shtetin anëtar të BE, për shkak të pasojave të ndryshme juridike dhe për shkak të  mjeteve dhe mënyrave të mbrojtjes kundrejt këtyre  masave respektive. Krahas këtyre largimeve apo dëbimeve, për shkelje administrative, për shkak të një procesi penal, ekzistojnë edhe shkelje të posaçme “sui generis” që lidhen për shkak të rrezikut që shtetasi shqiptar në një shtet anëtar të BE paraqet për cënimin e rendit apo sigurisë juridike.

Anila Hoxha: Kush e vlerëson këtë?

Ervin Pollozhani: Kjo është edhe për shkak të sjelljes së tij të evidentimit të kësaj sjelljeje në shtetin përkatës, nisur nga rreziku potencial apo nga burimi i rrezikut të shtuar që ai shfaq si në rastin e një personi që evidentohet, si një përdorues i rregullt i lëndëve narkotike,  dhe që për shkak të kësaj sjelljeje ai mund të përbëjë rrezik për rendin dhe sigurinë juridike në atë shtet përkatës. Dhe autoritetet mbikqyrëse mund t’a vlerësojnë që mund të jetë edhe një rast oportun për të disponuar edhe me deportimin e tij, pa patur një proces administrativ të mirëfilltë për shkak të një shkeljeje konkrete apo pa patur një proces gjyqësor penal për shkak të një vepre penale të kryer.   

Anila Hoxha: Kjo dmth. që nuk është absolutisht e rëndësishme që të kesh një dënim penal si i vetmi kusht që mund të justifikojë dëbimin?

Ervin Pollozhani: Jo, domosdomëshmërisht. Ky është një nga rastet, por jo i vetmi. Sepse siç thamë mund të bëjë edhe shkelje administrative dhe tashmë në lëvizjen e lirë të qytetarëve apo edhe të mallrave, për shkak edhe të liberalizimit të vizave, shumë shtetas shqiptarë duke qenë se kapërcejnë apo tejkalojnë afatin limit që Marrëveshja  e Stabilizim-Asociimit parashikoi lidhur me afatin që mund të qëndrojnë shtetasit shqiptarë në vendet anëtare të Bashkimit Europian 90 ditor. Kjo mund të jetë një arsye për të konstatuar këtë kundravajtje administrative për shkeljen e këtij afati dhe për këtë arsye mund të largohen  shtetasit shqiptarë duke u deportuar në territorin nga i cili ai vjen, vend nga i cili ai vjen, që në rastin konkret është Shqipëria. Ndërsa, përsa i përket cështjeve penale kjo lidhet me shkeljet që ai kryen për shkak të një vepre penale sipas ligjeve të atij shteti anëtar të BE.

Anila Hoxha: Cila është ajo zgjidhja tangente që kanë gjetur shtetasit shqiptarë, në mënyrë që të mos pikasen dhe të mos zbulohen në pikat e kalimit kufitar?

Ervin Pollozhani: Përgjithësisht, në gjykatat shqiptare konstatohet që shumë shtetas apo edhe shtetase, po themi, të cilat kanë një le të themi një masë të tillë dënimi plotësuese nga autoritetet e huaja, në realitetin shqiptar ka ndodhur që janë lidhur edhe martesa me shtetase, qoftë shqiptare me shtetësi të huaja, por qoftë edhe të huaja, në territorin ku ata ndodhen dhe për shkak se kanë kryer një vepër penale apo kanë një masë administrative janë kthyer në territorin shqiptar si të deportuar edhe në këto kushte kanë filluar procedurën ligjore për të zgjidhur martesën respective, për shkak sepse kanë dashur të ndryshojnë mbiemrin që kanë patur, kur e kanë marrë në shtetin përkatës apo edhe në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Anila Hoxha: Pra, kanë marrë kanë bërë një martesë fiktive për të fituar mbiemrin e partnerit me të cilin lidhet martesa, vetëm e vetëm që të marrin një identitet “quasi” të ndryshëm që të mos gjurmohen nga policia kufitare në Shqipëri?

Ervin Pollozhani: Ekzakt, por për shkak të sofistikimit të sistemit SIS, në pikat kufitare nuk mjafton vetëm e dhëna e gjeneraliteteve, por është edhe numri personal i individit, i cili në momentin që klikohet nga oficeri i policisë jep edhe historikun e të dhënave të subjektit. Dhe në këto kushte pavarësisht kësaj tentative për këto martesa, po themi fiktive, të cilat bëhen për qëllim, për të ndryshuar gjeneralitetet me idenë që të  shmanget kjo ndalesë në kufi. Një gjë e tillë, për vite e më shumë, për shkak le të themi, të kësaj “lufte midis  personave” që tentojnë të shkelin afatin për t’u rikthyer prapë në ato vende dhe historiku, tregon që ky shtetas ka patur këtë mbiemrin për të cilën ka një masë deportimi si të tillë. Krahas kësaj pjesës së procedurës gjyqësore për këto martesa që bëhen, më tej gjykata pastaj për shkak të mungesës së bashkëjetesës e ka konsideruar edhe fiktive dhe nuk ka operuar me zgjidhje martesë, por i ka quajtur të pavlefshme këto martesa.

Anila Hoxha: Pra, ju keni vërejtur diçka të tillë gjatë shqyrtimeve gjyqësore?

Ervin Pollozhani: Po ekzakt, gjatë shqyrtimeve gjyqësore që shtetasit kanë deklaruar vetë që “unë kam lidhur martesë me një shtetase shqiptare dhe kam marrë mbiemrin e saj për shkak të dokumentave dhe për shkak të shmangies, sepse në rast të kundërt nëse do isha me mbiemrin tim mund të kisha rrezikun që të deportohesha” dhe gjykata shqiptare e ka konstatuar këtë martesë fiktive, nul, për shkak se nuk ka patur qëllim e bashkëjetesës dhe qëllimin që është. Edhe ajo që shtetasit që dëbohen apo që largohen nga një shtet tjetër këtë masë dënimi t’a vuajnë në mënyrë ligjore dhe përfundimtare dhe jo të përdoren teknika dhe taktika për t’u shmangur dhe për t’u rikthyer përsëri për t’u bërë kontigjent i një mase tjetër dëbimi nga shteti përkatës ku mund të kalojë dënimin edhe në burg pastaj, nëse ti e shkel të njëjtën masë.

Anila Hoxha: Pra, ligjvënësi ka qenë në të njëjtën frekuencë me çfarë po ndodhte në atë kohë, me dëbimet masive edhe për shkak të azilkërkimit dhe në këtë kontekst ka mbetur si zgjidhje e këtyre shtetasve pikërisht martesa fiktive.

Ervin Pollozhani: Po, edhe kjo.

Anila Hoxha: Që konstatohet më pas nga gjykata përmes kërkesave për divorc?

Ervin Pollozhani: Përmes kërkesave për divorc.

Anila Hoxha: Ka një histori që ju ka mbetur në mend, z. gjyqtar?

Ervin Pollozhani: Për çështje konkrete, sigurisht që nuk mund të flas. Por, përgjithësisht këto janë fenomene që janë hasur në procese, në vija të përgjithshme në gjykata.

Anila Hoxha: Në përfundim, e vëreni ju që ka numër të lartë kërkesash? Vazhdohet të ketë kërkesa për divorce mbas martesave të tilla, apo ka filluar edhe tregohen më të sofistikuar që të mos pranojnë se kanë bërë diçka që në fund të ditës është shkelje ligji?

Ervin Pollozhani: Vërehet një trend rënës i këtyre kërkesave për zgjidhje martese, apo  pavlefshmëri, për shkak se tashmë po ndërgjegjësohen të gjithë shtetasit shqiptarë që në momentin që kanë një masë të tillë, kufijtë apo mundësitë alternative për t’iu shmangur dënimit  janë limituar pothuajse në zero. Pasi tashmë vetë teknologjia e këtij sistemi SIS që unë e citova është e tillë që në çdo lloj mënyrë, individualizimi i shtetasve që kanë një masë deportimi është në kufijtë maksimalë të evidentimit të tyre dhe çdo lloj përpjekje për ndryshim emrash, gjeneralitetesh apo çdo lloj tjetër është drejt dështimit në kuptimin e asaj që konstatohen dhe evidentohen dhe prapë ndalohen.

Ministria e Brendshme raporton se vetëm për muajin qershor 2024 u është refuzuar azili dhe janë kthyer vullnetarisht dhe forcërisht 618 shtetas. Të deportuar konsiderohen edhe ata shtetas që përfundojnë dënimin në një nga vendet e Bashkimit Europian. Ndonëse, shifrat janë në zbritje, fakt mbetet që  shumë shqiptarë me ekspuls tentojnë të kthehen në vendet e zonës Shengen. Si zbulohen në kufi dhe cila është paketa ligjore që u jep të drejtë policisë ti kthejë pas shtetasit shqiptarë.

Përparim Dema, Shefi i Komisariatit të Policisë së Rinasit

Anila Hoxha: Zoti Dema. Ne kishim disa të ftuar të cilat na thanë se policia vepron me ndalesat dhe me kthimet pas, të shtetasve shqiptarë për shkak të një urdhëri të firmosur nga zyrtarë të lartë të ministrisë së brendshme dhe policisë së shtetit. Cila është përmbajtja e këtyre urdhërave?

Përparim Dema: Janë dy urdhëra; është një urdhër dhe një udhëzim. Urdhëri nr.641, i datës 20.12.2019, i ministrit të brendshëm ku ka kufizime për disa kategori shtetasish, kryesisht janë për shtetasit të cilët janë kthyer në kategori “deportiv”. Pra, ka shtetas të cilët janë kapur të parregullt në territor, kanë vuajtur dënimin në vendet e zonës Shengen, BE dhe mbas vuajtjes së dënimit janë dëbuar për në vendin tonë. Këta shtetas në  përgjithësi marrin një masë kufizimi hyrje në zonën Shengen quhet “ekspulsion” dhe ka edhe shtetas të tjerë, të cilët janë kapur të parregullt në territor, punësim të parregullt, qëndrim të parregullt, tentativë kalimi me dokumenta të falsifikuara drejt Britanisë së Bashkuar, kryesisht dhe kjo kategori janë përfshirë  për një periudhë të caktuar prej 3 vitesh nuk mund të dalin drejt zonës Shengen, drejt BE, pa pasur një dokument justifikues, kur të vërtetohet nga policitë e vendit ku ai është dëbuar ose nga një vend i BE, ku  nuk ka një ndalim-hyrje në zonën Shengen. Në rast se qytetari disponon një dokument të tillë të noterizuar të përkthyer në gjuhën shqipe, absolutisht ai lejohet të udhëtojë drejt destinacionit.

Anila Hoxha: Lejohen apo ndalohen shqiptarët për të udhëtuar në vendet e Ballkanit në momentin që kanë këtë ndalesë?

Përparim Dema: Kufizimi është vetëm për zonën Shengen ose shtetet e BE.

Anila Hoxha: Lejohet një shtetas shqiptar, i cili për arsye studimore, insiston të udhëtojë në një nga këto vende që ka ndalesë?

Përparim Dema: Duhet të ketë dokumente që të justifikojë qëllimin e udhëtimit, të ketë arsye bindëse për policinë kufitare.

Anila Hoxha: Si identifikohet shtetasi shqiptar, i cili është me ekspuls apo është “deportiv”. Ka një dokument, një vulë në pasaportë, apo ka sisteme të tilla që e ekspozojnë atë?

Përparim Dema: Ne kemi në evidencë të gjithë shtetasit të cilët janë kthyer në kategorinë “deportiv” në pikat e kalimit kufitar të vendit tonë, pra janë të regjistruar në sistemin TIMS. Nuk kemi akses në sistemin SIS që është sistemi ekuivalent i sistemit TIMS,  që përdoret nga vendet e zonës Shengen për disa shtete të tjera që kanë ratifikuar marrëveshjen me zonën Shengen. Të gjithë shtetasit të cilët kthehen në kategorinë  “deportim”, nga ana jonë verifikohen nëse kanë rekorde kriminale në vendin tonë, intervistohen, daktiloskopohen, fotografohen dhe bëhet e gjithë procedura dhe hidhen në sistemin TIMS, në rubrikën “të kthyer”. Dhe nga momenti që janë hedhur për një periudhë 3-vjeçare nuk duhet të udhëtojnë drejt zonës së BE, zonës Shengen. Në rast se, gjatë kësaj periudhë shtetasi tenton të udhëtojë dhe paraqet një dokument justifikues, pra që nuk ka një ndalim hyrje në zonën Shengen, absolutisht ai mund të udhëtojë. E njëjta situatë është edhe për shtetasit të kthyer në  kategorinë INAD kryesisht janë ajo kategori që janë kthyer me gërmën “h” të padëshiruar ose gërma “i” të cilët janë të rrezikshëm për rendin dhe sigurinë e shtetit që ka bërë refuzimin e hyrjes.

Anila Hoxha: Keni një shifër ju sesa është numri i shtetasve INAD mesatarisht çdo vit?

Përparim Dema: Është një numër përafërsisht 3000 -3500 shtetas çdo vit.

Anila Hoxha: Vetëm për aeroportin e Rinasit?

Përparim Dema: Nga analiza që kam bërë unë, nga viti 2013 e në vijim.

Anila Hoxha: Dispononi ju të dhëna sesa është numri i shtetasve shqiptarë që sillen mesatarisht çdo muaj apo çdo vit, që sillen  si të deportuar?

Përparim Dema: Ka qenë një numër mbi 10.000 nga viti 2016. Ka ardhur deri në 5000 -6000 në vit.

Anila Hoxha: Nga cila shtete kryesisht deportohen?

Përparim Dema: Është Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, si dhe Gjermania. Një fluturim në javë nga secili nga këto shtete vjen me shtetas të kthyer, 20-30 shtetas.

Anila Hoxha: Ka prej atyre qytetarëve të cilët pavarësisht se kanë këtë  masë ndaluese, e provojnë vazhdimisht fatin dhe tentojnë të udhëtojnë sërisht, të kthehen pas?

Përparim Dema: Ka raste sporadike, pasi të gjithë këto shtetas në moment që kthehen nga punonjës të policisë, i bëhet e qartë kjo ndalesë dalje për një periudhë të caktuar dhe dikush ndoshta nuk bindet dhe tenton.

Anila Hoxha: Cilat janë problematikat që ndeshni ju në këtë aspekt, si polici kufitare?

Përparim Dema: Duke qenë aeroporti kryesor i vendit tonë dhe me një fluks goxha të lartë, aty ka dinamika nga më të ndryshmet, ku e para është nga ana e policisë, marrja e masave për përballimin e fluksit dhe ofrimit të një shërbimi të shpejtë cilësor, duke qenë së është kontakti i parë që jo vetëm shqiptarë por edhe turistat kanë me vendin tonë dhe për të dhënë një shërbim sa më cilësor, sa më të shpejtë. Ne, prioritet kemi menaxhimin e fluksit, por kjo nuk dmth. që do të lëmë mbas dore marrjen e masave për parandalimin e veprimtarisë kriminale, goditjen e fenomeneve që ka patur ose riskut që ka aeroporti, kalimit me dokumente të falsifikuara, kalimin e mallrave kontrabandë, të Kesh-it. Ne kemi kapur shumë raste me dokumente të falsifikuara, të cilët qytetarët i kanë të fshehura tek bagazhet e stivës, ose në trup, me qëllim që t’i përdorin në një destinacion të dytë.

Anila Hoxha: Cilat janë rrugët e tjera tërthore që gjejnë qytetarët në momentin që iu ndalohet për të udhëtuar drejt vendeve të zonës Shengen?

Përparim Dema: Kryesisht me çfarë kemi informacion ne,  nga shtetasit që kthehen në kategorinë “deportiv”, ata shtetas të cilët kanë patur një ndalim daljeje, një kufizim edhe pse kanë patur një ndalim daljeje na rastis që të kthehet prapë në kategorinë “deportiv” edhe kur verifikojmë kryesisht dalin nga Kosova, nga Morina, shfrytëzojnë atë edhe si pikë kalimi duke qenë se nuk ka kufizime për të shkuar në Kosovë dhe përdorin pika tokësore, kryesisht këta që kanë probleme.

Anila Hoxha: Zakonisht, policia interviston të deportuarit. Cilat janë rrëfimet e tyre kryesore kur tregojnë pikërisht këtë zinxhirin e udhëtimit, mbasi kanë një ndalesë në pasaportë. Ata tentojnë dhe tentojnë dhe a e vëren policia që ka përsëritës? Pra, që kërkojnë të largohen doemos, pavarësisht se deportohen, pavarësisht se kanë një ekspuls me një afat 3 vjeçar, 5 vjeçar apo edhe më pak?

Përparim Dema: Konstatojmë që një kategori, që një numër të caktuar janë përsëritës, në disa raste dhe për një jetë më të mirë. Nuk ka një arsye tjetër.

Anila Hoxha: Për shkak të një kohe të gjatë që drejtoni policinë kufitare në Rinas, keni krijuar një “pamje” sesi funksionon kalimi i kufijve apo cilat janë shtigjet kryesore që përdorin qytetarët duke nisur nga një “shteg” që u përdor për një periudhë kohe, ajo e kërkimit të azilit ekonomik, politik etj. dhe deri tek largimi me gomone. Vazhdojnë të largohen me gomone shqiptarët, vazhdojnë të kërkojnë azil? Çfarë keni kuptuar ju nga intervistat që kryeni në kufi?

Përparim Dema: Ka mënyra të ndryshme, kryesisht ka qenë dhe vazhdon të jetë kalimi nga aeroportet më të mëdha të Europës, dalin nga Republika e Shqipërisë nga pikat e kalimit kufitar Rinas me dokumente shqiptare dhe të rregullt dhe kur mbërrin në një aeroport siç është  “Charles-De-Gaulle”, Paris, ai i Barcelonës ose edhe Italinë e kanë frekuentuar mundohen të ndërrojnë “gate”, me dokumente të falsifikuara. Pra, presin një biletë për një destinacion të dytë dhe ndërkohë ndërrojnë “gate” dhe mbërrijnë në Irlandë, kryesisht. Është një linjë që funksionon, me çfarë kemi ne informacion. Kohët e fundit përdorin edhe Madridin. Në një periudhë të caktuar kur filluan kjo pjesa e gomones, e pamë që kishim edhe ne, një ulje të kapjes me dokumente të falsifikuara, pasi mesa kuptuam këtyre pasagjerëve nuk iu nevojitej më një dokument për të udhëtuar, por zgjodhën një rrugë tjetër që ishte ndoshta më e shpejtë por edhe më efikase, ato me gomone.

Anila Hoxha: A ekziston risku i korruptimit të policit kufitar apo keni patur raste që keni bashkëpunuar me Agjencinë e Mbikqyrjes Policore, për të reduktuar korrupsionin në radhët e efektivëve të  policisë? Kur ata vërejnë qytetarë, të cilët përpiqen të joshin një oficer policie, pavarësisht se kanë këtë ndalesën që ai t’i lejojë dhe t’i jap dritën jeshile për të vazhduar udhëtimin drejt një vendi që i ka vendosur ndalesë.

Përparim Dema: Këto janë raste sporadike, ka patur raste që qytetarët i kanë ofruar punonjësve të policisë edhe vlera monetare janë proceduar për “mitdhënie”, ka patur edhe nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore hetime. Janë të pashmangshme. Janë pjesë e punës këto edhe pse do merren masa gjatë gjithë kohës, do dalin elementë që do e shkelin.

Anila Hoxha: Çfarë duhet të  kuptojnë dhe çfarë duhet të dinë shtetasit shqiptarë për lëvizjen e lirë? Çfarë duhet të plotësojnë ata, cilat janë kushtet që duhet të plotësojnë ata dhe cilat janë kriteret që iu ndalojnë atyre një udhëtim të lirë?

Përparim Dema: Për të udhëtuar drejt vendeve të BE duhet të respektojnë lëvizjen e lirë duke nisur që me afatet e qëndrimit, pra nuk duhet të tejkalojnë afatet mos të abuzojnë me këtë mundësi që është dhënë, duhet të kenë dokumentacionin e duhur. Pra, nëse shkojnë tek të afërmit duhet të kenë një ftesë nga njësia administrative e vendit ku shkojnë, duhet të kenë biletën e kthimit. Nëse ata shkojnë për turizëm apo për arsye të tjera duhet të kenë dokumentacionin e duhur, biletë vajtje-ardhje, hotelin, vlera monetare të konsiderueshme për ditët e qëndrimit.

Anila Hoxha: Sa është vlera monetare për një ditë?

Përparim Dema: Është në varësi të çdo shteti. Pra, në Shqipëri është 50 euro për hotelin dhe 50 euro për ushqimin, disa vende e kanë kaq. Psh. në Spanjë e kanë 275 euro ditën, pra në varësi të ekonomisë që ka vendi.

Anila Hoxha: Ka shqiptarë që kthehen sepse janë “non grata”?

Përparim Dema: Nuk kemi patur raste shqiptarësh. Ka patur raste që janë dëbuar nga Shqipëria, kanë qenë diplomatët iranianë që janë dëbuar nga Shqipëria.

Shtetasit shqiptarë mund të qëndrojnë në vendet e hapësirës Shengen për 90 ditë brenda një periudhe 6 mujore. Dhe numërimi i ditëve të qëndrimit fillon në momentin e hyrjes së parë. Mos respektimi i këtij afati passjell gjobë ose ndalim të hyrjes në këto vende që do të thotë bëhesh “I ndaluar në Shengen”. Ky ishte takimi ynë i radhës. Bashkë takohemi në 28 shtator, ora 18:00.

*Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.