Aktualitet

FMN: Përparoni në reformat për PPP-të! Inflacioni pritet të kthehet në objektivin prej 3%!

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka pohuar se plotësimi dhe publikimi i raporteve për PPP-të dhe koncesionet për vitet 2022 dhe 2023 janë të mirëpritura, ndërsa ka kërkuar përparim të mëtejshëm në reformat për PPP-të.

Sipas një njoftimi zyrtar për shtyp, një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), drejtuar nga Znj. Anke Weber, zhvilloi një vizitë në Shqipëri gjatë datave 9-12 korrik, për të diskutuar zhvillimet e fundit makroekonomike, parashikimin ekonomik dhe politikat prioritare.

Në fund të vizitës, Znj. Weber bëri me dije se përparimi konkret në rritjen e mbikëqyrjes së ndërmarrjeve shtetërore është vendimtar për ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale.

“Ne mirëpresim miratimin e Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike dhe bëjmë thirrje për operacionalizimin e plotë të një kuadri të forcuar të menaxhimit të investimeve publike, si dhe përparim të mëtejshëm në reformat e partneritetit publik-privat (PPP). Në këtë drejtim, plotësimi dhe publikimi i raporteve për PPP-të dhe koncesionet për vitet 2022 dhe 2023 janë të mirëpritura dhe ne inkurajojmë publikimin në kohë të raporteve të ardhshme. Deklarata pilot e pavarur e Rreziqeve Fiskale është një hap kyç në forcimin e menaxhimit të rrezikut fiskal. Më tej, një përparim konkret në rritjen e mirëqeverisjes dhe mbikëqyrjes së ndërmarrjeve shtetërore vazhdon të jetë vendimtar për ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale”, njoftoi FMN.

Sipas FMN ekonomia pritet të ruajë vrullin e saj pozitiv këtë vit, ku një aktivitet turistik mbi pritshmëritë mund të ulë rreziqet për ekonominë.

“Ekonomia shqiptare u rrit me 3.5 për qind në vitin 2023, kryesuar nga një konsum privat i qëndrueshëm, me forcim të konsiderueshëm të turizmit dhe ndërtimit. Performanca e sektorit fiskal dhe e sektorit të jashtëm ka tejkaluar pritjet, me suficit primar dhe deficit të llogarisë korente përkatësisht 0.7 për qind dhe 1 për qind të PBB-së. Presionet inflacioniste janë ulur dhe inflacioni shënoi vlerën 2.1 për qind në qershor, si pasojë e rënies së çmimeve të lëndëve të para. Ekonomia pritet të ruajë vrullin e saj pozitiv këtë vit, me një rritje të parashikuar në rreth 3¼ për qind. Inflacioni pritet të kthehet gradualisht në objektivin prej 3 për qind”, njoftoi FMN.

FMN ka mbështetur dhe, vendimin e fundit i Bankës së Shqipërisë për të rritur shtesën kundërciklike të kapitalit në kuadër të rritjes së fortë të kredisë.

 “Progresi në reformat financiare duhet të vazhdojë, duke përfshirë forcimin e mëtejshëm të kuadrit mbikëqyrës dhe rregullator dhe thellimin e tregjeve financiare. Në kuadër të rritjes së fortë të kredisë, vendimi i fundit i Bankës së Shqipërisë për të rritur shtesën kundërciklike të kapitalit është i përshtatshëm dhe miratimi i një shtese të rrezikut sistemik mund të rrisë më tej qendrueshmërinë. Përpjekjet që po bëhen për të forcuar rregulloren për mbrojtjen e konsumatorit, duke përfshirë atë për institucionet financiare jobanka, janë thelbësore për ruajtjen e integritetit dhe besimit në sistemin financiar. Për më tepër, me mbi një dekadë të kaluar nga Vlerësimi i fundit i Stabilitetit të Sistemit Financiar (FSAP), ne inkurajojmë autoritetet të marrin në konsideratë një Program të ri të Vlerësimit të Sektorit Financiar. Në tërësi, ruajtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë është thelbësore për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar”, tha FMN.