Lifestyle

Flasin ekspertët, ndryshimi i orës është i rrezikshëm për zemrën!

Ora diellore do të qëndrojë në fuqi deri më 30 mars të vitit të ardhshëm kur si gjithmonë, në 03:00 të mëngjesit hyn në fuqi ora ligjore, e njohur edhe si ajo verore. Përcaktimi i ndryshimit të orës nuk ka asnjëherë një datë fikse. Në të dyja rastet, aplikohet gjithmonë natën mes të shtunës e të dielës së fundit të muajit tetor dhe atij mars. Pavarësisht polemikave që prej disa vitesh kanë shoqëruar ndryshimin stinor të orës, ende nuk është marrë një vendim. Si ndikon kjo në organizmin tonë?

Ajo që është e rëndësishme për ekspertët është ndryshimi që ndodh me trupin tonë. Disa njerëz gëzohen me idenë e orës shtesë të gjumit, por shumë të tjerë besojnë se ndryshimi i orës nuk duhet të ndodhë më, ashtu siç sugjeroi Komisioni Europian pas një sondazhi të bërë. Të dhënat sipas ekspertëve tregojnë një rritje të vogël, por të konsiderueshme të aksidenteve në punë sidomos gjatë ditës së Hënë. Eksperti Neil Stanley thotë se më të prekurit janë ata që kanë një jetë të mbushur me punë dhe janë gjithë kohën në lëvizje.

Statistikat tregojnë se pas kthimit të orës, shtohen edhe infarktet dhe problemet kardiovaskulare. Kur ndodh kalimi nga koha dimërore në atë verore, është e pashmangshme që të zgjohemi ndryshe, sepse çdo ndryshim i tillë është jashtë ekuilibrit, nga ritmi i zakonshëm me të cilin është mësuar trupi ynë. Ne kemi hormonet e gjumit dhe ato na përgatisin për pushim dhe punë gjatë ditës. Kjo është arsyeja pse duhet një kohë e caktuar për t’u përshtatur me këtë ndryshim.

Kur bëhet fjalë për persona më të rinj, ata do të përshtaten më shpejt, por këtë lloj ndryshimi e ndiejnë të gjithë, si të rinjtë ashtu edhe të moshuarit. Disa vetëm në javën e parë, ndërsa disa dy deri në tri javë më vonë. Pacientët kronikë e kanë më të vështirë ta përballojnë ndryshimin e orës dhe është edhe më e vështirë për ta nëse kushtet aktuale të motit janë të ndryshueshme. Kjo vlen si për lëvizjen e orës ashtu edhe për ndryshimet e motit.

Ndryshimi i akrepave të orës mund të prishë ritmet cirkadiane, duke çuar në rritje të stresit, ankthit dhe problemeve shëndetësore afatgjata. Ndryshimi dy herë në vit i orës ka pasoja në shëndetin e njeriut më shumë sesa mund të imagjinohet, ndaj shoqata e njohur e njerëzve të mjekësisë në Britani British Sleep Society i ka kërkuar qeverisë që të mbahet gjithnjë ora dimërore.