Bota

Florida, rëndohet bilanci i viktimave të uraganit Milton!

Të paktën 11 persona gjetën vdekjen si pasojë e erërave që ka shtyrë përpara uragani Milton në Florida të SHBA-ve ndonëse stuhia nuk ka qenë në përmasat katastrofike, siç parashikohej. Dje  pasdite, uragani la rrugë të bllokuara, si pasojë e rrëzimit të pemëve e kabllove. Rreth 3 milion shtëpi dhe biznese janë pa energji elektrike. Autoritetet amerikane saktësuan se erërat dhe jo sasia e madhe e ujit, shkaktuan vdekjet e 11 njerëzve. Ndërkaq, njerëzit dhanë dëshmitë e tyre në media:

Ishte mjaft e frikshme, u shpreh Susan Stepp, 70-vjeçe, banore në brigjet lindore të Floridës, ku gjetën vdekjen katër banorë të një azili për të moshuarit. Kanë zbuluar trupa të pajetë në pemë, deklaroi ajo për agjencinë e lajmeve AFP. Do të dëshiroja që ata të ishin evakuuar.

Vdekjet janë regjistruar në qarkun St. Lucie County, në Volusia, në Petersburg, si dhe në qytetin Tampa. Uragani Milton zbarkoi në brigjet e Floridës si stuhi e kategorisë së tretë, duke goditur ashpër këtë rajon që ende nuk është rimëkëmbur nga uragani tjetër, Helene, i dy javëve më parë e që vrau 237 persona.

Shkencëtarët besojnë se shirat e rrëmbyeshëm dhe stuhitë shkatërruese janë bërë më të ashpra e më të shpeshta, për shkak të ndryshimeve klimatike. Sa herë që ngrohet uji në sipërfaqen e oqeaneve, mundësitë për stuhi bëhen më të mëdha. Presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi se Milton do të jetë “ndër uraganet më shkatërrues të shekullit”. Madje, për shkak të tij, shefi i Shtëpisë së Bardhë anuloi pjesëmarrjen në samitin e Gjermanisë për Ukraninën duke çuar në shtyrjen e takimit.

Ndërkaq, samiti për Ukrainën në Gjermani u anulua, por jo vizita e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky atje. Në Berlin, kryetari i shtetit do të takojë zyrtarë të lartë gjermanë, përfshirë kancelarin Olaf Scholz për të diskutuar mbi mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtuesve rusë. Vazhdimisht, Zelensky apelon për furnizim me armë dhe për lejimin e përdorimit të tyre më në brendësi të territorit të Rusisë.