Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për të adresuar krizën nga fluksi i emigrantëve. Në rreth 6 muaj, mbi 17 mijë persona kanë shkuar në Nju Jork nga kufiri jugor.
Muajt e fundit, shtete republikane si Teksasi, Arizona e Florida po dërgojnë emigrantë në zonat e kontrolluara nga demokratët amerikanë. Synimi është të rrisin presionin ndaj administratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për të bërë më shumë që të zvogëlohet numri i emigrantëve. Shifrat aktuale janë në nivele rekord.
Masa është pjesë e përplasjeve me Shtëpinë e Bardhë, ndërsa një numër mjaft i madh njerëzish grumbullohen në kufirin mes Shteteve të Bashkuara e Meksikës. Adams deklaroi se prej muajit shtator, çdo ditë, një mesatare prej pesë apo gjashtë autobusësh mbërrijnë në qytet.
Një në pesë njerëz në sistemin e strehimit të Nju Jorkut është azilkërkues. Shumë prej tyre janë prindër me fëmijë që duhet të shkojnë në shkollë dhe me nevoja të mëdha për kujdes shëndetësor.
Banorët e Nju Jorkut shprehen të zemëruar. Unë jam zemëruar po ashtu. Ne nuk kemi kërkuar diçka të tillë.
Në kuadër të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, kryebashkiaku i Nju Jorkut lëshoi një urdhër ekzekutiv që i lejon qytetit të ndajë fonde për të mbështetur azilkërkuesit e më tej, të rriten përpjekjet për përgjigje ndaj krizës.
Ky fluks emigrantësh pritet t’i kushtojë Nju Jorkut një miliard dollarë këtë vit, ndaj Eric Adams ka kërkuar ndihmë shtetërore dhe federale për të ndihmuar në menaxhim të situatës.