Aktualitet

Fluks nga Kosova! Fundjava me numrin më të lartë të lëvizjeve në kufirin e dy vendeve!

Sot është shënuar fundjava me fluksin më të lartë të shtetasve që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë në Morinë për këtë vit.

Sipas të dhënave zyrtare të policisë kufitare janë dhjetëra mijëra persona dhe automjete. Pjesa më e madhe e këtyre shtetasve pohojnë se po vijnë në bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet.

Ka edhe nga ata pushues që këtë vit kanë zgjedhur Greqinë.

Ndërkohë edhe numri i autobusëve është i lartë këtë fundjavë, të cilët transportojnë pushues nga Kosova drejtë pikave turistike të vendit tonë.

Me marrëveshjen e lehtësisë kufitare mes dy qeverive janë shmangur radhët në të dyja kahet e lëvizjes në Morinë duke shmangur plotësisht krijimin e radhëve.

Pavarësisht liberalizimit të vizave dhe mundësisë së shtetasve nga Kosova për të lëvizur të lirë, shumë prej tyre i qëndrojnë besnik Durrësit që ofron mikpritje, shërbime cilësore dhe çmime të mira për të gjithë pushuesit.

Autoritetet lokale dhe subjektet e shumta kanë shtuar masat për të ofruar një sezon të pastër e të sigurt, shërbime shëndetësore, ushqim të mirë dhe aktivitete të shumta për të mirëpritur turistët e këtij sezoni.