Bota

FMN i bën thirrje Bankës Qendrore Europiane të vazhdojë me rritjen e normave të interesit!

Fondi Monetar Ndërkombëtar i bën thirrje Bankës Qendrore Europiane të vazhdojë të rrisë normat e interesit deri në mesin e vitit të ardhshëm. Nga ministrat e Financave të Bashkimit Europian, FMN kërkon të ashpërsojnë politikat fiskale përmes veprimeve të bashkërenduara për të ulur nivelin e inflacionit.

Kreu i FMN-së për Europën, Alfred Kammer, tha se niveli i lartë i inflacionit është shqetësimi më i madh. Komentet i bëri sot, para një takimi me ministrat e Financave të BE-së dhe Bankën Qendrore Europiane. Inflacionin e konsideron taksë shtesë për të varfërit, që duhet luftuar. Në Eurozonë, inflacioni ishte 6.9% në mars krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Por, ai bazë që përjashton luhatjet e mëdha në çmimet e energjisë dhe ushqimit ka qenë 7.5%.

Rekomandimi ynë kryesor sa i përket politikave është ta mposhtim inflacionin e kjo nënkupton se duhet të përdorim instrumentin e politikës monetare. Për Bankën Qendrore Europiane, nënkupton shtrëngim të mëtejshën për një periudhë më të gjatë. Ne vlerësojmë deri në mesin e vitit 2024, në mënyrë që të ulet inflacioni deri në synimin e caktuar diku në vitin 2025.

Për të ulur inflacionin, në mënyrë agresive, Banka Qendrore Europiane ka rritur normat e interesit duke i çuar nga zero sa ishin në mesin e vitit 2022, në 3.5% në mars të këtij viti, por tregjet presin që kjo politikë të vazhdojë përtej vitit 2023.

Kammer tha se ministrat e Financave të BE-së duhet të ndihmojnë Bankën Qendrore Europiane duke reduktuar stimujt fiskalë për ekonominë që përdorën gjatë pandemisë COVID-19 e vazhduan me aplikimin e tyre gjatë krizës së kostos së jetesës të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës.

Inflacioni nuk mund të luftohet vetëm nga Banka Qendrore, na duhen politika fiskale që e mbështesin. Një ulje e defiçitit buxhetor në shtetet e BE-së nuk u jetësua për shkak se pakot e ndihmës që qeveritë dhanë për qytetarët për t’u përballur me çmimet e larta të energjisë ishin në fuqi për një periudhë më të gjatë.

Ndërsa çmimet e energjisë po bien, ne tani rekomandojmë që pakot e kostos së jetesës të mos aplikohen apo të jenë më të përqendruara.

Çështja e balancës mes politikave monetare e fiskale, si dhe inflacioni janë në axhendën e bisedimeve të ministrave të Financave të BE-së dhe drejtuesve të Bankës Qendrore. Sot dhe nesër takohen në Stokholm të Suedisë.