Në episodin 18-të të Sezonit të 3-të të Podcastit “Flasim” e që kryeministri Edi Rama e quajti “Kingu”, i ftuar ishte këngëtari Alban Skënderaj, i cili rrëfeu momente nga jeta, si dhe foli mbi planet në të ardhmen.
Mund të ishte edhe mbret në kohën, kur mbretërit krijonin vetveten por është një king, tha Rama në nisje të bisedës së tij me Skënderajn.
Skënderaj tregoi se dëshira për artin i lindi në Itali, ku shkoi në marsin e vitit 1997, kur ishte vetëm një adoleshent, 15-vjeç. Këngëtari rrëfeu edhe rrugën për të mbërritur në brigjet italiane, një rrëfim i dëgjuar prej mijëra e mijëra të rinjsh që prekën brigjet pas një dyluftimi për jetë a vdekje me detin. Vetëm nënës së tij i kishte treguar se do të shkonte në Itali, që të bashkohej me dy vëllezërit më të mëdhenj e që ishin vendosur atje.
I thashë vetëm mamasë që do të iki vetëm për të parë e të kthehem. Ishte një anije që ishte 3 ditë e mbushur. Anija kishte 80 veta kapacitet dhe brenda ishin 400 vetë. U prish timoni. I gjithë udhëtimi në det ka qenë anija zig-zag. Unë për pak rashë. Mbaj mend një djalë që më ka kapur prej xhupit të xhinsit të lehtë. Rrëshqita. Më kapi gjysmën e trupit jashtë e gjysmën e trupit brenda. Po të kisha rënë nuk do të më kishte parë njeri.
Më pas na ndaloi “Guardia di Finanza”. Aty ishte fatale sepse ndaluan të na jepnin ushqim dhe të gjithë që ishin brenda në anije dolën jashtë e anija po mbytej. Na hodhën në një anije luftarake ku udhëtuam disa orë të tjera. Gati 20 orë zgjati udhëtimi. Na çuan në një kamp ku kam kujtime sa tragjike e komike. Dy javët e para nuk kam pasur kontakt me familjen. Udhëtimi ishte vetëm një ditë para mbytjes së anijes në Otranto. Dikush u kishte thënë familjarëve që kemi parë Albanin në anije.
Por, ato kohë kanë kaluar dhe si një artist i suksesshëm tashmë, Albani tregon për koncertin që do të mbajë së shpejti në stadium.
E shoh veten edhe pas 20 vitesh duke kënduar. Mendoj se nëse do arrij të mbush sot stadiumin, do të mundem edhe dy dekada më pas.
Shumë njerëz po kthehen të realizojnë ëndrrat në vendin e tyre. Por përtej artistit jam munduar të jap një shembull, si njeri dhe mundohem të marr vendimet e duhura.
Në vijim të bisedës, Albani kërkon të dijë edhe si e sheh veten kryeministri Rama pas dy dekadash.
E kam thënë ku e shoh veten. Duke u marrë me gjërat që kam mësuar dhe me gjërat që nuk kam mundur të mësoj si për shembull të qep e duke ndarë eksperiencën e shijen me njerëzit që nuk më zgjedhin, por i zgjedh.
E shoh veten shumë thjesht në katund, duke u marrë me shijen e të parit e të dëgjuarit e të folurit, të krijuarit të gjërave përmes të folurit, të të dëgjuarit. Dua të jem një katundar pa pretendime, i pabezdisshëm dhe i padukshëm, por thjesht i gatshëm për ata që kam dëshirë të takoj dhe kanë dëshirë të më takojnë. Eshtë një lloj përgatitjeje për t’u ndarë me këtë jetë.