Aktualitet

“Flasim”, Rama: Do të arrijmë ëndrrën më 2030-ën/Bisedimet me BE-në e Prokurimet Publike!

Prokurimet publike në Shqipëri dhe mendimi i BE-së për to ishin tema e episodit të radhës në podcast-in “Flasim” të kryeministrit. Edi Rama kishte të ftuar zyrtarët Reida Kashta e Jonaid Myzyri. Shefi i ekzekutivit u shpreh se është e rëndësishme të dihen përfitimet nga reforma në Prokurimin Publik pasi ka shumë akuza për korrupsion.

Mirëpo, kjo është situata, bota ku po jetojmë. Në këtë pikë ke të bësh me njeriun më të korruptuar që mund të ekzistojë, nuk e di çfarë të them, ose duhet të çmendesh, ose duhet ta bësh atë punë, ose vetëm duhet të mbyllësh veshët dhe të shohësh përpara dhe thua: “Ju kam lënë Zotin, se nuk di çfarë të them më. Kjo është një e dhënë që ndihmon ata që bombardohen çdo ditë, ku thuhet këtu janë pesë veta, këtu të gjitha i marrin pesë veta, këtu lekët ndahen mes pesë vetave.

Ekspertja Kashta, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, njëkohësisht pjesë e skuadrës së negociatorëve për Prokurimin Publik, tha se është bërë një vlerësim ndër vite dhe të dhënat janë mjaft premtuese.

Kemi bërë një krahasim në periudhat 2009-2013 dhe 2014-2024 dhe numri i operatorëve ekonomikë të shtuar në këtë periudhë, pra 2014-2024 është 19 mijë e 16 operatorë ekonomikë plus, krahasuar me ata që janë të dublikuar nga periudha e mëparshme pjesëmarrjes në prokurimin publik. Mesatarisht, numri se sa operatorë ekonomikë fitojnë procedura të prokurimit publik është një tregues që ne e masim çdo vit. Treguesi i fundit është viti 2023 dhe mesatarja është 3.37 që marrin pjesë në një procedurë prokurimi.

Në një procedurë mund të marrin pjesë 15 operatorë ekonomikë, në një tjetër mund të marrin pjesë katër operatorë ekonomikë, ne masim numrin total të procedurave të një viti, dhe kjo shkon deri në pesë mijë, pra sa operatorë shkojnë për një procedurë. Ky është një tregues i konkurrencës në një sistem prokurimi. Konkurrenca në Shqipëri nga 2.2 që ka qenë në 2022, e kemi bërë 3.37 në 2023 dhe në BE kjo është një nga plagët e prokurimit publik.

BE po kërkon mekanizma për të rritur pjesëmarrjen në prokurimet publike, se e ka mesatarisht 2.5 për një procedurë prokurimi, ndërsa ne e kemi pasur më të lartë, 3.37 në vitin e kaluar. Ky është një fenomen që nuk ndodh vetëm në sistemin shqiptar, pasi konkurrenca varet edhe nga tregu që kemi përballë.

Myzyri, drejtor i Komisionit të Prokurimit Publik, shpjegoi se çfarë ka ndryshuar në aspektin e ankesave ndaj këtij sektori, sidomos pas procesit të digjitalizimit.

Në vitin 2020, në mes të pandemisë, ne e kishim të qartë vizionin: Duhej digjitalizim i Komisionit të Prokurimit Publik përmes transparencës dhe rritjes së stafit të KPP-së. Digjitalizimi i procesit të dorëzimit të ankesave bëri që ky proces i ndërlidhur edhe me e-Albania, të përkthehej në detyra digjitale të parashikuara nga ligji, si për operatorët ekonomikë, ashtu edhe për kompanitë nënkontraktore dhe KPP-në. Nuk e besuam “uraganin” që do të ndodhte në drejtim të transparencës dhe rritjes së aksesueshmërisë së operatorëve ekonomikë.

Kryeministri Rama tha se fondi i kursyer ndër vite nga procesi i Prokurimit Publik shkon deri në 1 miliard euro.

Në mos gabohem, ndër vite fondi i kursyer është 1 miliard euro, në vlerë absolute, pra janë 1 miliard euro që i kanë mbetur Buxhetit të Shtetit si rezultat i kursimit, falë një gare ku ka fituar pala tjetër me një çmim më të ulët se sa konkurrenti, po ku shteti ka kursyer një pjesë të konsiderueshme të parasë të vënë në dispozicion për të bërë atë punë.

Rama shtoi se është besimplotë se deri në vitin 2030 do të arrihet ëndrra e shqiptarëve, ajo e anëtarësimit në BE.

Eshtë bërë një lehtësim gjigant. Për çdo gjë duhej një mik, një e shkelur syri, një shtypje. Janë bërë 616,830 klikime në portalin digjital e-Albania. Kjo do të thotë shumë më pak hapësirë për korrupsion.

Një tjetër gjë është që ne jemi përpjekur të shohim dhe ecim më para. Në fund të ditës vlerësohemi nga Komisioni Europian. Duhet të jemi përpara atyre që kanë hapur negociatat më parë në prokurime dhe në disa gjëra të tjera.

Për mua ka qenë një pikë e lartë krenarie, pikërisht pika ku unë vuaja stresin që do të ishte një pikë e ulët energjie sepse thosha: tani u hapën, do fillojë diagnoza, ekografia, mamografia, i gjithë ai kompleks analizash i gjithë trupit të vendit përpara se të fillojë negociata e drejtpërdrejtë që nisi javën e shkuar dhe që ata do të na zbërthejnë brinjët, si do ta përballojmë ne dhe a e kemi administratën për ta përballuar?

Ky proces më ka dhënë krahë dhe energji të rinovueshme për të besuar që do ta arrijmë majën e ëndrrën shumëvjeçare brenda dekadës, 2030 si afati final.