Fluksi i lëvizjes në fundjavë, Policia Rrugore informon për akset më të ngarkuara në vendin tonë. Në Tiranë-Durrës, me trafik të rënduar paraqitet pjesa nga Tirana në Qafë Kashar dhe shumë të rënduar nga Vora deri në Maminas për shkak se të shumtë janë ata që i drejtohen Gjirit të Lalzit.
Rruga interurbane dytësore Fushë Milot-Lezhë ka vështirësi në lëvizje nga Fushë Miloti deri te Kryqëzimi i Tales, si dhe nga Lezha në drejtim të plazhit të Shëngjinit. Me qëllim shmangien e bllokimeve dhe vonesave në rrugë, për të gjithë ata që duan të udhëtojnë për në jug, policia sugjeron përdorimin e rrugëve Tiranë-Elbasan e Tiranë-Durrës nga Ndroqi.
Kjo fundjavë nisi dje me trafik të rënduar në Vlorë, me shumë automjete në akset kryesore të qytetit. Transballkanikja, zona e Skelës, Lungomare dhe Radhima kishin ngarkesën më të madhe. Duket se kjo ka ardhur për shkak të ditëve të nxehta në vend, me pushuesit që kanë zgjedhur plazhet e Vlorës dhe ato më në jug të Shqipërisë.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se edhe sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme si rezultat i masave ajrore relativisht të nxehta falë thyerjes së lehtë që pritet të ketë aktiviteti i Anticiklonit Afrikan.
Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, por pa përjashtuar vranësirat mesatare e në relievet malore hera-herës të dendura nga orët e mesditës. Ka edhe sasi të lartë të pluhurit me origjinë nga shkretëtira e Afrikës së Veriut.
Era pritet të fryjë me drejtim veriperëndim-verilindje e me shpejtësi mesatare 1-6 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare, në lugina dhe në relievet e larta malore, në orët e mesditës era fiton shpejtësi e bëhet relativisht intensive 10-12m/sek, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-2 ballë.
Temperaturat parashikohen:
Shkodër
21/36
Diell re
Kukës
21/34
Diell re
Lezhë
20/35
Diell re
Dibër
19/33
Diell re
Durrës
19/35
Diell
Tiranë
21/37
Diell
Elbasan
22/36
Diell re
Berat
20/36
Diell re
Vlorë
22/36
Diell
Korçë
19/31
Diell re
Gjirokastër
17/36
Diell
Sarandë
22/31
Diell