Bota

Fluturimi historik/Avioni drejtohet familjarisht nga piloti me gruan dhe 3 vajzat!

Një biznes familjar nuk është një koncept i ri ku fëmijët shpesh ndjekin hapat e nënës dhe babait të tyre për të marrë përsipër drejtimin e kompanive ose dyqaneve. Por, një industri që nuk njihet për kalimin e ‘mantelit’ nga prindërit tek fëmijët është aviacioni. Të paktën kështu ishte deri në momentin kur pasagjerët në bordin e një fluturimi të ‘IcelandAir’ panë se në shërbim të tyre ishte një familje e plotë, pasi piloti që drejtonte avionin kishte pjesë të ekuipazhit edhe gruan me tre vajzat e tij që punonin si stjuardesa në kabinë.

Ingvar Mar Jónsson drejtoi avionin që u nis nga aeroporti Keflavik për në Uashington DC, ndërsa në bord shërbente bashkëshortja e tij Sigga Nanna dhe vajzat Ingibjorg, Sigga Marta dhe Nina. Jónsson shpjegoi për mediat se fillimisht, vetëm tre prej tyre ishin planifikuar të ishin në fluturim, por dy fëmijët e tij më të vegjël arritën të riorganizonin oraret e tyre të punës për t’u bashkuar e gjithë familja.

Të pestë nuk ishin anëtarët e vetëm të familjes në bordin e avionit, pasi Jónsson konfirmoi se vjehrra e tij gjithashtu u bashkua me ta në fluturim.

Fluturimi tepër i rrallë u bë viral në Twitter pas një postimi nga IcelandAir, ku shkruhej: “Islanda është një vend i vogël, kështu që fluturimi mund të bëhet lehtësisht një çështje familjare.”