Bota

FMN: Perspektiva ekonomike po bëhet më e zymtë, sidomos në Europë!

Perspektiva globale ekomomike është më e zymtë se parashikimet e muajit të kaluar. Kështu thekson Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN. Mes shkaqeve kryesore për këtë, veçon:

Inflacionin në rritje dhe pasigurinë ushqimore, të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Muajin e kaluar, FMN-ja uli parashikimin për rritjen ekomomike në vitin 2023 në 2.7%, nga një parashikim i mëparshëm prej 2.9%.
Në një raport të përgatitur për samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20, që nesër nis punimet në Bali të Indonezisë, Fondi thekson se “treguesit e fundit konfirmojnë se perspektiva është edhe më e zymtë, sidomos në Europë”.

Sfidat me të cilat po përballet ekonomia globale, janë të mëdha, ndërsa treguesit ekonomike tregojnë të tjera sfida përpara. Mjedisi aktual i politikës është jashtëzakonisht i pasigurt. Përkeqësimi i krizës energjetike në Europë do ta dëmtonte rëndë rritjen ekonomike e do të rriste inflacionin.

Inflacioni në gjithë botën ka nisur të rritet, fillimisht për shkak të pandemisë së koronavirusit. Rritja vazhdoi edhe pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit të këtij viti. Të dy këto vende janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë. FMN-ja paralajmëroi se edhe moti gjithnjë e më ekstrem mund ta dëmtojë rritjen ekonomike.

Inflacioni në Eurozonë ka prekur rekord të ri në tetor, duke arritur në 10.7 për qind, në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Në fund të tetorit, këtë e bëri të ditur Zyra e Bashkimit Europian për Statistika, Eurostat. Ekonomistët prisnin që shkalla e inflacionit të arrinte në 10.3 për qind. Inflacioni në tetor ishte më i larti që nga koha e daljes së euros në vitin 1999.

Në muajin shtator, çmimet e konsumit u rritën me 9.9 për qind. Ekonomia e Eurozonës është zhvilluar pak më mirë nga sa u prit në muajt e verës, sipas një vlerësimi shtesë të publikuar nga Eurostat. Në tremujorin e tretë, Prodhimi i Brendshëm Bruto në 19 shtetet anëtare është rritur me 0.2 për qind në krahasim me të dytin.

Rritja e kërkesës për produkte dhe shërbime tjera, pas heqjes së masave kufizuese për luftën ndaj pandemisë së koronavirusit dhe lufta e Rusisë në Ukrainë, besohet se janë dy shkaqet kryesore që kanë ndikuar në rritje të inflacionit në shumë vende të botës.