Aktualitet Fol

“Fol me Anila Hoxhën” – Fëmijëri e humbur!

Do ta nisim këtë episod me emrat e 16 fëmijëve, që janë shpallur të humbur nga Interpoli. Disa prej tyre janë deklaruar të humbur mbasi njëri nga prindërit i ka rrëmbyer. Ndërsa për të tjerët nuk dihet asgjë.

Juliana Hoxha ishte shtatë vjeçe kur humbi në 1992. Xhevahir Gezdari, 12 vjeç, humbi në 1995. Djali i një zyrtari të antiterrorit në shërbimin sekret,  Julian Çela 10 vjec u deklarua zyrtarisht i humbur në 2013, Eva Dumani  në 2014 ishte 9 vjeç, u rrëmbye bashkë me të vëllain nga i ati duke u dërguar me luftime në Siri. Aleksandër Nikolli ishte 13 vjeç në 1998, Noel Musa, nëntë vjeç në 2019, Arisa Barçi 13 vjeçe, shpallur e humbur në 2019, 3 vjeçe, tre fëmijët Kledi, Robert dhe Amelia Peshpali përkatësisht përkatësisht  12, 11 dhe 4 vjeç u deklaruan të humbur nga Interpol në 2019. Artur Carja ishte nëntë vjeç kur u shpall i humbur, Blerta Selaj humbi në 1999 dhe ishte tre vjeçe, Bleona Mataj ishte 6 vjeçe dhe u deklarua e humbur në 2010, Elson Lleshi 10 vjeç humbi në 2009 dhe dy fëmijët Jon dhe Janina Gashi 6 dhe 4 vjeç u futën në listën e interpolit si të humbur në 2015.

Do ndjekim rrëfimin e nënës së Xhevahirit, nga fshati Tagan e cila për 29 vjet nuk ka ndalur së kërkuari fëmijën që e nisi për në shkollë dhe që kurrë nuk u kthye.

Anila Hoxha: Si quhesh?

Vera.

Anila Hoxha: Sa vjeç ishte djali kur u zhduk?

Vera Gezdari: 12 vjeç.

Anila Hoxha: Si quhet djali?

Vera Gezdari: Xhevair.

Anila Hoxha: Në çfarë viti u zhduk?

Vera Gezdari: Më 5 prill, 1995.

Anila Hoxha: Çfarë mban mend nga ajo ditë? Në çfarë klase ishte djali?

Vera Gezdari: Në klasë të tretë. Çuni u nis për në orën 10. Erdhi kjo vajza (Havie, e motra e Xhevairit) prej shkolle dhe tha “ku është Xhevairi?”, se kishte datëlindjen kjo. Edhe i thashë `o  Xhevair hajde shpejt, vjen edhe Havia edhe …` `po, po mami do të vij`. Në orën 15:00 ( ora 3 e mbasdites) i lëshonte ajo mësuesja dhe nuk erdhi, nuk u kthye më po atë ditë.

Anila Hoxha: Për çfarë dyshuat ju si familje?

Vera Gezdari: Vallahi kanë kërkuar gjithandej, por nuk e di. Ka shkuar Hafuzi (bashkëshorti), edhe kjo Havi, kanë shkuar në Tiranë, kanë biseduar ku e di unë.

Anila Hoxha: Shkuat në polici të nesërmen? Çfarë shpresoje ti si nënë teksa prisje?

Vera Gezdari: Shpresoja se do të vijë, jo se do të largohet ai. Se besonim. Nuk na ka bërë vaki të na marrë dikush fëmijën.

Anila Hoxha: Kishte dëshmitarë? Çfarë treguan banorët?

Vera Gezdari: Nuk kallëzuan asnjë fjalë, nuk kanë kallëzuar.

Anila Hoxha: Kush e kishte parë për herë të fundit Xhevairin?

Vera Gezdari: Këto mësuesit kanë thënë “hajde të hymë Brenda. Ka ra poshtë se është një vjeç. Ka ra poshtë”.

Anila Hoxha: Ku po shkonte?

Vera Gezdari: Se di, a ka shkuar në shkollë. Ata thanë se nuk ka ardh, nuk ka mbërritur aty.

Anila Hoxha: Mendon se është gjallë Xhevairi?

Vera Gezdari: Besoj prej Zoti. Se prej njeriut jo. Inshallah Zotit është mirë.

Anila Hoxha: Vazhdoni kërkimet si familje?

Vera Gezdari: Vallahi e ka kërkuar kjo vajza. Unë nuk mund të shkojë. Unë jam me tension edhe nuk kam qenë mirë.

Anila Hoxha: Kur të pyesin sa fëmijë ke, sa fëmijë thua?

Vera Gezdari: 9 fëmijë kam. I ka Zoti.

Anila Hoxha: Ku përfshin edhe Xhevairin?

Vera Gezdari: Po.

Anila Hoxha: Thua që Xhevairi është gjallë?

Vera Gezdari: Xhevairi është gjallë.

Anila Hoxha: Po kush e ka rrëmbyer?

Vera Gezdari: Nuk e di, se di. Nuk i vendos akuzë kurrkujt sepse nuk e di.

Anila Hoxha: U ngrit fshati për të kërkuar në atë kohë? Prej 1995?

Vera Gezdari: Jo jo,  veçse ka ardh një shef dhe i thashë unë ‘dëgjo ju jeni shefa, i dini rrugët tuaja ku i keni dhe ku si keni, se unë nuk jam marrë me këtë punë”. Tha “oj nëne nuk e di. Edhe unë nuk di gjë”.

Anila Hoxha: Pastaj më pas, ju informuan se çfarë po ndodh?

Vera Gezdari: Mbrapa iku. Ne e kërkuam edhe tek motra në Durrës. Nuk ishte kurrkund as tek motra. E kërkuam nëpër Tiranë. Ku të shkonim. S’dinim gjë. Se di. Sesi është puna. A ka ndodh në shkollë, a ka shkuar në shkollë, a nuk ka shkuar në shkollë. Nuk e di kush.

Anila Hoxha: I pyetët banorët, i pyetët mësuesit?

Vera Gezdari: Ne i pyetëm mësuesit.

Anila Hoxha: E ke parë ndonjëherë në ëndërr djalin?

Vera Gezdari: Vallahi jo.

Anila Hoxha: Që kur është zhdukur?

Vera Gezdari: Jo jo, asnjëherë. Se nuk më del sesi qaj dhe nuk del. Fëmijë se nuk i ka shkuar…

Anila Hoxha: Brenga jote më e madhe është se nuk di se çfarë ndodhi me djalin?

Vera Gezdari: Po, po. Brenga e madhe është shumë e zorshme kjo, se ti thuash të vijë çuni. Kjo është puna, veçse inshallah të vijë çuni se kjo është.

Anila Hoxha: Ende shpreson? Megjithëse nga 1995 deri sot në 2024 nuk ka asnjë shenjë për të?

Vera Gezdari: Jo, jo asnjë.

Anila Hoxha: Çfarë ke besuar gjatë këtyre viteve? Fëmijët e tjerë u rritën, krijuan familje, gëzoheshe natyrisht për jetën e fëmijëve të tu.

Vera Gezdari: Vendosja psh. bukën, sofrën, bëja festa, lugën atij ia vendosja, pjatën atij. Nuk ishte ai.

Anila Hoxha: Prej sa vitesh e ndoqe këtë ritual, që vendosje pjatën, lugën e tij?

Vera Gezdari: Deri tani.Vazhdoj prapë po ashtu.

Anila Hoxha: Si vazhdon?

Vera Gezdari: Vazhdoj inshallah hapet porta të vijë.

Anila Hoxha: Kur shtron bukën vendos edhe pjatë për Xhevairin akoma?

Vera Gezdari: Po, për Zotin ia vendos m’u aty. Inshallah të vijë do Zoti të vijë. Se jemi me brenga mjerë ku i bie kjo.

Anila Hoxha: E kanë rrëmbyer? E kanë vrarë? Çfarë i ka ndodhur?

Vera Gezdari: Nuk e di.

Anila Hoxha: I ka ndodhur një aksident? Ka rrëshkitur në përrua? Çfarë të thotë ty, zemra e nënës?

Vera Gezdari: Jo, jo, zemra thotë që është shëndoshë e mirë. Nuk e di. Unë po them të jetë shëndoshë e mirë. Se di, se nuk ka shkuar me makinë do rrëzohet ky. Ai ka shkuar në shkollë.

Anila Hoxha: Çfarë mban mend nga Xhevairi? Ke ruajtur diçka nga Xhevairi?

Vera Gezdari: Jo, nuk m’i dhanë fletoret. Se shkova i mora ato fletoret, librat, por nuk mi dhanë. Se ai i ka marrë me vete krejt në çantë. Nuk ka lënë gjë aty.

Si për Xhevahirin që sot do ishte 41 vjeç, asgjë nuk dihet edhe për Juljan Celën, humbur në zonën e Laprakës dhe për të cilin hetimet janë rifilluar dhjetra herë. Për Bleona Matën 6 vjeçaren që humbi në Zapod ka patur ndër vite dhjetra pista që janë rrëzuar po me aq dështim. Familjet e fëmijëve si ata, vazhdojnë të kërkojnë dhe për një motër si Havia që ja ka kushtuar jetën gjetjes së vëllait, asgjë tjetër nuk ka më rëndësi në jetën e saj.

Havie Gezdari (e motra e Xhevairit)

Anila Hoxha: Havie sa vjeçe je? Jeta jote ka ndryshuar dhe është kthyer në mision të kërkimit të vëllait. Ne bashkë po shkojmë 20 vjet që njihemi. Tanimë që e ke kthyer këtë gjë në kërkim të Xhevairit. Sa të ka ndikuar kjo ngjarje? Po të pyes sepse unë e di që gati-gati e ke ‘stopuar’ jetën dhe e ke kthyer në një mision për gjetjen e Xhevairit.

Havie Gezdari: Unë jam më e madhe se Xhevairi. Kjo histori dmth unë isha për vete fëmijë për vete.

Anila Hoxha: Sa vjeçe ishe?

Havie Gezdari: Adoleshente. Edhe kur isha unë fëmijë për vete më ra si e papritur që nuk e prisja asnjëherë. Edhe atë ditë kisha edhe datëlindjen, faktikisht. Edhe më tha Xhevairi “që do iki në shkollë dhe do kthehem së shpejti”. Ai ishte i lidhur shumë me mua. Isha shumë e lidhur me atë për çdo gjë, për gjithçka. Më tregonte gjithçka. Edhe kur shkonte, edhe kur lozte me kalamajtë. Dmth. kur u kthente në shtëpi m’i tregonte. Ishte i rregullt kështu, kur kthehej në shtëpi. Thonte psh. ‘gjysëm orë do largohem me shokë, shoqe dhe do vij do kthehem’.

Anila Hoxha: Çfarë ndodhi atë ditë? Çfarë mban mend?

Havie Gezdari: Atë ditë, Xhevairi u nis për në shkollë nga ora 9:50, diçka e tillë. Shumë pranë shkollës, 30 metra larg shkollës e ka parë zysha dhe kanë qenë 2 mësues, e kanë parë ato që po zbret Xhevairi, po afrohet për në shkollë edhe i ka futur të gjithë nxënësit brenda. Dhe këtë informacion i kam marrë me anë të shokëve dhe shoqeve të Xhevairit, që në atë kohë kanë qenë në kohën e pushimit. Edhe në momentin që janë futur brenda ato nuk ka parë njeri  më gjë. 20-30 metra larg shkollës ka qenë.

Anila Hoxha: Po afrohej apo po ikte nga shkolla?

Havie Gezdari: Po afrohej në shkollë. Dmth. në orën e pushimit të nxënësve.

Anila Hoxha: Dhe çfarë ndodhi më pas? Kur e kuptuat ju?

Havie Gezdari: Kur jam kthyer nga shkolla, unë edhe i thashë mamit “po Xhevairi a ka ardh?” Jo-tha, edhe sikur kisha një “pse”. Sepse ai më tha që do kthehem edhe ai. Mami tha ‘lëre se ndoshta po loz me kalamajtë’.Edhe unë ndenjta nja gjysëm ore- 1 orë a kështu edhe u nisa drejt shkollës. Aty kur shkova tek shkolla, ishte e mbyllur me çelës. Aty sikur spo ndihesha mirë. Sepse ai nuk largohej asnjëherë pa më thënë asnjë gjë që do largohej. Dhe atë natë kërkuam, pritëm pastaj dolëm, u err, pastaj shkuam deri në Mullet se atje është qendra, shkuam atje duke prit. Ndoshta mos ka shkuar tek ndonjë kushuri a tek xhaja, tezja, por nuk rezultoi. Pastaj në polici ka shkuar babi të nesërmen që ka denoncuar.

Anila Hoxha: Kjo është një ndër çështjet më enigmatike. Është hapur, është rihapur është hetuar nga komisariati nr. 1, ka patur një letërkëmbim me të huajt. Pse me të huajt? Pse u përfshinë të huajt?

Havie Gezdari: Të huajt u përfshinë për arsyen sepse kishin një firmë italiane-franceze,  ishin të përzier si firmë.

Anila Hoxha: E cila, ishte vendosur këtu në zonë?

Havie Gezdari: Ishte vendosur në oborrin tim këtu. Sapo kishte ardhur. Kishte një javë.

Anila Hoxha: Sa punonjës kishte?

Havie Gezdari: Një javë kishte që kishte ardhur. Pastaj ndodhi ajo e vëllait të mërkurën, të shtunën u larguan ata. Firma sikur kërkonte naftë. Kishte makineri. Por së bashku me shqiptarë, nuk ishin vetëm të huaj.

Anila Hoxha: U pyetën këta shtetas apo ikën pa asnjë gjurmë?

Havie Gezdari: Thanë që është një firmë fantazmë. Nuk i dimë adresën edhe këto shqiptarët që ishin bashkëpunim me këto, thanë në polici që janë pyetur dhe thonë që sdimë gjë. Dhe ne dyshojmë tek ajo firmë. Jo, sepse e dimë të saktë. Po thjesht e dyshojmë për arsye sepse nuk kemi as hasmëri asnjë lloj gjëje.

Anila Hoxha: Dhe më pas çfarë ndodhi me hetimet? U pushuan?

Havie Gezdari: Asnjë gjë. Pastaj u pushuan. Një herë, një herë i rifilluan. Pastaj i pushuan.

Anila Hoxha: Tani çështja është e pezulluar, është mbyllur?

Havie Gezdari: E pezulluar.

Anila Hoxha: Ka dhënë vendim gjykata që Xhevairi është i zhdukur? Çfarë gjurmësh keni gjetur?

Havie Gezdari: Asnjë lloj gjëje. Për momentin deri tani. Kam trokitur psh. po asnjë lloj gjëje.

Anila Hoxha: Nuk ka asnjë lloj gjurme? Çfarë thotë policia? Prokuroria?

Havie Gezdari: Jemi në kërkim. Kaq. Jemi në kërkim. Në gjendjen civile rezulton emri. Ne do ta kërkojmë deri sa të kemi mundësi. Do ta kërkojmë. Deri në momentin e fundit. Pastaj thjesht është i rrëmbyer, përderisa nuk ka lënë asnjë lloj shënje, as në rrugë, as në shkollë, as në ndonjë vend. Dyshoj për rrëmbim.

Anila Hoxha: Keni bërë ndonjë identikit tjetër? Si mund të jetë Xhevairi sot?

Havie Gezdari: Me imagjinatë e mendoj shpeshherë, sjemi as në tokë as në qiell. Se po të dish se ku largqoftë, një vdekje siç im atë është larguar nga jeta dhe e di që shkoj tek varri edhe e qaj por ky nuk është…(qan) dhe kjo më bën që të vazhdoj.

Anila Hoxha: Në qoftëse një ditë e gjen, çfarë  do të bësh ndryshe ditën e nesërme?

Havie Gezdari: Do ndryshoj jeta ime. Kjo është.

Anila Hoxha: Në çfarë kuptimi do të ndryshojë?

Havie Gezdari: Në të gjitha anët e jetës. Dmth. do të rilind për së dyti. Një jetë e re.

Pak javë më parë dy gjyshër rrëmbyen për pak ditë nipin tre vjeçar, një çështje që kthen edhe njëherë vëmendjen tek problematika e marrjes së fëmijëve nga njëri prej prindërve, apo nga familja e origjinës së njërit prej partnerëve.

Brikena Kasmi (avokate)

Anila Hoxha: Jemi me zonjën Brikena Kasmi e cila e ka studiuar mirë problematikën e fëmijëve dhe të miturve atëherë kur janë viktima, viktima nga një proces divorci, në të cilën njëri nga prindërit rrëmben fëmijët dhe ky konsiderohet si një fenomen shqiptar por jo vetëm, megjithatë ka nevojë për t’u rregulluar në Shqipëri. Vërehet një numër i lartë fëmijësh të rrëmbyer nga një prej prindërve, viktima pastaj të çështjeve të ndryshme të cilat ne do ti diskutojmë. Zonja Kasmi mirëmbrëma.

Brikena Kasmi: Mirëmbrëma Anila dhe shumë faleminderit që keni kapur këtë temë dhe përgëzime sepse ju jeni bërë vërtet me podcastin tuaj, zëri i viktimave, viktimave të ndryshme të procesese gjyqësore, por  jo vetëm të shoqërisë apo të padrejtësive sociale duke i kërkuar pushtetit llogari. Dhe është një mision sublim që ju keni marrë. Ju përgëzoj për këtë.

Anila Hoxha: Faleminderit. Zonja Kasmi, ju keni kryer një studim për sa i takon ‘rrëmbimit civil’ të fëmijëve. Ku konsiston ky studim, ku i keni marrë të dhënat?

Brikena Kasmi: Studimi në fakt ka filluar sepse unë bëj pjesë në Akademinë Ndërkombëtare të së Drejtës Familjare të Avokatëve të Familjes. Duke patur parasysh që vendi ynë është vend anëtar nga viti 2005 në Konventën e Hagës, për aspektet civile të rrëmbimit të fëmijëve është i vetmi vend që nuk raporton asnjëherë në asnjë vit në këtë organizëm, në këtë Konventë. Për të filluar nga fillesa, në fund të vitit 2004 dhe përgjatë 2005, Ministria e Drejtësisë në atë kohë mori një nismë shumë të mirë për të aderuar dhe për ratifikuar disa nisma ndërkombëtare, disa konventa ndërkombëtare, të cilat prekin disa nga problemet, të cilat shpesh në rutinën e përditshme, ndërkohë që diskutojmë hallet ekonomike të një vendi, nuk lihen mënjanë dhe nuk preken ashtu siç duhet apo  nuk marrin vëmendjen e duhur dhe e tillë janë  edhe aspektet civile të rrëmbimit të fëmijëve. Deri në atë kohë, ne nuk e njihnim këtë si aspekt civil, pra nuk ishin të njohur sepse ne ishim mjaftuar me parashikimet ligjore të Kodit Penal dhe diskutimi ishte gjithmonë që rrëmbimi i fëmijëve ndodhte vetëm në rastet e trafikimit të qenieve njerëzore. Ndërkohë, shpesh edhe si juriste edhe gjatë punës që kemi bërë për aderimin dhe për ratifikimin e kësaj konvente shpesh e ngatërronim si koncept juridik dhe nuk e kishim të  qartë fenomenin kur juristët e Hagës, pra kishin miratuar këtë konventë që nga viti 1980, kur çiftet ndahen apo çiftet kanë le të themi atë të konflikteve të tyre bashkëshortore dhe shpesh objekti i konfliktit apo  në qendër të konfliktit zhvendoset fëmija.

Anila Hoxha: Çfarë konstatuat ju në vitin 2005?

Brikena Kasmi: Ishte vënë re që me një kërcitje të lapsit, le të themi me një konflikt mes çiftit, njëri  nga dhe kryesisht  nëna, por njëri nga çifti ndodh që e bën edhe babai merr fëmijët në kushtet e presionit emocional ndaj çiftit tjetër dhe i zhvendos ata.

Anila Hoxha: Sa prezentë është edhe sot ky problem? Pra, ‘rrëmbimi civil’.

Brikena Kasmi: Është rritur është ngarkuar. Në qoftëse babai ka njoftuar autoritetet qëndrore që përgjithësisht janë  të ndryshme varet si specifikohet nga Konventa apo nga vendet anëtare. Për Shqipërinë është Ministria e Drejtësisë. Menjëherë alarmohet, pra autoriteti qëndror i cili ka detyrimin që brenda 24 orëve në maksimimun e 6 javëve duhet të kthejë fëmijën në habitatin  e përhershëm. Shqipëria për fat të keq, në fakt është bërë si ‘parajsa’ e rrëmbimit. Pra, ata që  duan tashmë, kam raste, kam  hasur në praktikën time që edhe nëna italiane apo edhe nëna gjermane, kur duan të bëjnë diçka të tillë parajsën e rrëmbimit e kanë në Shqipëri.

Anila Hoxha: Që dmth. njëri nga prindërit është shqiptar apo…?

Brikena Kasmi: Që dmth. që transferohen. Nuk ka shumë rëndësi lidhja me Shqipërinë, por që transferojnë fëmijën për në Shqipëri për shkak se autoritetet gjyqësore shqiptare vonojnë në kthimin e fëmijës në habitatin, në vendbanimin e përhershëm.

Anila Hoxha: Keni të dhëna? Keni statistika që e cilësoni si ‘parajsa’ e rrëmbimit të fëmijëve?

Brikena Kasmi: Po, statistikat ne i kemi. Unë në fakt i kam në përpunim statistikat për shkak edhe të volumit të ngritur të këtyre çështjeve në vitet e fundit.

Anila Hoxha: Nuk ka një instrument që të kontrollohet? Nuk njoftohen institucionet e huaja në këtë rast, ministria përkatëse e shtetit përkatës?

Brikena Kasmi: Ne kemi patur raste si në rastin e ministrisë greke e drejtësisë, nga ministria gjermane e drejtësisë, nga ministria italiane e drejtësisë të cilët menjëherë dërgojnë kërkesën brenda 24 orëve ministrisë tonë të drejtësisë. Ministria jonë e drejtësisë brenda 24 orëve është e detyruar që  t’ja paraqes gjykatës. Këtu, pastaj hasen probleme të tjera. Së pari, problemi i parë është që në procedura nuk njeh cilësinë proceduriale të Ministrisë së  Drejtësisë është kërkues aktiv apo pasiv. Me një njoftim që, në fakt unë do të thoja është totalisht i jashtëligjshëm dhe aty ka filluar problemi i parë, Ministria e Drejtësisë për shkak të mosgjetjes së një mekanizmi procedurial e ka vënë veten në një letër qarkore informative, gjykatave shqiptare duke iu thënë, ‘ne iu sjellim procese të tilla’. Por Ministria e Drejtësisë nuk merr pjesë në këto procese duke e lënë, do të thoja unë, procesin në mëshirë të fatit.

Anila Hoxha:  Kush e ndjek?

Brikena Kasmi: Që dmth. është e detyrueshme që prindi më pas kërkues që  shpesh janë të huaj ose që është prindëri që ka ngelur jashtë, që është nga vendi i origjinës, vendi i origjinës nuk është Shqipëria. Shpeshherë është i detyruar të marrë një avokat privat dhe duke dashur për të marrë një avokat privat, më pas do të njihet edhe me proceset apo me problemet e tjera të procesit gjyqësor shqiptar.

Anila Hoxha: Nga 2010 deri në 2024, sa çështje keni patur ju në fokus?

Brikena Kasmi: Ohuuuu, unë kam patur shumë në fakt, me thenë të drejtën. Nga 2010-2014, kishte gati 2-3 çështje në vit.

Anila Hoxha: Me çfarë objekti hapet seanca në këtë rast?

Brikena Kasmi: Është kthimi i detyrueshëm i fëmijës për shkak të mbajtjes ose largimit të padrejtë. Ka patur raste kur fëmija i është hequr nënës, le të themi nga autoritetet angleze për shkak të dhunës që bënte nëna. Nëna ka shkuar në institucion në mënyrë të paligjshme, e ka rrëmbyer fëmijën e vet dhe menjëherë është kthyer për në Shqipëri.

Anila Hoxha: Kjo është një çështje që është në shqyrtim nga gjykata?

Brikena Kasmi: Këto janë çështje që janë shqyrtuar nga autoritetet angleze për t’ia kthyer edhe njëherë autoriteteve angleze, institucionit, sepse autoritetet angleze e kanë marrë këtë fëmijë për shkak të dhunës që kishte ai fëmijë. Keni parasysh që shpesh nënat i marrin fëmijët edhe i vendosin në zonat e tyre, le të themi në vende, në fshatra, në vende, të cilat nuk gjendet adresa. Është shumë e vështirë për organet e rendit që të gjejnë njëherë të kontrollojnë, se  ku ndodhet ky fëmijë.

Anila Hoxha: Pse nuk ka një gjendje civile, një vend origjine?

Brikena Kasmi: Ne flasim kjo është një problem në dy aspekte. Problemi i parë është paligjshmëria, shpeshherë nënat i përfshijnë fëmijët me pasaporta të falsifikuara apo me pasaporta të tjera ose të paregjistruara fare në pikat kufitare. Kemi patur raste që babai e kërkoi. Babai ishte gjerman  kërkonte në Itali sepse dinte në fakt që vajza, nëna ishte shqiptare, por ishte e lindur dhe e rritur vetë në Itali. Nuk ishte më as nëna, nuk kishte më lidhje me Shqipërinë. Kishte kontraktuar një dedektiv privat gjerman i cili kishte kaluar gati 40 ditë nga jugu në veri të Italisë për të gjetur me ato  mundësitë e tij.

Anila Hoxha: Se ku fshihej fëmija?

Brikena Kasmi: Deri sa, në një nga kontaktet me avokatin gjerman, avokati kishte dëgjuar për ‘parajsën’ shqiptare sepse kështu i thonë tashmë në rrjetin e avokatëve, kështu i themi parajsa shqiptare ose shpeshherë i themi ‘turizmi’ i rrëmbimit pra. Në qoftëse, ne kemi një turizëm për dentistët, për dhëmbët, kemi edhe një turizëm dmth. rrëmbimi fëmijësh. E kishte kthyer në Shqipëri dhe u bë një punë kolosale për të gjetur ekzaktësisht në çfarë vendi.

Anila Hoxha: E para, është pamundësia për të gjurmuar se ku është fëmija, lehtësia që fëmija të hyjë. Po si lejohet në pikat kufitare të huaja të udhëtojë ky fëmijë pa njërin prej prindërve?

Brikena Kasmi: Ka të ngjarë ndodh edhe mes çifteve që shpesh babai ose nëna kemi patur edhe raste kur e ka bërë babai këtë, manipulojnë në çift ose mashtrojnë në çift  dhe sidomos kur kanë familjarë në Shqipëri dhe thonë që do shkojmë për 10 (dhjetë) ditë dhe marrin ato deklaratat që ju ndoshta e keni dëgjuar nga prindëri tjetër që duhet të…

Anila Hoxha: Pra, Shqipëria ndryshoi dhe sofistikoi ligjin pak vite më parë pikërisht për këtë arsye. Për shkak se disa prindër, njëri nga prindërit largohet me njërin nga fëmijët dhe nuk kthehet. Rasti më i rëndë ishte ai i dy fëmijëve të vegjël, fëmijëve të familjes Dumani, Evës dhe vëllait të saj, Endrit, të cilët u larguan mbasi babai i tyre, i cili ndërroi jetë në Siri gjatë luftimeve ekstremiste paraqiti në pikën kufitare të Rinasit pikërisht një dokument noterial në të cilën nëna i jepte  pëlqimin për udhëtimin e përkohshëm. Ajo ishte mashtruar sikurse thoni ju për një udhëtim afatshkurtër drejt Turqisë, por në fakt fëmijët u dërguan deri në Siri, ku vajza në moshë madhore tanimë, ende nuk është kthyer. Po ju, thoni sakaq, se  ne konsiderohemi  si ‘parajsa’ e çështjeve të fëmijëve, në këtë ‘luftën civile’, që mund të jenë prindërit e divorcuar, mund të jenë edhe partnerë në bashkëjetesë apo …?

Brikena Kasmi: Sepse do të thoja mekanizmat e veprimit të shpejtë mungojnë në Shqipëri.

Anila Hoxha: Përmendët moseficencën, pra mosreagimin në kohë për adresimin e gjetjes të fëmijëve, përmendët sakaq moskoordinimin dhe e treta është drejtësia e munguar apo jemi më shumë tek kjo pjesa që nuk është vetëm zvarritja nuk është vetëm fluksi? Por nuk kemi një palë në proces? Si duhet të rregullohet kjo? Pra, Ministria e Drejtësisë është vetëm një informator?

Brikena Kasmi: Bullgaria ka modelin më të mirë të mundshëm që ne e ndamë jo më larg se para 1(një) jave. Kishim një konferencë online. Në Sofie është bërë një gjykatë e specializuar në lidhje vetëm me rastet e rrëmbimit të fëmijëve. Nuk ndodh, që ata të kalojnë 6 javëshin e Konventës. Shteti i alokon ndihmë juridike fëmijëve, në raste të tilla i atashon, pra, me detyrim një avokat nën ndihmën juridike shtetërore për të mbrojtur ekzaktësisht interesin  më të lartë të fëmijëve. Ne kemi patur një fëmijë në vitin 2016, në mos gaboj, ose në vitin 2015, i cili erdhi 6 vjeç nga Athina dhe ai nuk dinte asnjë fjalë shqip. Dmth. ai ishte rritur në fakt, babai ishte grek, nëna ishte shqiptare. Të dy kishin situara të tilla, nuk ishin le të themi prindërit më të mirë të mundshëm, por ai kishte një gjyshe që ishte me origjinë nga Shqipëria, por greke. Dhe ishte rritur me gjyshen. Dhe gjyshja bënte çmos për të. Në fakt kërkuam se sipas Konventës nuk mund të ishte gjyshja, por babai, por në të vërtetë të gjithë procesin e shtynte gjyshja. Por deri 6 vjeç, ai nuk dinte asnjë gjë për Shqipërinë. Gjykata, kjo është për shkak se vetë Konventa thotë ‘në qoftëse interesi më i lartë i fëmijëve është që ai të mos zhvendoset më shumë se një vit’. Në qoftëse se procesi gjyqësor kalon kohën automatikisht 1 (një) vit do të thotë se fëmija është zhvendosur tashmë dhe me dashje pa dashje keq apo mirë ka filluar një jetë të re është integruar në një komunitet tjetër. Pra, ne kemi patur raste të cilët babai është shkëputur nga Anglia dhe kur ne i themi bashkë edhe avokati tjetër ‘ti kuptoje sa do të urrejnë fëmijët e tu, më tutje, më vonë’. Ata ishin fëmijë të lindur në Angli. Gjykata e Tiranës, në fakt bëri një punë shumë të mirë bindëse në seancën e parë, ia bëri të qartë ‘se kjo që ke bërë ti, nuk gjen shpëtim. Pra, unë nuk kam mundësi që të shkel ligjin për ju’. Ia shpjegoi ekzaktësisht, pavarësisht problemeve që ai kërkoi jo të hetohet kjo, të hetohet dhuna etj. Shumë probleme të tjera, në fund babai për 24 orë të tjera, pra  me këtë komunikim që pati me gjykatën në sallë gjyqi i bleu biletën dhe i ktheu vetë.

Anila Hoxha: Me vendim gjyqësor?

Brikena Kasmi: Jo, nuk priti më për vendim gjyqësor. Vendimi gjyqësor që ne të presim Anila ka afate të jashtëzakonshme. Sepse kjo si procedurë nuk mbështetet, Konventa ka një mospërputhje me Kodin e Procedurës Civile. Kodi i Procedurës Civile nuk njeh gjykime të përshpejtuara në  lidhje me këtë çështje që dmth. nuk njeh gjykime 6 javore. Vërtet Konventa thotë 6 javë, por palët kanë të drejtën e ankimit ata shkojnë në procese gjyqësore. Palët shpesh kërkojnë ekspertë, kërkojnë psikologë. Kemi patur raste që kërkojnë edhe ekspertë të përdorimit të substancave narkotike dhe kanë pasur shpeshherë. Unë kam patur një rast që pala kërkoi 6 (gjashtë) ekspertë dmth. edhe financiar për të ardhurat, pavarësisht se babai i thoshte ‘që unë i mbyll tani në llogari bankare disa të ardhura’ edhe pse Konventa thotë që largimi nga prindërit nuk është pamjaftueshmëria ekonomike e thonë të tëra Konventat, edhe ligji jonë ‘Për të drejtat e fëmijëve’ thotë që ‘pamjaftueshmëria ekonomike nuk është shkak për t’a larguar nga prindërit’. Megjithatë, gjykata në panjohje të ligjit, në fakt sepse nuk mund të them ndryshe vendosi ekspertë kontabël që të hetonte sesa para kishte ai në Gjermani. Pra, në lexim të Konventës, nga 6 javë u bë 6 vjet.

Anila Hoxha: Si rregullohet? Duhet një ligj tjetër?

Brikena Kasmi: Një nga shembujt më të mirë të mundshëm është Amerika. Ata kanë Amber Alert në një moment të caktuar që prindi thotë ‘që prindi tjetër ka rrëmbyer fëmijën’ gjithë komuniteti i shkon mesazh në celular automatikisht dhe kjo bëhet shumë kollaj dhe gjithë komuniteti angazhohet ekzaktësisht për ta kthyer edhe njëherë. Nqs. ata e shikojnë në rrugë nuk e ndihmojnë sepse është në sistem. Një rast tjetër i dytë është regjistri publik i fëmijëve të rrëmbyer, pra, menjëherë futet në regjistër dhe mundet njerëzit ta kontrollojnë sigurisht mbi bazën e mbrojtjes së të dhënave të privatësisë të fëmijës dhe të dhënave personale.

Anila Hoxha: Është një fëmijëri e re por që  është një fëmijëri  që lë traumat e saj. Ju falënderoj shumë zonja Kasmi.

Brikena Kasmi: Faleminderit ju.

Nga 2013 janë raportuar 260 raste të marrjes së padrejtë të fëmijës dhe deri tani janë shpallur fajtorë 69 prindër. 437 prindër të tjerë për të njëjtën periudhë raporton KLGJ u dënuan nga gjykata sepse nuk paguan pensionin ushqimor për fëmijët e tyre. Nga ana tjetër, në gjykata vërehet shtyrja e të miturve në krim nga të rriturit dhe se pavarësisht aplikimit të kodit të drejtësisë për të mitur, të miturit po përshihen përherë e më shumë në krime si shpërndarja e drogës, vjedhjet, plagosjet dhe drejtimi i mjetit pa dokumenta.

Fuat Vjerdha (Gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm)

Anila Hoxha: Gjendemi me gjyqtarin e apelit Tiranë, zotin Fuat Vjerdha, i cili në 1 korrik 2024, mbush 30 vjet në sistemin e drejtësisë si gjyqtar i republikës.

Fuat Vjerdha: Unë në 1994 kam filluar magjistrat në Tropojë dhe pas 6 muajsh në 1 korrik 1994 jam emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Anila Hoxha: Prej atëherë vazhdon?

Fuat Vjerdha: Prej atëherë vazhdoj gjyqtar pa ndërprerje.

Anila Hoxha: Bashkë do flasim për fëmijët, fëmijë të cilët janë viktima të një krimi, fëmijë që humbasin, fëmijë që rrëmbehen nga njëri prej prindërve për shkak të konflikteve në divorc e sipër, fëmijët që shtyhen në krim. Pyetja ime e parë është nga se rrezikohen më tepër fëmijët sot?

Fuat Vjerdha: Fëmijët sot rrezikohen në radhë të parë nga përdorimi i celularëve pasi janë të pakontrolluar nga prindërit dhe rrinë edhe futen edhe në faqet e pakontrolluara, që përbën rrezik për këto fëmijë.

Anila Hoxha: Pra, bien viktima të krimit kibernetik,që mund të jenë shantazh, mund të jetë abuzim seksual apo shpërndarja e fotove pornografike?

Fuat Vjerdha: Kemi edhe raste të tilla që i kemi në proces dhe janë të rriturit. Ka edhe raste që të rriturit i shtyjnë të miturit në krim dhe janë jo të rralla. Sepse e dinë që të miturit o do dënohen, pra dënohen gjysma e dënimit që i jepet të rriturit dhe përgjithësisht gjykatat aplikojnë dënimin me kusht për të miturit, pasi çmohet që dënimi me burgim është një masë tepër e rëndë për këto sepse nuk i vlen ri-edukimit të tyre. Kemi patur raste të ndryshme të vjedhjeve edhe të monopatinave, të rriturit fusin të miturit për me realizuar vjedhjen.

Anila Hoxha: Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë është një e vetme dhe aty gjykohen të gjitha çështjet civile dhe penale në të gjithë Shqipërinë. Cilat janë gjykimet më tipike ku pala e tretë mund të jetë një fëmijë?

Fuat Vjerdha: Ne  kemi sikurse thatë të gjitha llojet e veprave penale që kryejnë  të miturit por janë edhe veprat penale që kryejnë të rriturit ndaj fëmijëve. Është për të ardhur keq që kohët e fundit kemi disa raste të abuzimeve seksuale me fëmijët dhe në ndryshim nga Shkodra ku unë ushtroja veprimtarinë time para një viti e gjysëm, në këtë gjykatë unë konstatoj ka një numër të konsiderueshëm çështjesh të abuzimeve seksuale  me të miturit, qoftë ngacmime seksuale që janë problematike.

Anila Hoxha: Çfarë duhet të kenë parasysh prindërit, pra kur ju shqyrtoni këto procese? Kuptoni në një moment të caktuar që prindëri nuk ka qenë vigjilent apo..?

Fuat Vjerdha: N’a lindin ato pikëpyetje si do zgjidhet kjo çështja, pse ka? Më duket se ka shtim të rasteve. Nuk është se nuk janë zbuluar apo nuk janë denoncuar përpara, por më duket se ka një shtim, por, rastet janë nga më të ndryshmet dhe viktimë janë fëmijët. Sikurse është edhe dhuna që ushtrojnë prindërit edhe ndaj bashkëshorteve, mund të jetë një ndër veprat më të përhapurat që kemi ne vazhdimisht. Por, n’a vijnë çështje që kanë të bëjnë me dhunën në familje që parashikohet nga neni 130/a i Kodit Penal por këto prindër janë të dhunshëm, si kundrejt bashkëshorteve ashtu janë të dhunshëm edhe ndaj fëmijëve edhe ushtrojnë dhunën në prezencë të fëmijëve.

Anila Hoxha: Tre dekada, zoti gjyqtar nuk janë pak. Pra, njeh gati-gati të gjitha fenonemet e shoqërisë nga 1994 që ju përmendet, deri tani. Tropojë, Shkodër tanimë Tiranë, kaloni në duar çështje në të gjithë Shqipërinë. Cilat janë ato çështje, ata fëmijë që iu kanë  mbetur në mend, ato gjykime që ju nuk i harroni dhe skeni për ti harruar asnjëherë, nga më të lehtat deri më të vështirat? Në Shkodër keni gjykuar Sokol Mjacaj, tanimë në “41 bis”, i dënuar i cili kreu një krim brenda burgut të Peqinit. Ju e keni gjykuar kur ka qenë fëmijë?

Fuat Vjerdha: Unë e kam gjykuar dy herë Sokolin. E kam gjykuar kur ishte 16 vjeç kur akuzohej për vrasjen e një fëmije tjetër, shokut të tij dhe ai u deklarua fajtor për moskallëzim të krimit. Por, ai gjatë gjithë periudhës së hetimit, gjykimit dhe pak më mbrapa ka qëndruar i burgosur me të burgosur të rritur. Unë vlerësoj se aty ka marrë mësime nga kriminelë edhe është përgatitur që të kryejë pastaj veprën tjetër duke vrarë dy turista çekë për të cilën edhe unë kam qenë në trup gjykues dhe kemi dhënë dënimin me ‘burgim të përjetshëm’.

Anila Hoxha: Ai ka qenë një proces shumë i vështirë. Sepse të dyja palët ishin fëmijë. Herën e dytë, e shikove komplet të ndryshuar?

Fuat Vjerdha: Ishte bërë një profesionist problematik. Ka edhe një vendim, rekomandim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që fëmijët e mitur t’i lihen për rritje dhe edukim nënës. Nëna duke qenë e divorcuar, duke mos pas mundësi jetese për të siguruar një jetesë më të mirë fëmijëve të tyre/saj, në mënyra nga më të ndryshme kanë arritur që të emigrojnë për ti siguruar gjithmomë, me qëllimin e mirë për me i siguruar fëmijëve të tyre një jetë sa më të mirë, europiane, ku ka standart jetese më të lartë. Dhe duke realizuar këto i mohojnë babait të drejtën e kontaktit, takimit me fëmijën.

Anila Hoxha: Këtu jemi tek vepra ‘marrja e padrejtë e fëmijës’?

Fuat Vjerdha: Marrja e padrejtë e fëmijës edhe këto janë raste mjaft të vështira për t’u gjykuar sepse motivi për të cilën e ka kryer veprën nëna nuk është shumë i qortueshëm, si motiv sepse ato parashtrohen që kam kërkuar ti jap fëmijës një jetë më të mirë. Por ndërkohe privon babain. Dhe këto janë gjykime jo të rralla sikurse janë edhe problematike, rastet e lënies për rritje dhe ri-edukim të fëmijëve sepse ka jo të rralla janë raste kur vendimet e gjykatës nuk zbatohen nga nëna, e fshehin fëmijën ose raste të tjera, kur edhe këto janë më të rënda, kur gjykata ia ka lënë për rritje dhe ri-edukim nënës, ndërsa babai e merr fëmijën dhe nuk ia lë nënës që të realizojë edukimin, rritjen  e fëmijës.

Anila Hoxha: Situata e mos dhënies së mjeteve për të jetuar, janë kategoria tjetër. Shërbimi përmbarimor madje deklaron një shifër shumë të lartë përmbi 10 mijë familjarë të cilët ndër vite kanë shmangur urdhër detyrimin për të dhënë pagesën mbi rritjen e fëmijës nga partnerja, më së shumti. Pasi në fund të vitit të kaluar pati një rekomandim nga Avokati i Popullit për ndërhyrje legjislative për këtë fenomen, mbasi bashkëshortët (të divorcuar),  kryesisht burra, pretendojnë se nuk kanë mundësi ekonomike për t’iu përgjigjur edhe kërkohet një ndërhyrje. Si paraqitet situata për këto gjykime?

Fuat Vjerdha: Ka dy problem, në radhë të parë është problemi që me të vërtetë kemi bashkëshortë që nuk figurojnë në punë. Ato mund të  sigurojnë të ardhura me punë të zezë, punon murator dhe nuk ke ku ia vjel dhe nuk ke ku ia marr detyrimin, që i cakton gjykata, pastaj plus ajo tjetra që kur gjykata cakton detyrimin  ushqimor duhet të mbështetet në  disa të dhëna, çfarë punon, çfarë bën. Për këto persona, që janë të paregjistruar e ke të vështirë me përcaktuar detyrimin e saktë që mund të kontribuojë  në rritjen e fëmijëve.

Anila Hoxha: Kemi fëmijë të zhdukur që nuk dihet asnjë gjë për ta. Rastet më i fundit është ai i Bleona Matës dhe i Julian Celës. Çfarë duhet të bëj drejtësia që të rihapen kërkimet?

Fuat Vjerdha: Çfarë duhet të bëjë?! Kur themi drejtësia, nuk kemi parasysh vetëm gjykatën. Drejtësia fillon që nga komuniteti, pastaj kalojmë tek policia, prokuroria, ekzekutimi i vendimeve, kështu që duhet një shoqëri e tërë në përpjekje për të luftuar këto fenomene.

Se nga çfarë rrezikohen sot fëmijët do flasim me Alma Tandilin që drejton agjencinë shtetërore për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve. Por do të ndalemi edhe tek braktisja e tyre nga prindërit jashtë vendit.

Alma Tandili (Kryetare e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve)

Anila Hoxha: Sa fëmijë janë aktualisht nën mbrojtje dhe që kontrollohen nga kjo agjenci ?

Alma Tandili: Ne për vitin 2023 kemi rreth 2200 fëmijë që janë në urdhër mbrojtjeje, që menaxhohen nga strukturat tona e mbrojtjes së fëmijëve. Që dmth. në 61 bashki , kemi 61 njësi të mbrojtjes së fëmijëve. Kur në të gjithë territorin e Shqipërisë, ne kemi 223 aktualisht punonjës së mbrojtjes së  fëmijëve që janë në cdo njësi administrative. Kur në detyrimin  tonë ligjor e kemi për cdo 3000 fëmijë, ne duhet të kemi një punonjës të mbrojtjes së fëmijës të dedikuar, që me ligj ky numër ka ardh duke u rritur vit pas viti. Ne kemi shtuar këtë numër ku pjesa më e madhe e  profesionistëve janë punonjës socialë.

Anila Hoxha: Cdo me thënë të mbrohen dhe nga kush mbrohen?

Alma Tandili: Një fëmijë me urdhër mbrojtjeje është ai fëmijë i cili është viktimë e dhunës dhe abuzimit, e shfrytëzimit, në të gjitha format e saj më të rënda ku kemi për herë të parë në ligjin `Për të drejtat e fëmijëve` kemi edhe një nocion të ri, që është neglizhimi. Edhe një fëmijë i neglizhuar për ne është një fëmijë i cili merret në mbrojtje.

Anila Hoxha:Sa fëmijë janë në situatë rruge?

Alma Tandili:Aktualisht kemi rreth 130 -150 që janë ende në menaxhim.Ne i kemi të gjithë fëmijët në menaxhim. Pra, ne kemi cdo informacion. Pra,ne fëmijët n’a njohin dhe i njohim. Prindërit n’a njohin dhe i njohim. Sapo afrohemi ne, ato largohen sepse e dimë që  mekanizmi i parë është ne i marrim pra. Ideja është që t`i heqim  nga kjo situatë.

Anila Hoxha:Kush i shtyn në lypje? Familja apo ka edhe rrjete?

Alma Tandili: Pjesa më e madhe janë familja dhe sigurisht ka edhe persona të cilët janë nga rrethi i besimit familjarë që mund të jenë të afërmit e tyre,por zakonisht janë familjet biologjike dhe rrethi i besimit familjar. Këto janë dicka të matshme .

Anila Hoxha:Sa është numri i fëmijëve që përdorin drogë?

Alma Tandili: Në Shqipëri,aktualisht ne dimë që kemi vetëm 200 të mitur që kemi marrë 200 fëmijë që janë në konflikt me ligjin. Që një pjesë e tyre janë edhe për përdorim të substancave narkotike. Ky përdorim i këtyre substancave që themi që është kthyer në trend që nga shisha deri tek ato tullumbacet që janë me helium edhe hashashi janë, të cilat bëhen  një formë për të qenë trendi i shoqërisë sot.

Anila Hoxha:Megjithatë, një arenë tjetër që mund t`a konsiderojmë aspak të sigurtë është zona kibernetike.Sa të rrezikuar janë fëmijët?

Alma Tandili:Në vitin 2023 kemi patur 19 raste të referuar për dhunë online që janë marrë nga lista e mbrojtjes së fëmijëve. Dhuna online e shantazhuar, pra shantazhuar,rekrutuar, abuzuar , bullizuar , të gjitha format e rënda deri tek dhuna seksuale që është forma më e rëndë e dhunës. Kur them 19 raste , janë referuar pranë nesh dhe dhuna online është një fenomen, trend globalisht jo vetëm Shqipëria,  por  globalisht është rreth  1 në 3 fëmijë navigon në mënyrë të pasigurtë në internet. Ka dy momente të cilat ne duhet të diskutojmë, e para prindërit nuk janë të edukuar përsa i përket mbrojtjes online. Shumë pak prindër e dinë që mund të përdorin edhe google app. edhe aplikacione të tjera. Paketa të tjera që ne mund ti marrim nëpërmjet aplikacioneve online mund ti shkarkojnë ata, edhe mund ti blejmë aq sa mund të jenë, sa mund të jetë pagesa por nuk kanë informacionin. E vetmja gjë është që ne duhet që vazhdimisht flasim me to dhe më besoni që inteligjenca e fëmijëve sot, përsa i përket botës digjitale është 10.000 hapa , 10.000.000 hapa me atë të prindërve.

Anila Hoxha:Ne investiguam të dhënat prej Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe pamë një shifër të lartë të fëmijëve që po  i konsiderojmë të tilla, pra të viktimizuara.Mbasi gjatë proceseve gjyqësore të divorcit, prindërit më pas njëri nga prindërit refuzonte që të përgjigjej për paditë e pensionit ushqimor, për dhënien e mjeteve të jetës dhe nga ana tjetër pamë gjithashtu një fenomen të shtrirë në një dekadë që ishte gjithashtu fenomeni i marrjes së padrejtë të fëmijës,  nga njëri prej partnerëve që kryesisht është babai apo njëri nga gjyshërit nga krahi i babait. Sa shqetësuese e shikoni ju, të dyja këto trende?

Alma Tandili: Këto janë bërë shumë shqetësuese sepse në Agjencinë , një në katër raste, ne kemi vendime gjykate që kërkohet për shkak të konflikteve që kanë edhe padrejtësisë duke penguar dhe jetën dhe zhvillimin e fëmijës, ku njëri prej prindërve kërkon ta takojë ose kërkon ta marrë edhe me pushime,  e ndalon në mënyrë kategorike për shkak të hakmarrjes që ai fëmijë të mos i marri ato , të marri ato shërbime që i takojnë. Pra, duke u  kthyer në formë urrejtjeje. Fëmijët kanë filluar të përdoren , të shantazhohen dhe të kthehen si një mashë, si një  levë për prindërit, për shkak të inateve dhe xhelozive.Po  kërkojmë ta zbatojmë bashkë me partnerët tanë. Është alarmante `prindërimi pozitiv`, do ti bëjë me  shkollë detyruese, do detyrojmë prindërit të vijnë në klasë, prindërimi që ti nuk mundesh me ligjin për të drejtat  e mbrojtjes së fëmijës,  jo ta shantazhosh fëmijën dhe prindin tjetër.

Anila Hoxha:Ishit njoftuar ju si agjenci për cështjet e 3 fëmijëve për  ngjarjen e Shkodrës(rasti i Alma Arrazit me 3 fëmijët) ?

Alma Tandili:Jo, i vetmi informacion që ne kishim, që nëna duke qenë se formimi i saj dhe i bashkëshortit ishte i nivelit arsimor nëntë-vjecar dhe pothuajse me 4 (katër) klasë shkollë, pra fillore, detyrohej që ti conte vajzat që ishin të rritura,  që ishin në shkollë, për ti marrë kurset jashtë shkollës për mësimet sepse ajo nuk arrinte dot të kuptonte ato ushtrimet e matematikës, fizikës, më të vështirat. Edhe në shkollë nga takimi që kemi patur me mësuesin nga kontakti që kemi patur me ZVA(Zyra Vendore Arsimore) atje,  ajo ishte shumë korrekte dhe shumë e përkujdesur për fëmijët e saj. Kemi edhe ato raste që edhe seksi mashkull ndihet i pambrojtur sepse mund të ketë familja e gruas apo ish-partneres me shumë influencë . Këtu kemi të bëjmë me persona me influencë. Po çfarë ndodh? Në momentin që vijnë tek strukturat shtetërore që e kemi fakt këtë,  e kemi dëshmi,  gjërat kanë ndryshuar shumë.

Anila Hoxha:Pra vihen para faktit…?

Alma Tandili: Vihen para faktit, ka një reagim. Ti  vepron me ligj.

Anila Hoxha:Mbaj mend që ka patur raste në bashkinë Kamëz. Që për shkaqe të indoktrinimit fetar të  një prej prindërve, ai e ndaloi edhe e zbuluan pikërisht anëtarët e Njësisë për  Mbrojtjen e Fëmijës. Por,  nga ana tjetër, ne kemi edhe një fenomen tjetër zonja Tandili ,  që lidhet me gjakmarrjen,me një të vërtëtë të madhe që `bërtet`që është këtu. Keni informacione ju,  se sa fëmijë nuk shkojnë në shkollë pikërisht për shkak të ngujimit?

Alma Tandili:Tani raportim nga njësitë e mbrojtjes së fëmijëve ne i kemi zero. E di që është një nga pyetjet që më është bërë dhe kjo nuk është as për ta fshehur, madje edhe në Malësi të Madhe , diskutimi i parë ishte më tregoni sa raste keni . Ata raportojnë që të gjithë fëmijët shkojnë në shkollë.

Anila Hoxha:Për çfarë është më i shqetësuar institucioni që ju drejtoni , pra njerëzit, për çfarë janë më të shqetësuar,  njerëzit dhe ekipi me të cilin punoni në Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve sa i takon fushës së të miturve?

Alma Tandili:Dilema më e madhe ajo që kemi përsa i përket Agjencisë së Mbrojtjes së Fëmijëve, e para,  që është baza është familja, përgjegjshmëria familjare, të gjithë kujdestarët duhet të marrin përgjegjësi për fëmijët tanë,  e dyta,  raportimi e kemi shumë të rëndësishëm .

Anila Hoxha:Ku duhet të raportohet?

Alma Tandili:Raportimi për fëmijët është linja 116 , 111, 112  falas,  në polici dhe njësitë e mbrojtjes së fëmijëve dhe në bashki.

Anila Hoxha:Për gjithcka? Shikon dhunë? Fëmijë në situatë rruge?

Alma Tandili:Për gjithcka .

Anila Hoxha:Një fëmijë duke u përdorur, duke shitur dicka  në rrugë?

Alma Tandili:Mjafton pranë psikologut, pranë shkollave , cdo lloj njësie. Mjafton ta flasin, ka raste që shëndetësia po bën një punë  në fakt kohët e fundit të paktën po e diskuton edhe bebet edhe foshnjet që nuk vijnë të ushqyera mirë , që nuk kujdesen, pra,  tek fëmijët që shkojnë në shkollë, pra fëmijët të cilët  nuk  kanë, ka  një lloj neglizhimi sepse vihet re që prindi nuk frekuenton , nuk vjen asnjëherë në mbledhje,  pra mbahen më shumë në vëmendje. Me psikologë me punonjës social ky është gjithë mekanizmi që ne po ndërtojmë në fakt, ndërgjegjësimi sa më i lartë.

Anila Hoxha:Keni ju një listë fëmijësh që janë të zhdukur ose nuk dihet asnjë gjë se ku janë ?

Alma Tandili: Me të dhënat statistikore, ne kemi vetëm me vendim gjykate vetëm 9 fëmijë të humbur në fakt. Një fëmijë i humbur dhe i zhdukur vetëm me vendim gjykate mund ta shpalli . Ne nuk mund ta konsiderojmë vete atë fëmijë , agjencia  pra, ne agjencia nuk e kemi tagrin. Është vetëm ligji dhe gjykata dhe aktualisht janë vetëm 9 fëmijë të humbur.

Anila Hoxha:Kush janë këta fëmijë ?

Alma Tandili:Të cilët me vendim gjykate një pjesë janë mediatike dhe një pjesë janë në kërkim prej vitesh të cilët nuk kemi asnjë lloj sinjali në rrugë zyrtare.

Anila Hoxha:Sa është numri i të braktisurve jashtë?

Alma Tandili:115 kërkesa të  fëmijëve të pa shoqëruara në vendet e BE, që shtetet e BE kërkojnë vlerësim për familjet e këtyre fëmijeve. Dhe 7 janë rikthyer.

Anila Hoxha:Dhe ku braktisen, në cilat shtete ?

Alma Tandili:Në stacionet e policisë.

Anila Hoxha:I braktis prindi vetë apo?

Alma Tandili:Prindi apo kujdestari. Mjafton njëri prej prindërve.

Anila Hoxha:Të huajt kërkojnë informacion për çfarë familje bëhet fjalë?

Alma Tandili:Këta 115 raste. Ata i kanë në qendrat e tyre rezidenciale në qendrat e tyre pritëse , në qendrat e tyre azilkërkuese në vendet e BE,  kjo është  një gjë e mirë. Të paktën ne kemi sistemin e mbrojtjes.

Anila Hoxha:Dhe ju grumbulloni informacion për prindërit?

Alma Tandili:Ky sistemi i mbrojtjes që them unë është shumë i mirë sepse të paktën ti fëmijën e ke në sistem, e ke në sistemin digjital, por e ke edhe në sistemin fizik .

Anila Hoxha:Në cilat shtete janë braktisur?

Alma Tandili:Pjesa më e madhe e fëmijëve është Italia ka pjesën më të lartë . Greqia mban pjesën më të lartë të fëmijëve, pavarësisht shkojnë me sezone, por ata janë shumë të kujdesshëm, përsa i përket, ata i plotësojnë me shumë dokumentacione fëmijët, pra janë shumë të rregullt. Franca është shumë e rregullt,Belgjika është shumë e rregullt. Pra, që kërkojnë herë pas herë vlerësimin në familje.

Anila Hoxha:Ndërsa ju dërgoni informacion për prindërit ?

Alma Tandili:Po, edhe këtë vlerësim e bën punonjësi i mbrojtjes së fëmijëve.

Anila Hoxha:Kemi gjithashtu edhe një fenomen tjetër të bashkëshorteve që largohen bashkë me fëmijët sepse mbasi janë dhunuar në Shqipëri nga partnerët .

Alma Tandili:Këto raste që largohen për shkak të dhunës duhet ta raportojnë, ta fusin në sistem fëmijën, ta fusin në sistem edhe gruan edhe shërbimin.  Shiko edhe e përdorin për azil ka filluar e përdorin shumë këtë pjesë, pra mjafton gjasme për një jetë më të mirë. Por kemi raste që po n`a kthehen shumë nga vendet e BE.

Anila Hoxha:Faleminderit.

Ky ishte episodi “ Fëmijëri e humbur”. Nëse keni dijeni se një fëmijë dhunohet apo abuzohet, nëse keni dijeni për të dhëna mbi fëmijët e humbur telefononi në numrin 112. Bashkë takohemi, në datën 29 qershor, si përherë në orën 18. Mirë u dëgjofshim.

*Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.