Sot në “Live From Tirana” ishte në një lidhje telefonike nga Londra, këngëtarja e mirënjohur Lindita Theodhori. Pas një pauze të shkurtër nga bota e medias, zëri i saj vjen sërish pranë jush vetëm në TAR, ku artistja ka shprehur si e ka përjetuar periudhën e karantinës dhe çfarë i ka munguar më së shumti gjatë asaj kohe.
Jam pak natyrë e kujdesshme, ndonjëherë e teproj. Por duke u mbrojtur me anë të këshillave që na janë dhënë, e kemi përballuar mirë. Nuk kemi qenë thjesht të izoluar se kemi bërë me bashkëshortin nga dy-tre orë në ditë ecje. Madje, pranë shtëpisë kam dy ‘coffee shops’ që bënin ‘take away’.
Ylli i muzikës së lehtë shqiptare, bëhet nostalgjike dhe i krahason kafetë e asaj kohe me ato të ditëve të sotme dhe marrëdhënia me meshkujt. Theodhori thotë se:
Në atë kohë kishte një lezet të madh, kafe Flora. Kafetë e mbushura plot me femra tepër të bukura. Edhe sot në Shqipëri kur futem në kafe, unë gjithnjë kujtoj imazhin e kafe ‘Flora-s’. Kafet në Shqipëri janë shumë të bukura, sikur të ishin edhe në Londër, këtu janë kafe lordash! Kam vajtur dhe në kafet e bllokut sot, shumë kafe, atëherë ka qenë kafe ‘Flora’ e famshme dhe Dajti. Si kafe ‘Flora’ nuk kishte! Një shije e paparë kur e pije kafen me shoqet e tua dhe meshkujt të ulur përballë që na shikonin, të pëlqejnë…”
Këngëtarja e hitit të njohur “Kafe Flora”, u shpreh se dëshironte të bënte një projekt të ri që nga viti i kaluar, por është shtyrë për një moment tjetër për shkak të pandemisë. Gjithsesi mbetemi në pritje të projekteve të bukura nga Lindita.